Zërat
Mehmet Gjata
Mehmet
Gjata

“Shengeni i Ballkanit”, pa kosovarët dhe prapa shpinës së Kosovës

Zërat October 13, 2019 - 13:00

Rama e ngriti dollinë të enjten, duke bërë “amin” për tendencën e shpërfaqur dhe të kërkuar të liderit serb për të qenë “zoti” i ri i Ballkanit, për të qenë njëshi i qarkullimit të ideve dhe i parasë në Ballkanin, ende të brishtë nga pasojat e lustrave ekspansioniste serbe e të vet Vuçiqit dhe për ta vënë monopolin e këmbimit tregtar në Ballkan nga shteti, i cili prin me produkte bujqësoro-industriale

Edi Rama nuk po ndalet nga përpjekjet e tij për t’u bërë protagonist me çdo kusht në mjediset politiko-ballkanase. Për ta arritur protagonizmin e synuar ai tashmë ka lënë gjurmë me gafat dhe me huqjet politike jo të pakta dhe jo vetëm brenda vendit të vet. Gjithsesi, një nga gafat e tij të radhës nga shumë shqiptarë andej dhe këndej kufirit shqiptaro-shqiptar po vlerësohet edhe “Po”-ja e tij, e deklaruar shpejt e shpejt për “Shengenin Ballkanik”, me autorësi: Vuçiq, Zajev dhe të tij vetë. Pra, të miratimit urgjent, ende të paanalizuar mirë e mirë ndër shqiptarë, pa ditur për të mirat e të këqijat e këtij “Shengeni” dhe pa pjesëmarrjen e gjysmës së shteteve të Ballkanit në të. Rama e ngriti dollinë të enjten në Novi Sad të Serbisë për këtë aleancë, që vetë nënshkruesit e saj nuk ditën si ta emërojnë - ekonomike, rajonale, monopolistike, ose puro politike. Sidoqoftë, ca tendenca, madje bukur të qarta, u vunë re të mërkurën, ndër to që në kupolën e këtij asociacioni rajonal ta ketë shtetin më të fortë si mbikëqyrës dhe epiqendër të vendimmarrjes së kësaj nisme, gjithsesi me ngjyrime e diskurs të qartë politik.

Rama i shtrëngoi të enjten duart me Vuçiqin, duke bërë “amin” për tendencën e shpërfaqur dhe të kërkuar të liderit serb për të qenë “zoti” i ri i Ballkanit, për të qenë koordinatori njësh i qarkullimit të ideve e të parasë në Ballkanin, ende të brishtë nga pasojat e luftërave ekspansioniste serbe dhe të vet Vuçiqit e për ta vënë monopolin e këmbimit tregtar në Ballkan nga shteti, që prin me produkte bujqësoro-industriale. Edhe laikët, edhe më të paditurit e kanë fare të qartë se në asnjë mënyrë dhe tani për tani perimet e Myzeqesë nuk mund të jenë konkurrente ndaj atyre të Shumadisë dhe të Vojvodinës, në radhë të parë për shkak të sasisë së tyre. Se mollët dhe kumbullat e Korçës janë simbolike dhe fare të pakta për vagonët e pafund të kumbullave dhe të mollëve nga Serbia.

E miratoi Rama “Shengenin” e kërkuar nga Vuçiqi pa “Po”-në e Kosovës dhe me heshtjen totale të saj ndaj këtij akti. Rama u ngut të miratojë këtë aleancë pavarësisht tërheqjes së vërejtjes dhe alarmit të analistëve e të njohësve të rrethanave se kjo përpjekje mund të jetë e dëmshme për Kosovën në veçanti. Rama nënshkroi “Shengenin Ballkanik” në Novi Sad pavarësisht se akoma Serbia nuk njeh asnjë dokument të Kosovës, nuk njeh as targat e makinave dhe nuk njeh asnjë dokument identifikimi.

Si mund të krijohet ky “mini-Shengen” në kohën kur shqiptarët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë drejt Serbisë me mjete identifikimi dhe në kohën kur Serbia nuk lë gur pa lëvizur brenda dhe në arenën ndërkombëtare për ta destabilizuar Kosovën e pavarur? Si mund të krijohet ky “mini-Shengen” kur nuk ndalen së propaganduari për çnjohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe së propaganduari kundër anëtarësimit të Kosovës nëpër asociacionet ndërkombëtare?

Pati analistë dhe ish-politikanë shqiptarë, të cilët këtë nismë e vlerësuan si “Pakti Tito - Enver” për bashkimin doganor në kuadrin e shndërrimit të Republikës së Shqipërisë në Republikë të 7-të të ish-Jugosllavisë. Jo pak analistë vlerësojnë se “ky pakt ka në fokus thelbin e tij përçarës e antishqiptar dhe përveçse vendos Shqipërinë në ombrellën politike të Serbisë edhe e largon nga ajo e Brukselit, e izolon dhe e vështirëson Kosovën në qëndrimet e saj të drejta ndaj Beogradit dhe shkatërron përfundimisht prodhimin bujqësor të Myzeqesë e të të gjithë ultësirës bregdetare dhe të fushës së Korçës, të cilat në kushte tejet të pabarabarta duhet të përballen me vërshimin masiv të prodhimeve bujqësore të Serbisë”.

Politikanë nga Kosova mendojnë dhe janë decidivë se Shqipëria nuk duhet të ishte bërë pjesë e takimit me Vuçiqin për “Shengenin Ballkanik”. Edita Tahiri, e njohur si kryenegociatore nga Kosova, në bisedimet e kaluara me Serbinë tha me këtë rast se ky është një mekanizëm artificial si pjesë e planit për Serbinë e Madhe. Sipas saj, ky mini-Shengen përbën bërthamën ekonomike për Serbinë e Madhe. Me Marrëveshjen e Shengenit Ballkanik pa Kosovën, sipas Tahirit, do të dëmtohet Shqipëria politikisht dhe kombëtarisht. Ky mekanizëm i ri artificial është një tendencë neojugosllave për të vendosur sisteme dominimi, sepse Serbia është vendi më i madh në Ballkan dhe kërkon të dominojë.

Ideja e “Shengenit Ballkanik” qarkullon në fakt prej kohësh, por autorët kanë ndryshuar. Ideja u duk se u përgjum për pak kohë për t’u rishfaqur fuqishëm në prapaskenat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në shtator, kur ishte presidenti serb Aleksandar Vuçiq ai që foli për “Mini-Shengenin Ballkanik”, pjesë të të cilit do të ishin Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Pa Kosovën, me miratimin e Edi Ramës, natyrisht. Dhe Kosova, në këto rrethana, më së shumti që mund të bëjë është ta refuzojë këtë pakt, të vlerësuar edhe ndjellakeq e keqdashës për Kosovën. Prandaj Kosova, por edhe Mali i Zi, e kundërshtojnë “Mini-Shengenin Ballkanik”, pasi e shohin atë si një rikthim të ish-Jugosllavisë. E kundërshtojnë kosovarët me ngulmë aleancën e arritur, me gjasë, edhe kësaj radhe prapa shpinës së tyre, pavarësisht gërthitjeve e klithmave të autorëve të “Shengenit Ballkanik”, do të ndikojë në aspektin ekonomik në rajon.

Ndonëse, ende pa një reagim zyrtar të Prishtinës, kosovarët si shumicë dhe përmes zërave individualë të aty-këtushëm të emrave të njohur publikë e kanë kundërshtuar “Shengenin e Ballkanit”, duke e quajtur atë një tendencë neojugosllave që do t’i shkaktonte dëm Ballkanit dhe Evropës. Ballkani, sipas tyre, nuk duhet të jetë i interesuar t’i hapë kufijtë mes tyre, por drejt BE-së.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK