Zërat
Mehmet Gjata
Mehmet
Gjata

Broçkullat për rritje ekonomike në Kosovë

Zërat September 25, 2019 - 09:57
DETAJET

Kurrkush nuk pret nga vendimmarrësit e ardhshëm ndonjë mrekulli të arritshme brenda natës, as fabrika avionësh e anijesh kozmike. Kosovarët presin ndonjë projekt të realizueshëm, dobiprurës për vendin, presin shfrytëzimin sa më të favorshëm të resurseve tona, si dhe një projekt të domosdoshëm për prodhimin e energjisë elektrike. Por jo “Kosovën C”!

Mehmet Gjata

Deklaratat pompoze të zyrtarëve nga politika në “turret” e tyre para zgjedhjeve, por edhe të shumë të tjerëve nga fusha e ekonomisë për rritjen ekonomike të Kosovës gjatë vitit të shkuar ose për parashikimet megalomane për vitet në vazhdim të “lulëzimit ekonomik” të Kosovës janë thjesht broçkulla. Më saktë - gënjeshtra ordinere të pacipa. Duhet të jetë e qartë për secilin kosovar: Kosova nuk ka rritje ekonomike. Aspak. Fare! Madje as 4 për qind sa po proklamojnë zyrtarët, ndër ta dhe guvernatori aktual i BQK-së. Nuk do të ketë fare rritje ekonomike as në vitet në vazhdim, as 6 për qind, as 7 për qind sa po premtojnë partitë politike, ndër to AAK-ja me socialdemokratët, që dorën në zemër nuk u mungojnë emrat - njohësit e proceseve zhvillimore.

Duhet sqaruar se edhe nëse 4-përqindëshi i zhvillimit ekonomik ka arritur realisht shkallën e grafikut, që tregon ecurinë zhvillimore të një vendi, nuk është tamam rritje. Kjo përqindje e rritjes ekonomike kosovare, siç dëshmojnë ekspertët e mirëfilltë të ekonomisë, nuk është rezultat i rritjes së ndonjë prodhimi, ndonjë eksporti ose ndonjë investimi kapital për t’u shënuar. Është rritje false, sepse vjen vetëm nga remitancat e diasporës sonë, që vazhdon të jetë dorëlirë dhe akoma bukur shumë e ndikuar nga ndërlidhjet familjare. Për këtë fakt ata vazhdojnë të sjellin në familjet e tyre, në Kosovë, shtatë-tetëqind milionë, ndoshta edhe një miliard euro në vit.

Këto para nuk rrisin zhvillimin ekonomik, por shërbejnë thuajse në tërësi për konsumin e familjeve të varfra kosovare. Fare pak nga remitancat, është e ditur se orientohen në ndonjë biznes që do t’ia vlente për ta përmendur dhe i cili drejtpërdrejt do të shënonte ngritje të shkallës së zhvillimit. Në Kosovë nuk ka as rritje të investimeve të huaja. Përkundrazi, ka rënie të theksueshme të tyre, për çka zëmë bindshëm vendin e parë në rajon. Pos autostradave, në Kosovë nuk ka as investime kapitale ose ka sa për të thënë, që i bie se ato janë fare simbolike.

Po të kishte rritje ekonomike do të hapej ndonjë vend i ri pune dhe administrata shtetërore nuk do të mbetej i vetmi burim i absorbimit të të papunëve. Po të kishte zhvillim ekonomik do të ngrihej ndonjë kapacitet ekonomik prodhues, do të ndodhte domosdo ndonjë investim kapital për t’u shënuar dhe do të shkëputeshim më në fund nga asfalti, i dëshmuar deri tash si burim për keqpërdorim ordiner të parasë publike në Kosovë. I dëshmuar për “mbulesa” të neglizhencës dhe të shterpësisë për vizione e ide të zyrtarëve kosovarë për të investuar në projekte më atraktive.

Edhe deficiti eklatant tregtar prej 3 miliardë eurosh, që për Kosovën e vogël është marramendës dhe agresivisht me ndikim në rrjedhat zhvillimore, flet qartë për ngecjen dhe degradimin ekonomik të Kosovës. Prandaj kush merr vesh fare pak nga ekonomia nuk u beson deklaratave përtej optimiste të guvernatorit, as të zyrtarëve të tjerë. Duket që as ai vetë nuk beson në atë çka deklaron, sepse po në intervistën që e proklamon rritjen ekonomike thotë se rritja 4 për qind nuk mjafton për zbutjen e papunësisë, as për uljen e deficitit tregtar. Pra, e demanton vetveten dhe dëshmon për përqindjen farsë të rritjes ekonomike në vend.

Ç’është më keq, jo vetëm që nuk ka ndonjë ecuri trimëruese zhvillimore, por duke u bazuar në premtimet, në vizionet dhe në planet zhvillimore të partive politike të shpërfaqura tani në kohë parafushate, Kosova as që do të presë ndonjë risi në kuptimin zhvillimor. Premtimet e përgjithësuara, thuajse të të gjitha subjekteve politike për synimet e ardhshme zhvillimore, nuk janë shumë shpresëdhënëse. Bile bindshëm mund të konstatohet, pikëpamjet zhvillimore të tyre janë deprimuese dhe shumë dekurajuese.

Kurrkush nuk pret nga vendimmarrësit e ardhshëm ndonjë mrekulli të arritshme brenda natës, as fabrika avionësh e anijesh kozmike. Kosovarët presin ndonjë projekt të realizueshëm, dobiprurës për vendin, presin shfrytëzimin sa më të favorshëm të resurseve tona, si dhe një projekt të domosdoshëm për prodhimin e energjisë elektrike, të mjaftueshëm për nevojat modeste të konsumit të Kosovës. Presin po ashtu të qartësohet deri në detaje projekti i “Kosovës C”, për ndërtimin e të cilit po kalkulohen shifra rrëqethëse për kosovarët e varfër dhe për katandisjen deri në humnerë të Kosovës nga projekti që është në diskutim i “Kosovës C”.

Vendimmarrësit duhet të kuptojnë, siç kuptojnë të gjithë banorët e vendit, se Kosova nuk do të ketë 300 milionë euro para në vit për 20 vjet me radhë për të paguar haraçin e “Kosovës C”. Këto janë shifrat aktuale zhvillimore të Kosovës. Të tjerat janë broçkulla të politikanëve dhe të figurantëve të tyre, të vendosur nëpër kolltukët e kapaciteteve dhe të institucioneve të vendit.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK