Zërat
Arlind Imeri
Arlind
Imeri

Në Kosovë nuk ka mbrojtje të pasagjerëve

Zërat tetor 02, 2019 - 11:47

Falimentimi i kompanisë ajrore “Thomas Cook” në Britaninë e Madhe llogaritet t’i ketë dëmtuar mbi 600 mijë pasagjerë. Fat të njëjtë me kompaninë britanike do të ketë edhe kompania sllovene “Adria Airways”, përkatësisht qindra udhëtarë të saj, ndër ta edhe shumë kosovarë. Diku rreth 60 mijë shtetas të Kosovës llogaritet të jenë të dëmtuar nga mashtrimet e kompanive të dyshimta, ndërsa dëmet që mashtruesit ua kanë shkaktuar pasagjerëve kosovarë janë mbi 20 milionë euro.

Mbrojtja e pasagjerëve, të cilët përdorin transportin ajror për t’i realizuar udhëtimet e tyre, është një problematikë në vete e cila kërkon një trajtim të veçantë, pasi dëmet që mund t’u shkaktohen atyre në rastet e anulimeve të fluturimeve ose edhe të falimentimeve të kompanive ajrore, ose të operatorëve tokësorë janë mjaft të mëdha.

Falimentimi i kompanisë ajrore “Thomas Cook” në Britaninë e Madhe llogaritet t’i ketë lënë në tokë mbi 600 mijë pasagjerë nga të gjitha destinacionet. Por dëmi më i madh u është shkaktuar pasagjerëve dhe hoteleve në bregdetin turk. Dëmin financiar që kjo kompani ua ka shkaktuar hoteleve përllogaritet të jetë mbi 300 milionë euro, duke lënë kështu të bllokuar nëpër hotele dhe duke i lënë pa biletën e kthimit qindra pasagjerë.

Por çfarë po bën shteti i Britanisë së Madhe për këta pasagjerë?

Shteti i Mbretërisë së Bashkuar ka ndarë një buxhet prej 150 milionë funteve për mbrojtjen e pasagjerëve të kompanisë “Thomas Cook” për të ndikuar që dëmet të jenë sa më të vogla. Me legjislacionin britanik shteti duhet të ketë të gatshëm një fond për mbrojtjen e pasagjerëve dhe në rastet si të “Thomas Cook”-ut t’u ofrojë zgjidhje pasagjerëve, të cilët mund të jenë dëmtuar.

Nga falimentimi i “Adria Airways”-it dëmtohen edhe pasagjerët nga Kosova

Fatin e njëjtë me kompaninë “Thomas Cook’ e pati edhe kompania sllovene “Adria Airways”, e cila këtë të hënë dorëzoi dokumentacionin për procedurën e falimentimit të kompanisë pas afatit dhjetëditësh të dhënë nga Ministria e Transportit dhe e Autoritetit të Aviacionit Civil Slloven. Falimentimi i “Adria Airways”-it është rrjedhojë e problemeve të mëdha financiare me të cilat u përball kjo kompani që nga viti 2016, qëkur kjo u privatizua dhe kaloi në pronësi të “4K Invest”-it.

“Adria Airways” kishte kërkuar nga qeveria sllovene një paketë në formë të ndihmës financiare prej 2 milionë eurosh që të mos shpallë falimentimin, gjë që ishte refuzuar kategorikisht nga kryeministri slloven Marjan Saraec.

Nga falimentimi i kompanisë ajrore “Adria Airways” sigurisht se do të preken edhe pasagjerë nga Kosova, pasi kjo kompani realizon dy destinacione nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari”, për në Lubjanë dhe për në Frankfurt, ku shumica e pasagjerëve kosovarë destinacionin e Frankfurtit e përdorin për fluturime lidhëse ose siç njihen ndryshe si “Connection Flights”.

Ende nuk dihet se çfarë masash do të merren nga qeveria sllovene dhe nga Autoriteti i Aviacionit Civil i këtij vendi për dëmet që mund t’i shkaktojë falimentimi i “Adria Airways”.

Çfarë masash mbrojtëse aplikon Republika e Kosovës në rastet kur dëmtohen pasagjerët?

Edhe pse Republika e Kosovës ka Autoritetin për Mbrojtjen e Konsumatorit, Ministrinë e Infrastrukturës e gjithashtu edhe Autoritetin e Aviacionit Civil, i gjithë ky sistem ka dështuar në aspektin e mbrojtjes së pasagjerëve të dëmtuar që nga vitet e pasluftës e deri më sot. Të dëmtuar nga mashtrimet llogaritet të jenë diku rreth 60 mijë pasagjerë dhe shtetas të Kosovës, të cilët kanë rënë pre e mashtrimeve nga kompani të ndryshme dhe të dyshimta, të cilat kanë operuar në Kosovë gjatë një intervali të ndryshëm kohor. Ndërsa dëmet që mashtruesit ua kanë shkaktuar pasagjerëve kosovarë llogariten të jenë mbi 20 milionë euro. Deri më sot askush nga institucionet e Kosovës nuk ka marrë përgjegjësi për mashtrimet e bëra nga aviokompanitë e ndryshme dhe vazhdimisht ato ia kanë hedhur fajin njëra-tjetrës duke lënë kështu me mijëra pasagjerë pa përgjigje se ku duhet të drejtohen ata në raste të tilla të mashtrimeve.

Vlen të theksohet se Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës mbledh një shumë të konsiderueshme të mjeteve financiare në emër të sigurisë. Secili pasagjer paguan nga dy euro në emër të sigurisë, mjete të cilat nga AACK-ja shfrytëzohen për trajnimet e stafit të AACK-së dhe për bonuse në pagat e tyre, edhe ashtu shumë të larta.

As institucionet e rendit dhe të ligjit, duke përfshirë këtu Prokurorinë, gjykatat dhe Policinë, nuk kanë ndërmarrë asnjë masë konkrete në lidhje me mashtrimet me bileta. I vetmi rast që është trajtuar pjesërisht nga organet e rendit është rasti “Alba Reisen” dhe “Alba Air”, me ç’rast ishte arrestuar vëllai i mashtruesit Bali Rramanajt, Shefket Rramanaj, dhe ai ishte liruar pas pak kohësh, duke u mbyllur kështu edhe hetimet për këtë rast. Rasti i dytë, i cili është duke u trajtuar tani është ai i Roland Idrizajt, i cili së bashku me tre persona të tjerë përfunduan në pranga pas mashtrimeve me bileta. Ata u kishin shitur pasagjerëve bileta me numër fluturimesh që nuk ekzistonin fare. Ky rast është trajtuar nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike.

Kosova, parajsë për kompanitë mashtruese

Që nga paslufta e deri më sot Kosova shihet si një parajsë për mashtrimin me aviobileta. Pothuajse në çdo sezon shfaqen mashtruesit, të cilët për qëllim kanë mashtrimin e diasporës kosovare, konkretisht të Zvicrës e të Gjermanisë.

Skemat mashtruese fillojnë nga mesazhet, të cilat dërgohen në numrat e pasagjerëve potencialë duke u ofruar bileta me çmime marramendëse të lira dhe kështu ata nxisin këta pasagjerë të telefonojnë në qendrat e thirrjeve, ku edhe këto qendra thirrjesh janë të pozicionuara në Kosovë, për shkak të mungesës së kontrollit nga institucionet. Shumica e këtyre qendrave të thirrjeve mbahen sekrete dhe askush nuk e di se ku gjenden e ku shumica janë të vendosura nëpër banesa private të marra me qira. Përmes këtyre qendrave të thirrjeve diasporës u shiten bileta me çmime duke filluar nga 250 euro në pikën e sezonit. Shpeshherë pasagjerëve u thuhet se ata do të udhëtojnë me kompani gjermane ose zvicerane duke u premtuar kështu siguri në udhëtim.

Rastet kur pasagjerët u dëmtuan nga kompanitë mashtruese ose edhe të atyre kompanive të cilat falimentuan janë të shumta. Kompania ajrore “Belleair” në fund të vitit 2013 kishte shpallur falimentimin si pasojë e problemeve financiare. Nga falimentimi i kësaj kompanie kishin mbetur të dëmtuar mbi 20 mijë pasagjerë.

Një rast tjetër ku u dëmtuan mbi 3500 pasagjerë është ai i kompanisë spanjolle “PronAir”, e cila operohej nga operatorët “Air Dardania” , “Munich Airlines” dhe “Air Kosova”.

Nuk janë këto të gjitha kompanitë dhe operatorët tokësorë, të cilët mashtruan pasagjerët. Të tilla ka me dhjetëra, ndërsa dëmi që llogaritet të jetë shkaktuar nga këto kompani kap shifrën mbi 20 milionë euro.