Zërat
Enver Robelli
Enver
Robelli

Anketa e madhe: Çka mendojnë shqiptarët në Kosovë e Shqipëri për njëri-tjetrin? Sa e përkrahin bashkimin kombëtar?

Zërat November 14, 2019 - 16:22
Detajet

Në një anketë të një organizate ndërkombëtare, të cilën e ka siguruar dialogplus.ch, për herë të parë ofrohet një tablo më e qartë mbi raportet mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë.Detaje mbi bashkëpunimin, mundësitë e bashkëjetesës, konsumin medial, marrëdhëniet sociale, dëshirën për bashkim dhe gatishmërinë e qytetarëve për të paguar një tatim ekstra për bashkim.

Nga Enver ROBELLI

Nga të anketuarit: 88,7% e shqiptarëve të Kosovës e kanë vizituar Shqipërinë, ndërsa vetëm 31,6% e shtetasve të Shqipërisë e kanë vizituar Kosovën. – Vetëm 18% e të anketuarve të pakicës serbe në Kosovë e kanë vizituar Shqipërinë në dy vitet e fundit. – 85% e të anketuarve në Shqipëri thonë se ndihen të sigurt kur vizitojnë Kosovën.

60 për qind e qytetarëve të Kosovës thonë se ndihen të sigurt kur vizitojnë Shqipërinë. – Shumica e të anketuarve shqiptarë në Kosovë e Shqipëri thonë se nuk kanë problem të kenë marrëdhënie sociale me dikë nga Kosova apo Shqipëria (të banojnë në një fshat, qytet, lagje, të punojnë bashkë). – Në pyetjen se a kanë të anketuarit problem të martohen me dikë nga vendi tjetër (Shqipëria/Kosova) gjendja duket kështu: 75% e të anketuarve në Shqipëri thonë se nuk e kanë problem, ndërsa në Kosovë 56% japin një përgjigje pozitive. – 84% e shqiptarëve të Kosovës dhe 67% e qytetarëve të Shqipërisë nuk duan të kenë marrëdhënie sociale me serbët. – 85% e shqiptarëve në Shqipëri dhe 65% e shqiptarëve në Kosovë i përkrahin marrëdhëniet sociale me njerëz nga Europa Perëndimore dmth. të punojnë dhe bashkëjetojnë me perëndimorë.

– Në pyetjen mbi gatishmërinë për t’u martuar me dikë nga Europa Perëndimore, gjendja duket kështu: në Shqipëri 65,5% nuk e shohin këtë si problem, në Kosovë vetëm 19,5% janë të gatshëm për t’u martuar me dikë nga Perëndimi. – Në pyetjen mbi gatishmërinë për t’u martuar me dikë që ka fe tjetër, dallimi është i madh.

Në Shqipëri 79% thonë se nuk e shohin këtë fare si problem. Në Kosovë vetëm 13,5 për qind janë të gatshëm të martohen me dikë që ka fe tjetër. – Shqiptarët e Kosovës janë më mirë të informuar mbi liderët politikë të institucioneve më të rëndësishme të Shqipërisë dhe mbi datat historike në krahasim me qytetarët e Shqipërisë mbi të njëjtat informata mbi Kosovën. – Më shumë shqiptarë të Kosovës konsumojnë media të Shqipërisë se anasjelltas. – Sa i përket sundimit të ligjit qytetarët në të dy vendet besojnë se ligji zbatohet më mirë në Kosovë. – Sa i përket korrupsionit shumica e të anketuarve në Kosovë thonë se korrupsioni është më i lartë në Kosovë, por me këtë nuk pajtohet shumica e të anketuarve nga Shqipëria. – Shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë pajtohen se vendet si Gjermania, Italia, Franca, SHBA, Kroacia dhe Turqia janë të përzemërta ndaj të dy vendeve (Kosovës dhe Shqipërisë).

– Sipas të anketuarve: vendet më armiqësore ndaj Shqipërisë dhe Kosovës janë Serbia dhe Rusia. – Sa i përket Greqisë: shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri pajtohen se Greqia mban qëndrim më të përzemërt ndaj Kosovës dhe më agresiv ndaj Shqipërisë. – Shumica në të dy vendet mendon se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë sa duhet të zhvilluara. –

Shumica në të dy vendet kërkon unifikimin e librave shkollorë dhe planprogrameve. – Shumica kërkon heqjen e plotë të tarifave doganore. – 63% e të anketuarve në Shqipëri DËSHIROJNË bashkimin kombëtar. Në Kosovë: 54% duan bashkim me Shqipërinë. 16% e të anketuarve në Shqipëri dhe në Kosovë janë kundër bashkimit. Argumenti më i shpeshtë që përmendet nga kundërshtarët janë kulturat dhe traditat e ndryshme. Ata që nuk e duan bashkimin rrjedhin kryesisht nga zonat urbane në Kosovë dhe Shqipëri.

Shikuar në aspektin gjeografik shumica e atyre që janë kundër bashkimit banojnë në rajonin e Prishtinës dhe në Shqipërinë e mesme. – Në pyetjen nëse janë të gatshëm të paguajnë një tatim ekstra për të mundësuar bashkimin, gjërat ndryshojnë: vetëm 29% e të anketuarve në Shqipëri janë të gatshëm të paguajnë një tatim ekstra, në Kosovë 49% do të paguanin këtë tatim. – Po të kishin mundësi të vendosnin në referendum, 75% e shqiptarëve në Shqipëri dhe 64% e shqiptarëve të Kosovës do të përkrahnin bashkimin kombëtar. – Në pyetjen se SA I REALIZUESHËM është bashkimi kombëtar, situata ndryshon: vetëm 23% në Shqipëri dhe 17% e shqiptarëve në Kosovë besojnë se bashkimi është i mundshëm. – Debati i muajve të fundit për mundësinë e korrigjimit të kufijve nuk është pritur pozitivisht nga shqiptarët e Kosovës (70%), në Shqipëri (52%), nga serbët e Kosovës (80%). Shkëmbimi i territoreve – veriu i Kosovës për Luginën e Preshevës – është hedhur poshtë nga shumica e të anketuarve.

ARTIKUJ TË NGJASHËMMË SHUMË NGA AUTORI Analizë MBI GABIMET E EDI RAMËS DHE SULMET NGANJËHERË HISTERIKE KUNDËR TIJ NGA ÇARSHIA DIGJITALE E KOSOVËS Analizë DY SHEMBUJ

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK