Zërat
Zija Lleshi
Zija
Lleshi

“Nobel”-i, shprehja e lirë dhe Handke vs Sartre

Zërat December 09, 2019 - 13:12
Prof. dr. Zija Lleshi

 Komiteti arsyetohet duke pohuar se shpërblimi jepet vetëm për kualitet letrar. Kjo e bën njeriun të mendojë se sa dallon Handke me qëndrimin e tij racist etnoreligjioz nga qëndrimi që kishte ndaj hebrenjve Goebbelsi, ministër i Propagandës në qeverinë naziste të Hitlerit? Si dhe, në vazhdim, a mund të ishte shpërblyer eventualisht edhe Goebbelsi për aftësitë hipotetike të tijat letraro-artistike, ashtu verbërisht, pa e vlerësuar autorin, siç shpjegon komiteti “Nobel” për rastin Handke?

Pa dyshim se shpërblimi “Nobel” është çmimi më prestigjioz ndërkombëtar dhe çdo shkrimtar, shkencëtar dhe aktivist për të drejtat dhe liritë e njeriut e ëndërron këtë shpërblim. “Nobel”-i është tregues më signifikant i arritjes kulminante botërore të individit në ato fusha.

Kur fizikanin me famë botërore Richard Feynman, i shpërblyer (1965) për punën e tij në elektrodinamikën kuantike, e pyeti gazetari gjatë intervistës së rastit se me cilën figurë nga historia do të dëshironte më së shumti të bisedonte në atë moment, ai (47-vjeçar) u përgjigj: me babanë tim (të vdekur). Përse?, pyeti gazetari. T’i tregoj se e kam fituar shpërblimin “Nobel”, u përgjigj laureati.


Ndarja e shpërblimit “Nobel për Letërsi” për vitin 2019 shkrimtarit austriak proserb Peter Handkes nga ana e Komitetit ka shkaktuar një valë të gjerë protestash, reagimesh dhe pakënaqësish në mbarë botën. Komiteti i “Nobel”-it e shpalli fitues Peter Handken me shpjegimin: “Për një krijimtari letrare ndikuese, që me mjeshtri të madhe gjuhësore e ka hulumtuar periferinë dhe përvojën konkrete të njeriut” (orig.:"för ett inflytelserikt författarskap som med stor språkkonst har utforskat periferin och människans konkreta erfarenhet").

Për këtë përzgjedhje nga një numër që zakonisht shkon mbi 200 të nominuarëve, reagime negative dhe kritika Komitetit i kanë shprehur individë, shtypi botëror, shkrimtarë dhe institucione me renome botërore. Kanë reaguar po ashtu shumë ashpër dy akademitë tona. Këtë vendim e kanë kundërshtuar edhe “Nënat e Srebrenicës”, Organizata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, “PEN America”. Gazeta britanike “The Guardian” citon reagimet e ashpra të shkrimtarëve me famë botërore: Selman Rushdie, Hari Kunzru dhe të filozofit slloven Sllavoj Zhizhek.

E veçanta në këtë debat është se vlerësimet dhe kritikat negative kryesisht i drejtohen Komitetit, personalitetit të Handkes dhe angazhimeve e veprimeve praktike, gazetareske e publicistike të tija, kurse më pak vlerave letrare dhe artistike të veprave të tij. Veçmas i drejtohen kritika Handkes e veçmas Komitetit. Personalitetin e Handkes më së miri, më së drejti dhe më saktësisht e ka definuar kryeakademiku Mehmet Kraja në letrën që ia dërgoi Akademisë Suedeze, një eksponent i shquar i ideve fashiste të nënshtrimit dhe robërimit të popujve dhe mbështetës i pasionuar i Milosheviqit dhe i luftërave të tij gjenocidale në Ballkan, duke përfshirë edhe Kosovën”.

Mëkatet e numëruara në adresë të Handkes

Handkes i numërohen një numër tejet i madh mëkatesh të rënda politike e civilizuese. Handke njihet si një përkrahës i flaktë e adhurues i pasionuar i Slobodan Millosheviqit, “Kasapit të Ballkanit”, personit përgjegjës për vdekjen e qindra-mijëra njerëzve të pafajshëm, për dhunimin e dhjetëra-mijëra grave e burrave, për vrasjen e masakrimin e 1000 fëmijëve në Kosovë gjatë luftës së fundit nga agresioni nacionalist i Serbisë dhe mohues i gjenocidit në ish-Jugosllavi.


Handke ka qenë propagandues i zëshëm dhe përkrahi kryetarin e Serbisë, “Kasapin e Ballkanit” Sllobodan Millosheviqin, duke u ofruar të jetë dëshmitar mbrojtës i tij në Gjykatën e Hagës, mbajti fjalim në varrimin e Millosheviqit dhe përkrahu hapur e botërisht dhunën, terrorin, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, që bëri regjimi kriminal i Millosheviqit, posaçërisht ato në Bosnjë e Hercegovinë e në Kosovë.

Handke u deklarua kundër bombardimeve të NATO-s, sulmoi të gjithë ata që mbështetën ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë dhe deklaroi se Aleanca Veriatlantike nuk është duke parandaluar Aushvicin e ri, por është duke e krijuar atë, si dhe i krahasoi serbët me vuajtjet e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore (më vonë i duket tepër e ekzagjeruar kjo marrëzi dhe e tërheq këtë vlerësim). Kundër Serbisë dhe Millosheviqit luftuan edhe kroatët dhe sllovenët, por Handke i injoron ata dhe sulmin e drejton kundër myslimanëve të Bosnjës dhe shqiptarëve në Kosovë, fakt ky që e zhvesh karakterin e qëndrimit racist etnolreligjioz të tij.

Komiteti arsyetohet duke pohuar se shpërblimi jepet vetëm për kualitet letrar. Kjo e bën njeriun të mendojë se sa dallon Handke me qëndrimin e tij racist etnoreligjioz nga qëndrimi që kishte ndaj hebrenjve Goebbelsi, ministër i Propagandës në qeverinë naziste të Hitlerit? Si dhe, në vazhdim, a mund të ishte shpërblyer eventualisht edhe Goebbelsi për aftësitë hipotetike të tija letraro-artistike, ashtu verbërisht, pa e vlerësuar autorin, siç shpjegon komiteti “Nobel” për rastin Handke? Dikur mjaftonte që si person të ishe marksist ose komunist i deklaruar dhe kjo paraqiste pengesën definitive, kurse sot edhe një mohues i gjenocidit shpërblehet.


Alfred Nobeli në asnjë kërkesë nuk cenon lirinë e mendimit e të shprehjes të krijuesve letrarë, artistikë e shkencorë. Mendimi i lirë nuk ndalohet, qoftë ai edhe mendim destruktiv, por kjo nuk nënkupton se duhet të shpërblehet mendimi destruktiv.

Jean-Paul Sartre, i cili ka qenë shpërblyer (1964) me çmimin “Nobel”, e ka refuzuar këtë shpërblim me arsyetimin se nuk dëshiron të “institucionalizohet”, sepse “shkrimtari nuk duhet të lejojë veten të transformohet në një institucion”.

Por Peter Handke nuk e ka madhështinë, neutralitetin, dignitetin dhe integritetin akademik të filozofit të famshëm francez Jean-Paul Sartre. Shkrimtari austriak proverb Handke, duke e përkrahur Millosheviqin, është përpjekur ta bëjë pikërisht të kundërtën e të përfitojë nga propaganda antishqiptare e antimyslimane dhe nga propaganda proserbe, me qëllim që të shpërblehet dhe të “institucionalizohet”.

Dihet se letërsia duhet të ketë një funksion social të angazhuar. Laureatët e shpërblimit “Nobel” fitojnë famë, respekt dhe pasuri. Kështu që shpërblimi “Nobel” në letërsi u jep këtyre statusin e një afirmimi të përgjithshëm shoqëror.
Austriaku Handke tregohet gjithnjë manipulativ dhe në intervistën e fundit nuk flet më për kombet, i vetëdijshëm se aty ka dështime të turpshme, por flet për shtetësi dhe shpreh keqardhje e derdh lot krokodili për shpërbërjen e Federatës Jugosllave, gjithnjë duke i mbetur besnik Millosheviqit, por tani për Federatën YU.

Frazeologjia e thatë: “Është shpërblyer vepra dhe jo personi”

Dy akademitë tona, ASHAK-u dhe ASHASH-i, meritojnë mirënjohje dhe lëvdata të veçanta, sepse me reagimet e tyre të drejta dhe të ashpra kanë qenë në nivel të përgjegjësive që mbajnë dhe të respektit që ato gëzojnë.

Përgjigjja e Akademisë Suedeze letrës së parë të kryeakademikut Mehmet Kraja drejtuar asaj Akademie në emër të ASHAK-ut, ku ka kërkuar anulimin e vendimit për ndarjen e çmimit “Nobel për Letërsi” shkrimtarit austriak Peter Handke, ishte një frazeologji e thatë, kinse ata “kanë vlerësuar veprën dhe jo personin”, pa asnjë argument konkret për përgjegjësinë ndaj Testamentit, madje duke pohuar se ndarja e shpërblimit është në përputhje të plotë me Testamentin. Shtrohet pyetja, sikur Handke në propagandën e tij të ishte kundër suedezëve a do ta vlerësonte Komiteti personin?

Në letrën e dytë kryeakademiku Mehmet Kraja shprehet se ka mbetur i zhgënjyer, meqë Akademia Suedeze nuk është zmbrapsur nga çmimi që i dhanë mbështetësit të gjenocidit.

Në këtë letër Kraja ishte akoma më i ashpër, akoma më i argumentuar, shumë më i detalizuar dhe shumë i ndershëm (kjo me rëndësi të veçantë), duke e lënë Akademinë suedeze gojëmbyllur dhe “pa koment”.

Vallë, a thua vërtet përzgjedhja e Handkes ka qenë në përputhje të plotë me Testamentin? – Jo, aspak. Sigurisht se jo! Kurrsesi nuk ka qenë në përputhje, madje ka qenë në kundërshtim të plotë me atë. Testamenti i Alfred Nobelit (27 nëntor 1885) është shkelur në mënyrë të shumëfishtë nga Komiteti.

Natyrisht që “Nobel”-i nuk ka lënë para për promovimin e laureatëve që janë në anën e errët të historisë, të kulturës e të civilizimit shoqëror, pavarësisht nga fusha me të cilën ata merren, duke përfshirë edhe letërsinë, si dhe letërsia e mjeshtëria e gjuhës nuk mund të qëndrojë mbi humanizmin dhe civilizimin, që ishte fryma, ideja themelore dhe qëllimi i “Nobel”-it për stimulimin e tyre nëpërmjet fondacionit.

Po ashtu kërkesat e përgjithshme, si tërësi në Testament, nuk vlejnë në mënyrë separate dhe të izoluara për fusha të veçanta hulumtuese, por vlejnë në tërësinë e tyre dhe përgjithësisht për të gjitha fushat.

Në Testament “Nobel”-i shpreh dëshirën që vlera “t´u ndahet si shpërblim atyre që gjatë vitit aktual i kanë sjellë njerëzimit dobinë më të madhe” (...utdelas som prisbelöning åt dem, som under det förlupne året hafva gjort menskligheten den största nytta); “Atij i cili në letërsi ka krijuar më të shkëlqyeshmen në drejtim ideal” (den som inom litteraturen har producerat det utmärktaste i idealisk riktning); “Atij që ka vepruar më së shumti ose më së miri për vëllazërimin e popujve” (åt den som har verkat mest eller best för folkens förbrödrande) dhe në mënyrë specifike “Nobel”-i shprehet: “Është dëshira ime eksplicite që gjatë ndarjes së shpërblimit të mos merret parasysh asnjë lloj përkatësie nacionale...” (Det är min uttryckliga vilja att vid prisutdelningarne intet afseende fästes vid någon slags nationalitetstillhörighet...)

Dëshira e Alfred Nobelit

Dëshira e humanistit dhe e filantropit Alfred Nobel që shpërblimi t’u ndahet atyre që i kanë sjellë njerëzimit dobinë më të madhe, atij i cili në letërsi ka krijuar më të shkëlqyeshmen në drejtim ideal, atij që ka vepruar më së shumti ose më së miri për vëllazërimin e popujve, si dhe dëshira eksplicite e Alfred Nobelit për barazi nacionale gjatë ndarjes së shpërblimit - të gjitha këto janë tërësi e të pandara (as nga Komiteti!) dhe shprehin konceptin, frymën, idenë dhe mesazhin e Alfred Nobelit që përjashtojnë Handken dhe sojet e tij nga shpërblimi që mban emrin “Nobel”.

Atë të cilën Handke sot më së tepërmi do ta dëshironte është që e tërë ngjarja të zhvillohet pa reagime, pa kundërshtime, pa keqardhje, në heshtje totale e në errësirë të plotë. Ndërkaq ne duhet ta bëjmë të kundërtën.

Të gjitha OJQ-të dhe institucionet tjera relevante, nëse nuk kanë reaguar deri tani, duhet të reagojnë sa më parë, qoftë edhe shkurtimisht, por ashpër e në numër sa më të madh, si dhe mundësisht para datës 10 dhjetor, kur bëhet dorëzimi solemnisht i shpërblimeve dhe të kërkojnë nga Akademia Suedeze anulimin e vendimit për ndarjen e shpërblimit Handkes.

Kuptohet, gjasat për anulim të vendimit janë pothuaj zero. Anulimi nuk ka ndodhur as në rastet e mëhershme (Knut Hamsun dhe Aung San Suu Kyi, edhe pse këto janë raste tjera të sjelljes së laureatëve à posteriori në raport me momentin e ndarjes së shpërblimit). Megjithatë protestimi është tepër me rëndësi për historinë e shpërblimeve, si dhe më në fund që situata të tilla të mos përsëritën. Po të ishte protestuar deri tani kundër shpërblimit që pa të drejtë iu dha Ivo Andriqit, sot do të ishim para një situate tjetër shumë më të volitshme.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK