Zërat
Musa Limani
Musa
Limani

Mini-Shengeni i Ballkanit, edhe më i rrezikshëm se korrigjimi i kufijve

Zërat November 14, 2019 - 08:28
Detajet

Ditë më parë u mbajt Samiti në Ohër në Maqedoninë Veriore, ku morën pjesë: kryeministri i vendit nikoqir Zoran Zaev, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Në këtë takim përfaqësuesit e këtyre tri vendeve kanë miratuar Deklaratën, me të cilën synojnë përforcimin e transaksioneve ekonomike, përkatësisht formimin e unionit ekonomik, ku do të përfshihet qarkullimi i lirë i mallrave, i kapitalit, i shërbimeve dhe i njerëzve, të quajtur “Mini-Schengeni Ballkanik”. Para së gjithash, nuk mund të quhet “Mini-Schengen Ballkanik” ku përfshihen vetëm tri shtete të kësaj pjese gjeografike evropiane.

Andaj, duke u bazuar në përmbajtjen dhe në prapaskenën e këtij dokumenti, shihet se ai për Kosovën është i rrezikshëm, ndoshta edhe më i rrezikshëm se Marrëveshja e Korrigjimit të Kufijve, e nënshkruar ndërmjet Ramës, Thaçit dhe Vuçiqit, sepse cenon sovranitetin dhe subjektivitetin shtetëror ndërkombëtar të vendit tonë. Dështimi i Serbisë për korrigjimin e kufijve dhe bashkëngjitjen e pjesës veriore të Kosovës e nxiti Serbinë të gjejë ndonjë modalitet tjetër kundër Kosovës, me qëllim të izolimit politik dhe ekonomik të saj. Për këtë qëllim Serbia mori iniciativën e formimit të “Mini-Schengenit Ballkanik”. 

Këtë skenar z. Rama nuk e kupton ose nuk do ta kuptojë.
Tani vetvetiu shtrohet pyetja. Pse këto tri vende të bëjnë një “Mini-Schengen” kur dihet se edhe tani nuk kanë kurrfarë pengesash në transaksionet ekonomike, të njerëzve, të kapitalit dhe të shërbimeve? Jo, jo, kjo e ka prapavijën e vet. Kjo ide është iniciuar nga Serbia në mbledhjen e 09.10.2019, në Novi Sad, ku kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Serbisë, të Maqedonisë Veriore dhe të Shqipërisë, në të cilën nuk u ftuan Kosova, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi, që është në kundërshtim me takimin (procesin) e Berlinit. Prapaskena e këtij takimi në Ohër në vete mban izolimin dhe homogjenizimin e Serbisë ndaj Kosovës. Nga aspekti politik Serbia ka për synim izolimin e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe sigurimin e daljes në portin e Selanikut nëpërmjet Maqedonisë Veriore dhe në portin e Durrësit nëpërmjet Shqipërisë.

Ndërkaq nga aspekti ekonomik Serbia tenton të krijojë një treg më të gjerë për plasimin e mallrave, të kapitalit dhe të shërbimeve në mënyrë të lirë dhe pa kurrfarë barrierash fiskale të tregtisë së jashtme e administrative në këto vende. S’ka dyshim se ky asociacion do të jetë në favor të Serbisë, sepse do të ketë monopol dhe do të dirigjojë politikat zhvillimore ekonomike të vendeve anëtare të tregut unik ballkanik.

Vendimi i Kosovës për të mos marrë pjesë në këtë Samit është i drejtë, i justifikueshëm dhe shumë pozitiv, si politik, ashtu dhe ekonomik, me ç’rast tregoi shtetësinë, pavarësinë dhe sovranitetin e saj. Një gjë dihet, kur Serbia merr iniciativën për formimin e “Mini-Schengenit Ballkanik”, ku përfshihet edhe Shqipëria e anashkalohet Kosova, është në favorin e saj e në disfavorin e shqiptarëve. Këtë qëllim të Serbisë nuk e kupton z. Rama.

Ai në fjalën e tij në Samitin e Ohrit për mosmarrjen pjesë të Kosovës ndër të tjera tha: “Nuk ka arsye Kosova pa pritur të vetëpërjashtohet”, duke vazhduar: “Nuk është ideja të ndajmë Ballkanin Perëndimor, por t’i përfshijmë të gjitha vendet në këtë nismë.

E gjithë kjo ka në thelb lëvizjen e lirë të vendeve në Ballkanin Perëndimor”. Z. Rama, nëse është kështu si thoni ju, pse atëherë në mbledhjen në Novi Sad, ku ishit edhe ju prezent, nuk e ftuat Kosovën, Bosnjë e Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Ndoshta, sipas jush, këto vende nuk bëjnë pjesë në Ballkanin Perëndimor?! Sipas z. Ramës, mbledhja e radhës do të mbahet në Durrës, ku do të mirëpritet edhe Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina. Kjo është çështje e Shqipërisë, por për ne është e papranueshme dhe e pajustifikueshme si në pikëpamje politike, ashtu dhe në atë ekonomike.
I nderuari kryeministër i Shqipërisë, z. Edi Rama, si mund të bëni apel që Kosova të marrë pjesë në mbledhjen e radhës të Samitit të Ohrit në Durrës ku marrin pjesë dy shtete historikisht armiqësore ndaj shqiptarëve.

Kosova nuk mund të marrë pjesë në këtë Samit dhe të bëhet anëtare e “Mini-Schengenit” dhe atë për katër arsye kryesore: Së pari, Serbia, e cila jo vetëm që nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, por ajo në preambulë të Kushtetutës së saj ende e ka “Kosova i Metohija është krahinë e Serbisë”, kur nëpërmjet Listës Serbe përdhos territorialitetin, kushtetutshmërinë dhe sovranitetin e Kosovës, ku cep më cep të botës lobon kundër anëtarësimit të Kosovës në institucione ndërkombëtare, si dhe mitos vendet e Azisë e të Afrikës për tërheqjen e pranimit të Kosovës si shtet etj. etj. Maqedonia qysh në kohën e Jugosllavisë së Titos ishte ndër të parat që paraprinte marrjen e masave antishqiptare.

Ajo inicionte rrënimin e mureve të shtëpive shqiptare, ku gjatë rrënimit vdiq shqiptari në Kumanovë, propozonte formimin e paraleleve të përziera shqiptaro-maqedonase  në shkolla të mesme, duke preferua gjuhen maqedonase, pasi maqedonasit nuk e dinë gjuhën shqipe, kurse shqiptarët e dinë gjuhen maqedonase, e nxori Rezolutën mbi Planifikimin e Familjes (1987) me modelin një familjeje me tre fëmijë dhe sipas së cilës për popullsinë joshqiptare u proklamua varianti pronatalist e për popullsinë shqiptare varianti antinatalist.

Për fëmijën e katërt, që vlente vetëm për familjet shqiptare, propozoheshin masa ndëshkuese, si: nuk do të gëzonte të drejtën e shtesave të fëmijëve, të shkollimit, të punësimit etj. Maqedonia, sikurse edhe Serbia, edhe sot e kësaj dite nuk ua japin të drejtat elementare kombëtare shqiptarëve që jetojnë në shtetin e tyre.

Andaj, duke pasur parasysh atë që u cek më sipër, ju z. Rama, kryeministër i Shqipërisë, me çfarë të drejte morale e kombëtare ftoni që edhe Kosova të marrë pjesë në mbledhjen e radhës së kësaj nisme (Samiti), që mbahet në zemër të Shqipërisë, në Durrës e që marrin pjesë këto dy shtete?!.

Së dyti, nëse Kosova do të jetë anëtare e këtij unioni ekonomik si pretendohet të bëhet sipas “Mini-Schengenit Ballkanik”, atëherë në bazë të qëndrimeve të tregut unik, me ç’rast Serbia do të plasojë mallin në Kosovë pa kurrfarë barrierash fiskale, të tregtisë së jashtme dhe administrative. Së treti, Kosova nuk pati dobi nga asociacionet e mëparshme, siç është rasti me Marrëveshjen për Tregti të Lirë për Evropën Juglindore (CEFTA). Edhe pse Kosova ishte anëtare e barabartë e kësaj Marrëveshjeje, Serbia e pengonte Kosovën të plasojë mallrat jo vetëm në Serbi, duke mos pranuar vulat doganore, certifikatën e cilësisë së mallrave, targat e makinave etj., por edhe në vendet e tjera anëtare të saj.

Me siguri asociacioni që pretendoni ju tri vendet ta formoni do të jetë edhe më i keq dhe me elemente shumë më negative politike dhe ekonomike për Kosovën. Me këtë rast Kosova nuk do të mundë të marrë kurrfarë masash ndëshkuese ekonomike ndaj Serbisë, kurse ajo edhe më tej me sjelljet e saj do të jetë armiku i përbetuar kundër Kosovës (lexo: shqiptarëve). Së katërti, vendet e Ballkanit Perëndimor janë në proces të pranimit anëtare të BE-së.

Ato në një periudhën të afërt do të pranohen, ndoshta në paketë, sikur që ishte rasti me vendet e Evropës Lindore, atëherë çka nevojitet që të formohet një treg unik i këtyre vendeve, kur do të përfshihen në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian. No koment!

Z. Rama, ju si kryeministër i Shqipërisë, pos interesit të vendit tuaj (dhe tonit), duhet t’i mbroni edhe interesat e Kosovës dhe të të gjithë shqiptarëve kudo që janë, sepse keni  obligim moral e kombëtar, aq më parë si anëtarë të OKB-së, ku në Këshillin e Sigurimit duhet t’i mbroni interesat gjithëkombëtare. Andaj, nuk është imja të përzihem në punët e brendshme të Shqipërisë e as në të tuajat si kryeministër, por nëse në damarët tuaj rrjedh gjak shqiptari e duke pasur parasysh të kaluarën dhe të tashmen e dy shteteve me të cilat ju keni marrë nismën për formimin e “Mini-Schengenit Ballkanik”, duhet të tërhiqeni nga pjesëmarrja juaj në këto mbledhje. Për pjesëmarrjen tuaj në këto mbledhje, me interes antishqiptar, duhet të reagojnë edhe institucionet gjegjëse, si dhe institucionet shkencore, individë e OJQ edhe të Shqipërisë.

Është për çdo lëvdatë reagimi institucional dhe i OJQ-ve të Kosovës rreth nismës dhe pjesëmarrjes suaj për formimin e një “Mini-Schengeni Ballkanik”, që më sa paku ose më mirë të themi aspak nuk i nevojitet as Shqipërisë e as Kosovës, sepse kryekëput është kundër interesit të kombit tonë. Kosova me të drejtë refuzoi pjesëmarrjen e saj në këtë Samit dhe asnjëherë nuk duhet ta pranojë si të tillë. Pajtohem me të gjithë ata që janë kundër këtij Samiti dhe jam kundër ose më mirë të them nuk pajtohem me të gjithë ata që përkrahin pjesëmarrjen dhe anëtarësimin e Kosovës në këtë asociacion ballkanik.

Shkrujti : Prof. dr. Musa Limani

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK