Zërat
Mehmet Gjata
Mehmet
Gjata

'Kosova e Re', katandisje e re financiare

Zërat November 25, 2019 - 09:47

Numër i madh i miqve të Kosovës e njohës të lëmit të energjetikës kanë kërkuar nga vendimmarrësit kosovarë të tregohen të matur para se të vendosin për “Kosovën e Re”. Por të gjitha këto kërkesa kanë hasur në vesh të shurdhër te ministri në largim, Valdrin Lluka, dhe te kryeministri në ikje Ramush Haradinaj. Ndaj qeveria e re, qysh në ditën e parë të punës, duhet ta bëjë një sqarim para qytetarëve, të tregojë se a është më e leverdishme për Kosovën e varfër ta ndërpresë këtë projekt apo ta ndërtojë “Kosovën e Re” dhe ta katandisë financiarisht për 20 vjet rresht këtë vend - edhe ashtu të katandisur nga varfëria?

Qëkur ka zënë fill ideja për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, numër i madh i miqve të Kosovës, njohës të lëmit të energjetikës dhe përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare kanë kërkuar nga Kosova dhe nga vendimmarrësit kosovarë të tregohen të mençur, të urtë, racionalë dhe të matur para se të vendoset për këtë projekt. Me një fjalë, të gjithë mirëdashësit e Kosovës na kanë sugjeruar, por edhe shumë prej tyre na e kanë thënë troç: Kini kujdes, mendoni mirë dhe analizojeni deri në detaje projektin, pastaj tenderin, pastaj punëkryesin e pastaj mbikëqyrësin e punëve rreth ndërtimit të këtij termocentrali. Së fundi, këto ditë edhe zëvendësdrejtori i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, gjatë vizitës që ia bëri Kosovës në shënim të 20-vjetorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, kërkoi nga institucionet të jenë të matura. “Institucionet duhet të jenë të matura, të kujdesshme që ta trajtojnë e ta shqyrtojnë projektin për të siguruar që të ketë nevojë financimi në nivel të kënaqshëm, por gjithsesi edhe t’i mbulojë kërkesat e ekonomisë lokale”, tha ai.

Shumë zëra kundër “Kosovës së Re”

Edhe brenda Kosovës nuk munguan zërat që kërkuan syçeltësi, kujdes dhe vëmendje në përzgjedhjen e ndërtuesit dhe të kushteve të financimit, të cilat së paku do të ishin të përballueshme për Kosovën e varfër.

E ngriti zërin sidomos shoqëria civile, thuaja pa përjashtim, e cila madje doli haptazi në taborin e përcaktuar dhe të vendosur kundër ndërtimit të këtij termocentrali në kushtet dhe në rrethanat financiare, që përqafoi dhe miratoi Qeveria e Kosovës, tashmë në dorëheqje.

Siç dihet, nëpërmjet sa e sa letrave publike, grupi i organizatave i shoqërisë civile (“Balkan Green Foundation”, Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Instituti për Politika Zhvillimore), ka kërkuar të rishikohet ndërtimi i këtij projekti, madje të ndërpritet fare ndërtimi i tij, duke ia bërë një numër të madh vërejtjesh kontratës aktuale me operatorin privat “Contour Global”, për shkak të favoreve që i bëhen këtij operatori në dëm të kosovarëve.

Sipas vlerësimeve dhe studimeve të shoqërisë civile, projekti “Kosova e Re” do të jetë barrë e rëndë mbi supet e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës. Kontrata, në të cilën një operatori privat (Contour Global) i garantohet fitimi dhe i eliminohen rreziqet, i mbulohen të gjitha kostot fillestare dhe i garantohet blerja e produktit pa rezervë për 20 vjet rresht përbën asgjë më shumë sesa vënie e potencialit dhe e kapitalit publik në funksion të fitimit të një kompanie private. Kontrata, rrjedhimisht, shkel Kushtetutën dhe legjislacionin që mbron konkurrencën e lirë dhe barazinë në treg dhe si e tillë duhet anuluar. Kjo është kërkesë imperative e shoqërisë civile!

Projekti “Kosova e Re”, jotransparent dhe me shumë shkelje ligjore

Sipas vlerësimeve të shoqërisë civile, i gjithë procesi për zhvillimin e këtij projekti është shoqëruar me jotransparencë, me shkelje ligjore dhe me ndryshime të kushteve tenderuese në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik dhe në kundërshtim me vendimin e Kuvendit të Kosovës Nr.03-V-272, të 1 prillit 2010 për Aprovimin e Strategjisë së Energjisë 2009 - 2018.

Për më tepër, në tetor të 2018-s Banka Botërore ka tërhequr mbështetjen për ndërtimin e termocentralit të ri me arsyetimin se termocentrali me qymyr “Kosova e Re” nuk mund të garojë me çmimin e energjisë së ripërtërishme.

“Contour Global”-i ka vetëm 30% të vlerës së ndërtimit, të shumës së përgjithshme prej 1.3 miliard eurosh, ndërsa 70% do t’i sigurojë me kredi. Në qoftë se jetësohet ky projekt, me termet e nënshkruara nga qeveria në ikje, Kosova përveçqë do t’ia sigurojë kompanisë thëngjillin dhe ujin, do t’ia sigurojë një çmim 10 euro për një hektar tokë. Ndërsa kur të përfundojë ndërtimi i termocentralit shteti i Kosovës detyrohet ta blejë energjinë elektrike të prodhuar nga “Contour Global” me 80 euro për Mw. Për ta bërë këtë Kosova tanimë ka themeluar kompaninë publike “New Kosovo Electric Company” (NKEC), e cila do ta blejë tërë energjinë e termocentralit “Kosova e Re” dhe do t’ia shesë KEDS-it, kompanisë private turke, e cila shpërndan energjinë elektrike te qytetarët e Kosovës.

Kosova dhe qytetarët e saj do të duhej të paguajnë 185 milionë euro në vit ose 3.7 miliardë euro për 20 vjet për këtë projekt. Paratë për subvencionim do të vijnë nga buxheti i Kosovës dhe tarifat e ngritura për energji elektrike në mënyrë që kompania e re publike NKEC-i të respektojë kontratën për 20 vjet. Subvencionimi prej 3.7 miliardë eurosh për 20 vjet nga buxheti i Kosovës do të thotë më pak investime në infrastrukturë, siguri, arsim e shëndetësi, kishte konkluduar shoqëria civile.

Për shkak të këtyre pasojave, kjo shoqëri civile, por edhe shumë ekspertë kosovarë të energjetikës gjatë fushatës zgjedhore patën kërkuar me ngulm nga partitë politike që t’i bëjnë të njohura qëndrimet e tyre lidhur me kontratën për termocentralin “Kosova e Re”, e cila po konsiderohet si barrë e rëndë mbi supet e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.

Si do ta tronditë “Kosova e Re” Kosovën e varfër?

Megjithatë të gjitha këto kërkesa kanë rënë në vesh të shurdhër. Vendimmarrësit, e sidomos ministri në largim Valdrin Lluka dhe kryeministri në ikje Ramush Haradinaj, të ekzaltuar fare, ka muaj të tërë që promovojnë këtë projekt dhe e shpallin fitore ndërtimin e tij, paçka se kosovarët do të ngarkohen për 20 vjet me anuitete vjetore afro 200 milionë euro dhe me ngritje enorme të çmimit të energjisë elektrike.

Thënë shkurt e shqip, i bie që shumë më shtrenjtë kosovarët do ta paguajnë kilovat-orën e shpenzuar nga “Kosova e Re” po që se ndërtohet sesa një kilovat orë të importuar nga cilido distributor ekzistues në rajon dhe në Evropë.

Pse nuk këndellen vendimmarrësit tanë? Pse e paraqesin veten kaq të padijshëm edhe në sytë e të huajve? Ata e kanë të njohur që nga paslufta faktin për nevojën e një projekti të ri për prodhimin e energjisë elektrike. Sikundërqë e kanë të njohur fare mirë se sa oferta të favorshme i kanë pasur në duart e tyre ministrat kompetentë kosovarë, ndër to edhe nga kompani të njohura gjermane, të cilat pa ngurrim dhe pa arsyetim i refuzuan deri më tash. Sikurse e refuzuan idenë se këtë kapacitet energjetik ta ndërtojmë vetë. Kosova që nga çlirimi ka pasur potencën financiare për ta ndërtuar vetë një termocentral deri në 500 megavate, por këto mundësi i orientoi në autoudhë të nevojshme dhe të panevojshme. Kosova edhe më tutje mund ta ndërtojë termocentralin vetë, por e kuptueshme, me çmimet standarde të investimeve për një megavat-orë energji elektrike e jo dy-trefishin e çmimeve të aplikueshme kudo në botë.

Në fund fare, kryeneçësia e Llukës dhe e bashkëmendimtarëve të tij për ta fundosur përfundimisht financiarisht Kosovën për dy decenie duhet të shpjegohet nga dikush. Së paku duhet sa më parë të bëhet transparent qëndrimi i dy subjekteve që do ta krijojnë qeverinë e ardhshme. Qeveria “Kurti”, që ditën e parë të punës duhet t’ua sqarojë dhe t’u shpjegojë kosovarëve se a është më e leverdishme për Kosovën e varfër ta ndërpresë këtë projekt edhe me çmimin e rreth 20 milionë euro pagesa ndëshkuese, apo ta ndërtojë “Kosovën e Re” dhe ta katandisë financiarisht për 20 vjet rresht këtë vend, edhe ashtu të katandisur nga varfëria?

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK