Zërat
Enver Robelli
Enver
Robelli

Dy mohues gjenocidi dhe një intervistë

Zërat tetor 27, 2019 - 19:05
Lexoni detajet

Në vitin 2011 Peter Handke e priti në Paris një «gazetar» serb që në opinionin zviceran njihet si Alexander Dorin. Emri i tij i vërtetë është Boris Krljic. Ai është një mohues agresiv i gjenocidit të forcave serbe në Srebrenicë. Më 2015 Dorin u arrestua në Basel – me gjasë nën dyshimin për tregti me drogë. Në intervistën e vitit 2011 Handke thotë se nuk do të dënonte masakrën e Srebrenicës dhe tallet me nënat e Srebrenicës.

Shtëpia botuese «Ahriman Verlag» nga Freiburgu i Gjermanisë ka një logo të çuditshme: një djall. Kjo shtëpi botuese, e themeluar në fillim të viteve ’80, publikon literaturë të teorive të komplotit. Një libër i botuar nga «Ahriman Verlag» mban titullin: «Zhdukja e aidsit – një temë tabu», të tjerët «Larg duart nga Koreja e Veriut» dhe «Jezusi – Bagvani: një krahasim». Kjo shtëpi botuese ka shtypur edhe dy libra me titujt: «Srebrenica – si ishte me të vërtetë» dhe «Srebrenica e Propagandës – Auschwitzi i rrenave i NATO-s». Autor i këtyre dy librave është Alexander Dorin. Ky është një pseudonim. Alexander Dorin quhet në të vërtetë Boris Krljic, një serb me banim në Basel të Zvicrës. «Ahriman Verlag» boton edhe revistën «Ketzerbriefe» (Letrat heretike).

Në vitin 2011 shkrimtari Peter Handke, laureat i Nobelit për letërsi për vitin 2019, e priti në Paris Alexander Dorinin, të cilit i dha një intervistë mbi Srebrenicën, e cila u botua nga «Ketzerbriefe». Në intervistë Handke godet mediat perëndimore, të cilat, sipas tij, kanë gënjyer sa i përket luftërave në Ballkan në vitet ’90. Ai thotë: «Vjen njëri nga DER SPIEGEL i Hamburgut (revistë gjermane, v.j.) për dy ditë, pi disa uiski dhe dëgjon diçka prej filan përkthyesve, të cilët nuk janë serbë të bindshëm, dhe askush nuk e kupton gjuhën e vendit». Handke kritikon gazetarët që gjoja kanë shkruar për Bosnjën pa e ditur gjuhën lokale, por për veten nuk flet: ai ka shkruar disa libra për luftërat e viteve ’90 pa e ditur fare gjuhën serbe, kroate apo boshnjake.

Në këtë intervistë Handke thotë se Srebrenica ishte një «akt hakmarrjeje i palës serbe. Jo që do ta dënoja, por nuk mund as ta miratojë pa asnjë kusht». Duhet vënë theksin te fjalia «jo që do ta dënoja». Në kalërimin e tij gjuhësor Handke tallet me «të ashtuquajturat» nëna të Srebrenicës: «Atyre nuk u besoj asnjë fjalë, pikëllimi i tyre nuk më duket i besueshëm». Intervista e Handkes për «Ketzerbriefe» deri më tani ka qenë e panjohur për publikun e gjerë. Këtë javë atë e bëri publike autorja dhe përkthyesja e njohur kroate Alida Bremer, e cila, krahas Jeton Nezirajt dhe Sasha Iliqit, është njëra nga drejtoreshat e Polipit, festivalit ndërkombëtar të letërsisë që mbahet në Prishtinë çdo vit. Për intervistën e Handkes në «Ketzerbriefe» shkroi edhe Michael Martens, korrespondent i «Frankfurter Allgemeine Zeitung» për Ballkanin.

Mbrojtësit e Handkes, që nuk janë të paktë në skenën kulturore gjermane dhe në rubrikat e kulturës të disa gazetave, vazhdimisht e kanë cituar një shkrim të autorit austriak nga viti 2006, ku ai thotë se masakra e Srebrenicës ka qenë «krimi më i rëndë kundër njerëzimit që është kryer në Europë pas luftës». Në vitin 2011 ai e ka thënë të kundërtën – se nuk do të dënonte masakrën dhe i ka përbuzur nënat e Srebrenicës.

I konfrontuar me këtë intervistë skandaloze, Handke përmes shtëpisë së tij botuese «Suhrkamp» bëri një tërheqje që mund të quhet taktike-cinike: «Nuk e kam lexuar bisedën për ta miratuar pastaj dhe nuk e kam autorizuar. Ajo nuk i përgjigjet asaj që mendoj unë. Po ashtu nuk mund ta marrë me mend se këto fjali i kam thënë në këtë formë. Për mua vlen çfarë them me shkrim. Kësaj nuk kam çka t’i shtoj dhe nuk dua t’i shtoj asgjë. Më 2006 kam shkruar: ‘Në Srebrenicë bëhet fjalë për krimin më të rëndë kundër njerëzimit që është kryer në Europë pas luftës’. Dua të shtoj: është e vetëkuptueshme që nga gjenocidi është shkaktuar vuajtje e pafundme, të cilën nuk e kam kontestuar kurrë. Një vuajtje që nuk mund të zhbëhet me asgjë. Më vjen keq për deklaratat e mia nëse kanë bartur mesazh tjetër».

Është indikative se kujt i ka dhënë intervistë Handke në vitin 2011: Alexander Dorin është një mohues i përhershëm dhe agresiv i gjenocidit në Srebrenicë. Ai prej vitesh zhvillon një fushatë shpifëse kundër gazetarëve të mediave zvicerane, të cilët shkruajnë kundër krimeve serbe në Ballkan në vitet ’90. Alexander Dorin ose Boris Krljic në vitin 2015 është arrestuar në Basel si i dyshuar për tregti me drogë.

Nuk është vetëm Dorin që ia mban anën Handkes. Shkrimtari i njohur gjerman Eugen Ruge atakoi këtë javë në «Frankfurter Allgemeine Zeitung» shkrimtarin gjerman me origjinë nga Bosnja, Sasha Stanishiq. Au u lind në Vishegrad dhe, për të shpëtuar nga lufta, mërgoi në Gjermani, bashkë me familjen. Mizoria e Eugen Ruges kulmon me pyetjen handkiane: «A i jep dhembja të drejtë atij (Sasha Stanishiqit)?» Domethënë të jesh i prekur nga një konflikt po e zhvlerësuaka të drejtën për të rrëfyer të vërtet