Zërat
Musa Limani
Musa
Limani

Efektet e taksës 100,0% pas një viti

Zërat November 26, 2019 - 10:11
Efektet politike të taksës kanë të bëjnë me atë se iu tregua Serbisë se Kosova është shtet dhe nuk ndihet inferiore aspak ndaj saj dhe për çështje madhore e me interes të saj merr vendime të pavarura. Nga ky aspekt taksa pati efekte shumë pozitive. Efektet ekonomike po ashtu ishin të mëdha. Së pari, Serbisë ia humbi tregun e Kosovës, ku ajo eksportonte mallra diku mbi 440 milionë euro në vit, tani pas një viti kjo vlerë sillet 3-4 milionë euro

Me rastin e njëvjetorit të zbatimit të taksës 100,0% për produktet që kanë prejardhje gjeografike nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina në mjetet e informimit, të shkruara dhe elektronike, lexojmë e dëgjojmë mendime e vlerësime të ndryshme rreth efekteve të kësaj mase ekonomike të ndërmarrë nga Qeveria e Ramush Haradinajt, tani në largim (detyrë). Mendimet e individëve e të institucioneve brenda Kosovës janë më të ndryshme. Disa thonë se taksa kishte efekte pozitive, disa të tjerë mendojnë se efektet e saj ishin negative, si nga aspekti ekonomik, ashtu dhe politik për Kosovën.

Unë me këtë rast do të prezantoj opinionin tim si ekonomist lidhur me efektet e kësaj mase ekonomike të zbatuar ndaj mallrave të Serbisë e të Bosnjë e Hercegovinës. Në të gjitha vendet e botës transaksionet ekonomike të një vendi me vendet e tjera të botës varen nga marrëdhëniet politike që ai ka me vendet e tjera. Kjo normalisht vlen edhe për Kosovën. Kosova pas çlirimit në kuadër të sistemit ekonomik zbaton ekonominë e tregut, sipas së cilës shteti nuk duhet të përzihet në rrjedhat ekonomike. Ekonomia e tregut në vete nënkupton veprimin e lirë të ligjeve ekonomike, por jo sipas doktrinës “laisser-faire” në mënyrë stihike. Edhe ekonomia e tregut ka rregullat e lojës. Shteti me masa dhe me instrumente të tregtisë së jashtme e të politikës fiskale duhet të intervenojë në proceset e transaksioneve ekonomike, me qëllim të mbrojtjes dhe krijimit të kushteve më të volitshme të zhvillimit të bizneseve, përkatësisht të ekonomisë së Kosovës. Kjo aq më parë kur dihet se Kosova ka nivel të ulët të zhvillimit ekonomik. Andaj që nga fillimi i pavarësisë Kosova është dashur të zbatojë sistemin proteksionist në tregtinë e jashtme. Sistemi proteksionist në tregti të jashtme nuk pengon veprimin e ekonomisë së tregut, sepse me këtë rast shteti paraqitet si rregullator e jo si kontrollor.

Siç dihet, taksa është imponuar nga veprimet armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës. Është praktikë e të gjitha vendeve, sidomos e atyre të zhvilluara, që për sjellje jo të mira politike ose ekonomike e ndëshkojnë vendin përkatës me masa ekonomike. Kështu veproi edhe Kosova, duke vënë taksën 100,0% ndaj mallrave të Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës për të ndëshkuar qëndrimin dhe veprimin armiqësor të Serbisë, duke përfshirë edhe Bosnjë e Hercegovinën, ndaj Kosovës. Reagimi i Serbisë ishte i përnjëhershëm dhe ndërpreu procesin e negociatave, duke kushtëzuar fillimin e tyre me heqjen e taksës. Në kontekst të kësaj duhet të potencohet se taksa nuk ka të bëjë aspak me negociata, por Serbia e mori si shkas për t’i ndërprerë bisedat, sepse asaj i përgjigjej çdo prolongim për të pranuar Kosovën.

Presioni për heqjen e taksës, në adresë të gabuar

Në fillim strukturat politike dhe shtetërore të Kosovës u pajtuan për zbatimin e masës 100,0%, bile bënin gara se kush e inicio i pari. Më vonë, me reagimin e Serbisë dhe të faktorit ndërkombëtar, të gjithë u tërhoqën, pos kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili pati deklaruar se “taksa nuk do të hiqet derisa Serbia nuk e pranon Kosovën”. Presioni ishte i madh, sidomos nga miqtë tanë, si SHBA-ja, Gjermania etj., për ta hequr taksën, për të mundësuar vazhdimin e negociatave me Serbinë. Edhe më tej kryeministri Haradinaj nuk lëshoi pe dhe ishte këmbëngulës që taksa të mbetet në fuqi edhe më tej. Për këtë qëndrim z. Haradinajt ia zunë për të madhe, si faktori i brendshëm, ashtu edhe ai i jashtëm. Ky qëndrim i Haradinajt nuk përkon me kokëfortësinë e tij, por me këtë rast ai tregoi se është burrë shteti dhe se Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe vendos në mënyrë të pavarur si për çështje ekonomike, ashtu edhe politike.

Presioni ndaj Kosovës për heqjen ose për pezullimin e taksës si nga faktori i brendshëm, ashtu dhe nga faktori i jashtëm, duke përfshirë edhe miqtë tanë, ishte në adresë të gabuar. Taksa paraqet masë ekonomike e assesi nuk duhet të kushtëzohet me negociata. Këso masash marrin edhe SHBA-ja dhe vendet e tjera për të ndëshkuar vendet të cilat nuk e përfillin politikën e tyre, siç është rasti me marrjen e masave ekonomike të SHBA-së ndaj Kinës, Turqisë etj. Lidhur me këtë unë do të shtroja një pyetje inverse. Pse faktori ndërkombëtar nuk bëri presion asnjëherë ndaj Serbisë, e cila ishte nxitëse e luftërave të fundit në Ballkan, bëri masakra në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë, në Kosovë e madje në preambulën e Kushtetutës së saj e ka “Kosova dhe Metohija është krahinë e Serbisë”, lobon anembanë botës për të penguar anëtarësimin e Kosovës në institucione botërore, për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, bile duke mitosur vendet e Afrikës e të Azisë, nëpërmjet Listës Serbe përdhos kushtetutshmërinë, sovranitetin dhe territorin e Kosovës etj. etj.? Tani vetvetiu shtrohet pyetja. Cila masë është në kundërshtim me postulatet demokratike dhe fillimin e negociatave, masa 100,0% apo veprimet armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës? Serbia fitoi liberalizimin e vizave, që as përafërsisht nuk i kishte plotësuar kushtet, kurse Kosova, e cila i ka plotësuar të gjitha kushtet, nuk ka ende liberalizim të vizave. Vallë a mos edhe faktori ndërkombëtar, veçmas Bashkimi Evropian, po sillet si nënë ndaj Serbisë e si njerkë ndaj Kosovës?! Andaj, nëse taksa qenka pengesë për vazhdimin e dialogut, pse nuk qenka pengesë sjellja dhe veprimi armiqësor i Serbisë ndaj Kosovës?! Prandaj, nëse duhet kërkuar ndërprerjen e dialogut, ajo duhet të jetë Kosova e jo Serbia.

Efektet politike dhe ato ekonomike të taksës qind për qind

Zbatimi i taksës 100,0% pati efekte të shumta, por për t’i veçuar janë: efektet politike dhe efektet ekonomike. Efektet politike kanë të bëjnë me atë se iu tregua Serbisë se Kosova është shtet dhe nuk ndihet inferiore aspak ndaj saj dhe për çështje madhore e me interes të saj merr vendime të pavarura. Nga ky aspekt taksa pati efekte shumë pozitive. Efektet ekonomike po ashtu ishin të mëdha. Së pari, Serbisë ia humbi tregun e Kosovës, ku ajo eksportonte mallra diku mbi 440 milionë euro në vit, tani pas një viti kjo vlerë sillet 3-4 milionë euro. Së dyti, shumë ndërmarrje në Serbi dhe në Bosnjë e Hercegovinë, që plasonin mallrat e tyre në tregun e Kosovës, zvogëluan prodhimin, numrin e të punësuarve, disa edhe kanë falimentuar. Së treti, erdhi deri te rritja e konsumit të prodhimeve vendore dhe u ngrit vetëdija e konsumatorit që në rend të parë duhet të konsumojnë prodhime vendore. Së katërti, u rrit eksporti vendor, prodhimi dhe numri i të punësuarve, ndërkohë që taksa nuk ndikoi në të hyrat buxhetore, edhe pse dihet se 70,0% e tyre në Kosovë krijohen në kufij. Së pesti, konsumatori tani me vetëdije bojkoton mallrat e Serbisë edhe nëse ndonjë prej tyre gjendet nëpër marketet tona. Ndërkaq, kemi zëra që thonë se taksa ishte negative, duke potencuar se me këtë rast erdhi deri te mungesa e disa produkteve, u ngritën çmimet etj. Në fillim kishte disa probleme, sidomos për ndërmarrjet që importonin lëndë të parë nga Serbia. Mirëpo, falë riorganizimit të subjekteve ekonomike, ato shumë shpejt u riorientuan dhe gjeten tregje të reja, duke përfshirë vendet fqinje, BE-në dhe vendet e tjera të botës. Bile në këto tregje kishte mallra që ishin edhe më të lira se që ishin mallrat nga Serbia. Është e vërtetë se kishte një rritje të vogël të çmimeve, por ajo nuk ishte për shkak të taksës, por ishte efekt i mallrave të importuara.

“Mini-Shengeni”, tentative serbe për ta kompensuar humbjen e tregut të Kosovës

Serbia, siç di ajo të alarmojë faktorin ndërkombëtar, pas marrjes së taksës 100,0% organizoi nëpërmjet Listës Serbe të paraqesë gjendjen kaotike në veri të Kosovës, duke i zbrazur raftet me mallra, duke alarmuar mungesën e barnave, si dhe luftën për ekzistencë të serbëve në veri të Kosovës. Mirëpo kjo nuk i shkrepi, sepse ishte vetëm një gënjeshtër e kulluar, që e kuptoi edhe faktori ndërkombëtar se nuk ka të bëjë me realitetin. Aktualisht për të kompensuar humbjen e tregut të Kosovës Serbia inicioi formimin e “Mini-Schengenit”, duke e përjashtuar Kosovën e duke u përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë etj. Ndaj kësaj nisme të Serbisë pati reagime institucionale nga Kosova dhe Shqipëria, me ç’rast kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me pjesëmarrjen e tij në Samitin e Ohrit dhe me fotografinë e hartës, ku Kosova ishte përfshirë si pjesë përbërëse e Serbisë, bile as si krahinë jo, u kritikua dhe u cilësua si tradhtar i kombit. Për këtë gjest antikombëtar Rama mori shuplakë fytyrës nga të gjithë shqiptarët kudo që janë.

Parimi i reciprocitetit është kryesisht masë politike e më pak ekonomike

Pas zgjedhjeve të 6 tetorit liderët e partive që fituan zgjedhjet rreth taksës po deklarohen se ajo duhet të zëvendësohet me reciprocitet. Duke dëgjuar analistët dhe arsyet nga përfaqësuesit e këtyre partive fitohet përshtypja se nuk e bëjnë dallimin ndërmjet taksës si masë kryesore ekonomike dhe reciprocitetit si masë kryesisht politike. Unë personalisht jam ithtar i reciprocitetit dhe kam propozuar se me rastin e fillimit të negociatave duhet të kërkohet edhe parimi i reciprocitetit. Për fat të keq deri në vitet e fundit, gjatë negociatave, asnjë herë nuk u shtrua problemi i shqiptarëve në Luginën e Preshevës ose më mirë të them në Kosovën Lindore. Taksa ekonomike dhe parimi i reciprocitetit në përmbajtje dallohen ndërmjet vete. Taksa, siç kemi potencuar më sipër, është kryesisht masë ekonomike e më pak politike, me të cilën tentohet të ndëshkohet veprimi armiqësor i Serbisë ndaj Kosovës. Ndërkaq parimi i reciprocitetit është kryesisht masë politike e më pak ekonomike. Me parimin e reciprocitetit duhet kuptuar se atë që Kosova ia jep Serbisë në të gjitha fushat duhet të kërkojë që të njëjtën gjë në mënyrë reciproke ta bëjë edhe Serbia ndaj Kosovës. Parimi i reciprocitetit ka karakter dhe efekte multiplikative, që prek të gjitha fushat jetësore. Nga aspekti ekonomik parimi i reciprocitetit në vete nënkupton që çdo lehtësim në tregtinë e jashtme, të cilin ia bën një vend vendit tjetër, kërkohet t’i njihet me lehtësim përkatës. Ndërkaq nga aspekti politik parimi i reciprocitetit nënkupton që çdo e drejtë që i jepet në cilëndo fushë shtetit tjetër kërkon që të njëjtën gjë ta bëjë edhe vendi përkatës. Me këtë rast po e marr vetëm një shembull. P.sh. të drejtat që i jepen minoritetit serb në Kosovë Kosova duhet të kërkojë që të njëjtat t’i jepen edhe minoritetit shqiptar që jeton në Serbi. Shqiptarët në Serbi për nga numri janë më shumë se serbet në Kosovë, por nuk i gëzojnë as të drejtat më elementare kombëtare, kurse serbët në Kosovë i gëzojnë të gjitha të drejtët kombëtare, bile do të thosha se janë në pozitë edhe më të volitshme se vetë serbët në Serbi. Kosova serbëve në Kosovë ua lejon përdorimin e flamurit kombëtar, arsimin sipas planprogrameve të Serbisë, të drejtat fetare e njerëzore, kurse Serbia nuk lejon që shqiptarët në këto tri komuna në Serbi të mësojnë sipas programeve mësimore të Kosovës, bile as tekstet nga Kosova, përdorimin e flamurit kombëtar, punësimin sipas proporcionalitetit të strukturës nacionale, bën presion shtetëror për shpërnguljen nga vatrat e tyre etnike etj. Andaj të gjitha të drejtat që gëzon minoriteti serb në Kosovë, Kosova të njëjtat gjëra në mënyrë reciproke duhet t’i kërkojë nga Serbia në të gjitha fushat, si në ato politike, ashtu edhe në ato ekonomike. Nga kjo që u tha më sipër nuk është vështirë të konstatohet se si taksa ekonomike 100,0%, ashtu dhe parimi i reciprocitetit duhet të mbesin dhe të paraqesin platformë për negociatat e mëtejme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë si ekonomist fuqishëm mbështes qëndrimin e kryeministrit Haradinaj, tani në detyrë,që taksa të mbetet në fuqi, si dhe të gjithë ata që mendojnë se taksa duhet të mbetet edhe më tej dhe nuk duhet të kushtëzohet me vazhdimin e negociatave. Negociatat duhet të vazhdojnë pa kurrfarë kushtëzimesh nga asnjëra palë. Andaj, duke përmbyllur këtë vështrim timin rreth taksës dhe reciprocitetit, i sugjeroj kryeministrit të ardhshëm, kushdo që të jetë ai, të mos pranojë kushte nga Serbia rreth negociatave, si dhe të mbesin në fuqi taksa dhe parimi i reciprocitetit si platformë, si dy masa madhore me interes jetik për Kosovën e deri te pranimi i Kosovës nga ana e Serbisë. Këto dy masa e plotësojnë njëra-tjetrën dhe si të tilla të zbatuara së bashku do të japin efekte pozitive në vazhdimin e negociatave të mëtejme Kosovë - Serbi.