Zërat
Enver Hoxhaj
Enver
Hoxhaj

Një marrëdhënie skizofrenike Rusi – Serbi dhe Kosova (3)

Zërat December 23, 2019 - 08:17
Enver Hoxhaj

Meqë historikisht Rusia ka qenë dhe vazhdon të jetë aleatja kryesore e Serbisë, pavarësimin e mundshëm të Kosovës e ka shikuar si faktorizim të shqiptarëve në Ballkan. Në çdo forum dhe organizatë ndërkombëtare ka ofruar pamje të rreme dhe ka falsifikuar faktet në raport me Kosovën në OSBE, Këshill të Evropës dhe deri te Këshill i Sigurimit të OKB-së duke përfshirë organizata të ndryshme rajonale në gjeografi të largëta

Në kohën e pushtimit serb dhe aparteidit në Kosovë më 1990-n zyrtarë diplomatikë rusë në Beograd, që vinin herë pas here këtu, raportonin në detaje, por qëllimisht falsifikonin faktet. Ato raporte janë përdorur ndërkombëtarisht kundër kauzës së një populli të shtypur. Rreth dhunës serbe, shkeljeve masive të të drejtave të njeriut e deri te masakrat mbi civilët e pafajshëm, diplomatet dhe mediat ruse qëllimisht keqinformuan dhe manipuluan opinionin publik në Afrikë, Azi, Amerikë Latine dhe më gjerë.

Meqë historikisht Rusia ka qenë dhe vazhdon të jetë aleatja kryesore e Serbisë, pavarësimin e mundshëm të Kosovës e ka shikuar si faktorizim të shqiptarëve në Ballkan. Në çdo forum dhe organizatë ndërkombëtare ka ofruar pamje të rreme dhe ka falsifikuar faktet në raport me Kosovën në OSBE, Këshill të Evropës dhe deri te Këshill i Sigurimit të OKB-së duke përfshirë organizata të ndryshme rajonale në gjeografi të largëta.

Politikanë dhe diplomatë të shumtë që kam takuar derisa isha në pozita të ndryshme në Qeverinë e Kosovës kanë treguar lloj-lloj situatash e trillime ruse për Kosovën. Nga Tunizia e deri në Botsuana, nga Barbados në Gajanë dhe Pakistan mund të shkruhet një libër i tërë me përrallat ruse për Kosovën. Mirëpo ato ishin narrativa që treguan efekt në disa gjeografi. Rusia ka kundërshtuar intervenimin humanitar të NATO-s në vitin 1999 në kohën e një krize të madhe humanitare, kur masakrat serbe mbi qytetarët e pafajshëm ishin lajmet më të tmerrshme në botë. Në qershor të vitit 1999 një formacion paraushtarak rus e mori në kontroll Aeroportin e Prishtinës, me qëllim të krijimit të tensioneve të reja ndërmjet NATO-s dhe Rusisë, në një kohë kur krizës në Kosovë me vendosjen e trupave paqeruajtëse po i vinte fundi. Rusët kërkonin një sektor të veçantë në Kosovë jashtë komandës së NATO-s dhe qëllimi i lëvizjes së trupave paraushtarake do të ishte që të krijonin fakte në terren.

Kështu një bashkëpunim i deriatëhershëm NATO – Rusi ishte afër që të shndërrohej në një konfrontim mes tyre. Një skenar ky me formacione paraushtarake që do ta shohim disa vite më vonë të përsëritur në gjeografi të tjera të Evropës Lindore. Më vonë Rusia ka bllokuar miratimin e planit të Ahtisaarit në KS së bashku me pranimin e Kosovës në OKB edhe pse ka qenë e pjesë e pandashme e zgjidhjes së statusit final të Kosovës në kuadër të OKB-së. Ajo ka qenë pjesë e Grupit të Kontaktit për Kosovën që hartoi parimet drejt pavarësisë së Kosovës dhe më pas ka qenë pjesë e Trojkës, amerikane, evropiane dhe ruse. Mirëpo bllokoi çdo marrëveshje në OKB nga vera e 2007-s deri në fund të këtij viti. Ajo e ka penguar sepse ka dashur që me çdo kusht t’i ruajë zonat e influencës në Ballkan. Qasja ruse në raport me Kosovën në këtë kohë nuk kishte të bënte as me parime dhe as me procesin, sepse ajo ishte pjesë e tij. Thelbi i një qasjeje të tillë ishte kryekëput gjeopolitik. Një Kosovë e pavarur do të ishte, natyrisht, pro-perëndimore dhe jashtë çdo ndikimi rus. E ka bërë këtë se dëshiron ta ndryshojë botën e krijuar pas 1989-s dhe ta frenojë zgjerimin e demokracisë kudo në Ballkan.

Deri më sot pengesa kryesore e pranimit të Kosovës në OKB mbetet Rusia dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Do ta kundërshtojë Kosovën kudo dhe kurdo që mundet. Deri më tani e ka bllokuar dhe e ka goditur politikisht. Ka qenë refuzuese e çdolloj komunikimi të rregullt me shtetin e ri. Politika ruse në raport me Kosovën duhet të shihet përtej asaj se çfarë thuhet sot në Moskë. Ajo është pasqyrim më i thellë i pikëpamjes ruse mbi Ballkanin. Ajo kundërshton Kosovën e pavarur jo vetëm se është thjesht proserbe ose kundër shqiptarëve. Qasja e saj bazohet në interesat e drejtpërdrejta për të pasur zona të influencës në mes të popujve sllavë ortodoksë në Ballkan dhe të tjerëve. Shqiptarët janë parë çdoherë në Ballkan nga perspektiva ruse si “trupa të huaj”.

Pas pavarësisë së Kosovës, Rusia është munduar të ndikojë mbi zhvillimet në këtë vend përmes prezencës së reduktuar të UNMIK-ut. Në kuadër të këtij misioni shpesh janë kamufluar edhe agjentë të shërbimit rus, të cilët kanë qenë përcaktues në hartimin e raporteve sa më negative për Kosovën nga ky mision i OKB-së. Çfarë është shkruar shpesh në këto raporte ka qenë dhe është jashtë realitetit. Madje raporti i dërguarit të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, i cili është munduar të jetë i balancuar është rishkruar në Nju-Jork nga diplomatë rusë para se ai ta prezantonte në formën finale për opinion publik dhe para shteteve anëtare të OKB-së. Në fakt, lajmi i parë i rremë ndërkombëtarisht është ky raport i rregullt kuartal dhe ka filluar ndër tjerash edhe me Kosovën.

Në planin global Rusia ka kundërshtuar kudo njohjet e Kosovës me një imagjinatë morbide, duke prezantuar Kosovën si një shtet islamik dhe qytetarët e saj të prapambetur në aspektin ekonomik dhe kulturor. Ka bllokuar Kosovën në organizata të shumta ndërkombëtare me votën e saj kundër, duke kushtëzuar shtetet e tjera që të mos votonin pro Kosovës. Ka bërë përpjekje ta suspendojë sovranitetin tonë sikurse rasti me Organizatën Botërore të Doganave duke bllokuar pagesën tonë të anëtarësisë ose të drejtën tonë për të votuar në organet e saj. Ka edhe organizata të tjera ku Rusia ka ndjekur një qasje shumëdimensionale agresive kundër Kosovës. Disa nga to madje janë shoqata profesionale nga fusha ekologjike e deri te grupime të ndryshme.

Qëndrimi rus është dukur se po zbutej dhe ka qenë diçka më neutral pas nisjes së dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Është parë si një situatë shpresëdhënëse dhe është dukur sikur diçka ka ndryshuar. Rusia është munduar të paraqitet edhe si parimore, natyrisht në mënyrën e vet dhe jo të parimeve ose të vlerave ndërkombëtare.

Sidoqoftë, gjërat kanë marrë drejtim tjetër kur Rusia okupoi Krimenë dhe atëherë u pa qartë edhe fytyra e vërtetë e saj. Ajo përdori pavarësinë e Kosovës, padrejtësisht, si një rast krahasues për ta legjitimuar aneksimin ushtarak të Krimesë. Vetë Putini e kishte udhëhequr luftën dezinformative kundër Kosovës duke bërë përpjekje që ta manipulonte opinionin publik ndërkombëtar. Në mars të vitit 2014, me rastin e nënshkrimit të aneksimit formal të Krimesë, Putini foli më gjatë se çdoherë tjetër për Kosovën, duke ngatërruar faktet me jofaktet dhe të vërtetat me gënjeshtra.

Qoftë shkatërrimi i Jugosllavisë, bërja e Kosovës së pavarur, vendimi i GJND-së ose edhe njohja ndërkombëtare e saj u interpretuan në shërbim të qëllimeve aneksuese ruse në raport me Krimenë. Asnjëherë në Rusi dhe nga mediet ruse nuk është folur më shumë për Kosovën sesa në kontekstin e këtyre ngjarjeve pas-Krimesë. Ky narracion dhe paralelet ruse janë larg çdo realiteti.

Kosova është shprehur qartazi kundër këtij akti, i cili është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, duke ngritur zërin se Rusia shkeli normat ndërkombëtare dhe rrezikoi sigurinë e përgjithshme në Evropë. Kosova ishte e qartë në qëndrimin e saj sa i takon kësaj situate duke bërë të ditur botërisht se kundërshton keqpërdorimin e rastit të saj si model krahasues për politikat ruse dhe ekspansioniste. Rusia shpeshherë në argumentimet e saj për të përligjur aneksimin e Krimesë, në mënyrë implicite ka njohur të drejtën e Kosovës për shtetësi.

Sidoqoftë, do të ishte naivitet të mendohej se Rusia do ta ndryshojë qëndrimin për shkak të ndërlidhjes së rasteve. Jo sot! Sido që të jetë, Krimea ka qenë episodi më interesant dhe më goditës i luftës informative ruse kundër Kosovës, por narracioni rus për Kosovën është një lloj filmi i gjatë serik.


 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK