Zërat
Enver Robelli
Enver
Robelli

Një akuzë absurde kundër Edi Ramës

Zërat November 20, 2019 - 13:09
Detajet

Edi Rama ka bërë jo pak gabime ndaj Kosovës, por akuza se me një hartë të kotë ka dashur t'u thotë shqiptarëve të Kosovës se janë pjesë e Serbisë - është e pabazë, e padrejtë, absurde. Nuk është në interesin e asnjë shqiptari që Kosova të bëhet pjesë e lojërave të ndyra politike në Shqipëri dhe kryeministri i Shqipërisë të portretohet me të njëjtat ngjyra siç portretohen politikanë serbë të tipit të Vuçiqit, Daçiqit etj. Akuzat paushalle dhe britmat «tradhtar, tradhtar» mund të kenë efekt argëtues dhe polarizues, jo më shumë.

Akuza se Edi Rama QËLLIMISHT e ka postuar një hartë të rajonit me Kosovën brenda Serbisë duket e fryrë dhe më shumë hamendje. Po thuhet se Rama këtë e paskësh bërë për t’i provokuar shqiptarët e Kosovës – duke aluduar se ende janë «pjesë e Serbisë». Kjo është jo më shumë se akuzë fluturuese. E pabazë. E padrejtë. Absurde. Sikur të zemërohej mileti ynë digjital aq egërsisht për disa harta të tjera, ku Kosova nuk ekziston fare, sikur të mllefosej për shumë shërbime në internet, ku Kosova nuk figuron fare, sikur të shtrëngonte grushtin ndaj atyre politikanëve që Kosovën nuk po arrijnë ta fusin as në Interpol – punët do të ishin më mirë.

Edi Rama ka bërë jo pak gabime ndaj Kosovës, por nuk është në interesin e asnjë shqiptari që Kosova të bëhet pjesë e lojërave të ndyra politike në Shqipëri dhe kryeministri i Shqipërisë të portretohet me të njëjtat ngjyra siç portretohen politikanë serbë të tipit të Vuçiqit, Daçiqit etj. Akuzat paushalle, britmat «tradhtar, tradhtar» mund të kenë efekt argëtues dhe polarizues, jo më shumë. Dhe dëmi, përkundër argëtimit, nuk do të jetë i vogël.

Pak histori: në vitin 1994 Sali Berisha i pati instrumentalizuar Ibrahim Rugovën dhe Adem Demaçin në fushatën e referendumit për ndryshimin e Kushtetutës së Shqipërisë. Berisha dëshironte të bëhej njëfarë autokrati me letra. Rugova e kuptoi sherrin dhe praktikisht i shkëputi raportet me Berishën. Më vonë edhe Demaçi, ndonëse ky lejoi që më 1996/97 të përdoret nga Berisha për të shtyrë popullin e Kosovës të mbështesë demonstratat e opozitës serbe kundër Sllobodan Millosheviqit.

Nuk ishin ato demonstrata për rrëzimin e Millosheviqit, por vetëm për korrigjimin e rezultateve të manipuluara të zgjedhjeve lokale. Çfarë pune kishte Kosova me to? Asnjë. Berishës i konvenonin demonstratat në Kosovë, sepse shpresonte se kështu do të neutralizohej tërbimi i shqiptarëve pas humbjes së parave në skemat piramidale. Rugova atëbotë e refuzoi ashpër këtë nismë të Berishës.

Kur shteti shqiptar nisi të shembej, kur padron i jugut të Shqipërisë u bë Zani Çaushi dhe çaushë të tjerë, kur vendi gjendej para luftës civile, kur njerëz të papërgjegjshëm i frynin konfliktit mes veriut dhe jugut, te një pjesë e opinionit në Shqipëri kishte një paragjykim – mendohej se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) si parti kryesore në Kosovë dhe me lidhje të hershme me Partinë Demokratike të Shqipërisë (PD) do të dilte në krah të Berishës. Jo, Rugova lëshoi vetëm një deklaratë largpamëse duke shprehur shqetësimin e thellë mbi shembjen e Shqipërisë dhe duke kërkuar gjakftohësi dhe përgjegjësi në një moment të rëndësishëm historik, kur në Kosovë situata ishte para shpërthimit.

Siç nuk pranoi Rugova të bëhet pjesë e lojërave politike në Tiranë, ashtu edhe protagonistë nga Kosova (qofshin këta nga bota politike apo mediale) nuk është mirë të bëhen palë ndërluftuese të njërës parti kundër tjetrës në Tiranë.

Për këtë shamatë lidhur me «hartën e Edi Ramës», kryeministri shqiptar nuk është krejtësisht i pafajshëm. Deklaratat e tij polarizuese lidhur me temën e ndryshimit të kufijve të Kosovës dhe retorika boshe patriotike e kanë dëmtuar rëndë imazhin e tij në Kosovë. Ka mundur të mësojë diçka nga sjellja e Rugovës ndaj Shqipërisë në vitet ’90. Do ta kishte më lehtë sot. Dhe do ta shikonte hartën dy herë para se ta postonte në rrjetet sociale.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK