Zërat
Zija Lleshi
Zija
Lleshi

'Kompromisi' i Vuçiqit - hegjemoni e pastër

Zërat November 23, 2019 - 08:22
Detajet

Vuçiqi ëndërron të bëhet hisenik, të licitojë, të bëjë pazar me bashkëfolësin për pronën e bashkëfolësit (këtu Kosovës), që është sjellje dhe logjikë karakteristike mafioze. Kosova nuk shitet e as nuk licitohet. “Kompromisi” i Vuçiqit në fakt është edhe shantazh i Albinit dhe i ekipit dialogues si çmim dhe kompensim për njohje të pavarësisë së Kosovës

Kompromisi si term aludon në diçka paqësore deri në ekstrem dhe shumë miqësore, përkëdhelëse e të dashur, zbukuruese, sjellje e ëmbël. .... Duke qenë i tillë, ky term është njëherësh edhe shumë i lakmueshëm për mashtruesit dhe keqpërdoruesit, të cilët e lakmojnë ta “huazojnë” për manipulim, për të fshehur me dinakëri e për të maskuar prapa tij ligështitë e veprimeve ose të ideve të tyre. Kështu presidenti Vuçiq me thirrje patetike për kompromis dëshiron të prezantohet me identitet të rrejshëm si i pasherr, si paqësor, i pranueshëm para opinionit, demokrat i dashur e me sjellje të bukur e të ëmbël, si “Medeni Vuëiq”, (“Vuçiqi i mjaltë”), larg nga ai Vuçiqi i vërtetë, dikur ultranacionalist dhe ministër i Informatave në qeverinë kriminale të Millosheviqit, trashëgimtar dhe i biri politik i tij (Vuëiqi: “Millosheviqi ka pasur qëllime të mira...”).

“Kompromisi” i Vuëiqit do të thotë, shkurt e qartë, licitacion

Por çfarë është në fakt “kompromisi” i Vuëiqit, të cilin ai e ofron si zgjidhje në dialogun në mes të Kosovës dhe të Serbisë? “Kompromisi” i Vuçiqit do të thotë, shkurt e qartë, licitacion. Vuçiqi ëndërron të bëhet hisenik, të licitojë e të bëjë pazar me bashkëfolësin, për pronën e bashkëfolësit (këtu Kosovës), që është sjellje dhe logjikë karakteristike mafioze. Kosova nuk shitet e as nuk licitohet. “Kompromisi” i Vuçiqit në fakt është edhe shantazh i Albinit dhe i ekipit dialogues si çmim dhe kompensim për njohje të pavarësisë së Kosovës. Por për Albin Kurtin pavarësia e Kosovës është punë e kryer. Aq më parë që kjo punë e kryer është madje edhe konform e në harmoni edhe me vlerësimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë (GJND). Siç dihet, te Albini nuk pinë ujë shantazhe e as blamazhe, as licitim e as pazare e tregtim.

Vuëiqi mburret se paska zbuluar “ujin e nxehtë”, zgjidhjen, e emëruar dhe e patentuar nga ai si “Kompromisno reshenje”, edhe pse kjo nuk paraqet as kompromis e as zgjidhje, por është një paketim i ri i hegjemonisë, i kamufluar, i zbukuruar, i dizajnuar dhe i stilizuar semantikisht dhe artistikisht nëpërmjet atij emërtimi. Këtë Vuëiqi pretendon ta parashtrojë në dialogim në mes të Kosovës dhe Serbisë. Nuk përfill se zgjidhja, ajo realja dhe objektivja, ka ekzistuar edhe më parë; madje çuditërisht zgjidhja e problemit ka ekzistuar edhe shumë më herët sesa të lindë vetë problemi: Ligji Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, të cilat janë parimet themelore të EU-së dhe të cilat i ka respektuar GJND-ja. Këtë ligj duhet patjetër ta respektojë edhe Vuëiqi me përpikëri.

Përqendrimi në ndarjen e “kompromisuar” të territorit të Kosovës

Vuëiqi “kompromisin” e tij e përqendron ekskluzivisht në aspektin territorial, që e konsideron prioritet të të gjitha prioriteteve, në ndarjen e “kompromisuar” të territorit të Kosovës ose të pjesës së saj, ku secila palë do të merrte, siç thotë ai, nga një “pjesë të mjaftueshme”. Sasinë e “pjesës së mjaftueshme” Vuçiqi as që e përcakton në vlerë absolute, madje as në vlerë relative, si përqindje, por e lë ashtu të mjegulluar, si “vlerë lëvizëse”, varësisht nga pazari i imagjinuar i tij dhe nga fuqia e tij për të shkëputur mundësisht pjesë sa më të madhe territoriale nga ky “kompromis”. Këtu është njëherësh edhe fundi i sekretit të mashtrimit dhe spekulimit të skenarit të Vuçiqit nën nocionin “kompromis”. Vuçiqi me këtë skenar përpiqet ta zbresë çështjen fillimisht në nivelin zero, ruinimin kostruksional dhe konstitucional të shtetësisë së Kosovës, prej nga le të fillohet një start i ri, ai hegjemonist dhe kolonialist vuçiqian.

Ngjarjet e zhvilluara deri tani dëshmojnë se, edhe pse Vuçiqi thërret për dialogim, ai sinqerisht nuk përpiqet të dialogojë, por si patron të monologojë – të monologojë monologun e edicionit të ish-shefit të vetë Millosheviq për Kosovën, të cilën ai e quan “Kosovo i Metohja”. Vuëiqi Kosovën, ndërkombëtarisht të njohur me po të njëjtin emër si Kosovë, me tendencë e quan “Kosovo i Metohija”, si dypjesëshe, duke imagjinuar se edhe mund të copëtohet, edhe pse ky termin është një absurd gjeografik dhe politik, sepse Metohija është brenda në Kosovë dhe është analog sikur të thuhet “Srbija i Rashka” (kurse Rashka brenda në Serbi), ose të thuhet “Srbija i Srem” (kurse Sremi brenda në Serbi), ose të thuhet “Shtëpia dhe Kuzhina” (kurse kuzhina brenda në shtëpi), me synim evident ta marrë kuzhinën dhe ta lërë shtëpinë pa kuzhinë. Vuçiqi nuk kursen të përdorë edhe trillime, edhe gënjeshtra, sigurisht i frymëzuar nga ish-presidenti D,ëosië: “Lazh je drzhavni interes Srbije”, roman “Deoba” (“Gënjeshtra është interesi shtetëror serb”), gjithnjë me qëllim final vetëm e vetëm të ketë përfitim territorial.

Edhe në Afrikë popujt autoktonë gjithmonë kanë qenë të rrezikuar nga kolonizatorët, qofshin ata fqinjët e parë, të dytë ose të pesëdhjetë...Vendasit terrorizoheshin, vriteshin, zhdukeshin po qe se mbronin resurset xeherore dhe pasuritë e tyre natyrore nga eksploatimi i të huajve kolonialistë. Njësoj është vepruar edhe me Kosovën nga ana e Serbisë. Në periudhën e mëhershme dhe atë sllavokomuniste shtypeshin me gjak e me terror demonstratat kundër eksploatimit kolonialist të Kosovës nga Serbia, ku parulla kryesore ishte “Trepca radi, Serbija se gradi” (“Trepça” punon, Serbia ndërton).

Përpjekjet e Vuçiqit për ta kontaminuar filozofinë politike të BE-së

Gjermania dhe kancelarja, znj. Merkel, ndiejnë se mbajnë përgjegjësi, prandaj janë sot shumë të vëmendshëm në kontakte me Vuçiqin, sepse Serbia është treguar e pabesë dhe i ka keqpërdorur vendimet e Kongresit të Berlinit (1878) dhe së pari ka filluar hegjemoninë dhe okupimin e tokave të shqiptarëve autoktonë me vrasje, gjak e terror të pa parë, prej Nishit e në jug deri te kufiri i tanishëm me Kosovën, kurse më vonë ka filluar të kolonizojë këto toka, siç shkruan historiografia shqiptare, por edhe ajo serbe (“Kolonizacija Juëne Srbije” - Gjorgje Kërstiq, kryetar i Gjykatës Supreme të Serbisë, 1928, “Kolonizimi i Serbisë së jugut”).

Sot presidenti Vuçiq përpiqet të vazhdojë hegjemoninë më tutje, në këtë anën tjetër të kufirit. Kuptohet thjesht nga kjo se Vuçiqit definitivisht i është ndalur ora e historisë që në kohën e Kongresit të Berlinit. Apetitet, euforia dhe nostalgjia për atë kohë e ka kapluar të tërin dhe jeton në këtë anakronizëm. Nëse nuk sinkronizohet me kohën moderne dhe me ritmin e tiktakun e EU-së do t’i shkaktojë fatkeqësi tejet të madhe në radhë të parë popullit të vet dhe mandej edhe tërë Ballkanit.

Vuçiqi takon herë znj. Merkel, herë presidentin e Francës, z. Macron, e herë ndonjë lider tjetër, lutet dhe teatron që të mëshirojnë dhe të japin mbështetje, privilegje dhe favore të natyrës së raporteve kolonialiste tani kur edhe vetë superfuqitë kanë hequr dorë nga ato e kështu të kontaminojë parimet themelore të filozofisë politike të EU-së.

Toka, nëntoka, pasuritë ujore e çdo gjë tjetër në Kosovë, të lakmueshme nga çdo kolonizator, historikisht dhe juridikisht i takojnë autoktonisë së shenjtë, u takojnë shqiptarëve autoktonë, popullit shqiptar, që bashkë me paraardhësit e vet jetojnë gati tremijë vjet në këto treva, kur Serbët ishin akoma përtej Karpateve e nga të cilat resurse do të kenë dobi të barabartë edhe të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie e pa dallim religjioni, pra edhe pakica etnike serbe, gjë që u është e garantuar të gjithëve me Kushtetutën e Kosovës. Këto resurse janë të pandashme, as me shokë e as me të panjohur, as me miq e as me fqinj, as me engjëj e as me djallin.

Serbia nuk kërcënohet dhe nuk rrezikohet nga fqinjët e vet, miqtë hipotetikë të së nesërmes, të cilët i kërcënon herë me Kinën e herë me Rusinë, si dhe me armatimin modern që e blen nga ajo. Pra është Serbia ajo që ambicie e ka supremacionin ushtarak në rajon dhe që kërcënon me armatim me qëllim përfitimesh. Vuçiqi më tutje nga frika e demokratizimit në Serbi mendon që me atë armatim të frikësojë edhe popullin e vet (“Ujku do mjegull”) dhe të luftojë demokracinë brenda, që nga jugu (Sanxhaku) deri në veri (Vojvodina), duke injoruar dhe duke mohuar paradoksin e artë se “arma më e suksesshme kundër demokracisë është arma: akoma më shumë demokraci!”. Çdo armë tjetër çon domosdoshmërisht deri te gjakderdhjet e shumta e të tmerrshme.

Vuëiqi përpiqet ta kolonizojë dhe ta rikolonizojë Kosovën

Sido që të jetë, rreziku është tepër real, sepse duhet të kihet po ashtu parasysh se historiografia e ka identifikuar dhe e ka regjistruar Serbinë si luftëndezëse në Ballkan. Së pari si luftëndezëse suksesive në rastin e Luftës së Parë Ballkanike (1912) dhe të Luftës së Parë Botërore (1914), si dhe mandej si luftëndezëse serike në luftërat ballanike të viteve 1990, kundër Sllovenisë, kundër Kroacisë, kundër Bosnjë e Hercegovinës dhe në fund edhe kundër Kosovës. Prandaj është rreziku potencial tepër i madh e frikë e madhe për rajonin nga aventura dhe riciklimi i luftërave. Shpëtoje, o Zot, rajonin nga frika dhe rreziku! Shpëtoji edhe serbët, miqtë tanë hipotetikisht dhe të dëshiruar të nesërm, dikur armiqtë tanë historikë më të mëdhenj, më të egër, më të tërbuar e më barbarë (Dr. Mijo Milas: “Gjenocidi i parë në Evropë është gjenocidi ndaj shqiptarëve nga Serbia në vitin 1912”; kuptohet gjenocidi i dytë është ai i viteve ’90). Çmenduria dhe patologjia ballkanike ende nuk është çrrënjosur, pavarësisht leksionit nga luftërat e fundit se në spiralen e luftës të gjithë, pa përjashtim, digjemi në zjarr dhe në tym e flakë, duke përfshirë në fund edhe vetë luftëndezësin si rezyme të leksionit.

Evropa e Bashkuar, EU, është menduar të jetë një tërësi politike homogjene demokratike, që nga jugu e deri në veri, që nga Ballkani e deri në Skandinavi, e cila është një shembull paradigmatik i demokracisë. Ndërkaq Vuçiqi përpiqet ta kolonizojë dhe ta rikolonizojë Kosovën duke i konsideruar pasuritë xeherore të saj si “Bela Afrika” (“Afrika e Bardhë”), kurse Ballkani për nga aspekti demokratik të afrikanizohet, madje në kohën kur edhe në Afrikë ka marrë hov dekolonizimi. Në fakt duhet të vlejë e kundërta. Ballkani për nga aspekti demokratik doemos duhet të skandinavizohet. Vetëm në këtë mënyrë Evropa politikisht homogjenizohet, uniformohet e balancohet që nga jugu deri në veri. Prandaj Vuçiqi duhet ta kuptojë se i nevojitet të sinkronizohet dhe të reformohet si partner në dialogim, një “politic switching” (ndërrim i pozicionit dhe drejtimit politik), shkëputje nga sëmundja trashëguese e mentalitetit hegjemonist dhe kolonialist, zmbrapsje nga politika agresive, heqje dorë nga logjika hegjemoniste dhe kolonialiste, një rirreshtim me të tjerët në EU në respektimin e vlerave demokratike, parimeve themelore të EU-së, si dhe ligjeve ndërkombëtare për të drejtat e liritë e njeriut. Kurse temë e dialogimit, tema dominante jetësore, më thelbësorja dhe realja, pritet dhe duhet të jetë reciprociteti i të drejtave të pakicave etnike në të dyja shtetet, që të rinjtë e të gjitha etnive të rriten dhe të zhvillohen në mirëqenie të një shoqërie demokratike, të jenë të arsimuar e të edukuar, të jetojnë të lumtur e në begati materiale, në paqe e në qetësi, si shokët e tyre në Evropën Perëndimore, të duhen në mes vete dhe të dashurohen.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK