Zërat
Dennis E. Boyle dhe Blerina Jashari
Dennis
E.
Boyle
dhe
Blerina
Jashari

Dhomat e Specializuara të Kosovës: A është ende i mundur një gjykim i drejtë?

Zërat korrik 26, 2019 - 13:08

Që prej shekujsh është thënë në shoqëritë perëndimore se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar dhe ky parim është bërë gurthemel për të drejtën për një gjykim të drejtë. Për të përmbushur elementet bazike të drejtësisë seanca duhet të jetë e paanshme, publike dhe e mbajtur brenda një kohe të arsyeshme nga data e veprës së pretenduar, me qëllim që t’i lejojë palët të paraqesin plotësisht çështjet e tyre. Me kalimin e kohës dëshmitë fizike zhduken dhe dëshmitarët harrojnë, ose bëhen të padisponueshme.

Kjo është veçanërisht e vërtetë kur shqyrton rastet potencialisht para Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ngjarjet që këto Dhoma do t’i rishikojnë kanë ndodhur më shumë se dy dekada më parë - në një vend dhe në një rajon që vazhdimisht po ndryshon, po zhvillohet dhe ku njerëzit kanë bërë çdo përpjekje për të vazhduar me jetën e tyre që prejse Marrëveshja e Kumanovës, më 9 qershor 1999, më në fund përfundoi luftën për pavarësi. I artikuluar në Kartën Magna, i inkorporuar në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, konsensusi është i qartë: secili ka të drejtë për një dëgjim të drejtë dhe publik brenda një kohe të arsyeshme pa vonesa të panevojshme.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në De Cubber të Belgjikës dhe në Guincho të Portugalisë ka shprehur në mënyrë specifike se personeli i papërshtatshëm ose shqetësimet e përgjithshme administrative, siç po shohim tani në këto Dhoma, nuk janë arsye për dështimin për të përmbushur standardin kohor të arsyeshëm.

Në nivel më personal, njëzet vjet janë shumë kohë për të lejuar që shpata e Damocles të qëndrojë e varur mbi kokën e një të pandehuri të mundshëm; shumë e gjatë për një viktimë që pret drejtësinë. Në janar të vitit 2017 Kosova zyrtarisht vendosi të kërkojë pajtimin dhe t’i tregojë botës se nuk është vetëm një vend prosperues, por edhe një vend i drejtë. Por tani, më shumë se dy vjet më vonë, dikush pyet se ku janë pajtimi dhe drejtësia që u janë premtuar njerëzve?

Ish-prokurori i Dhomave të Specializuara, David Schwendiman, dha dorëheqjen në shkurt 2018 dhe në maj të vitit 2018 u emërua prokuror special Jack Smith. Smith thuhet se kërkoi një vit për të njohur procedurën dhe rastet para se të merrte ndonjë veprim. Tani është më shumë se një vit pas emërimit të tij dhe duket se shqyrtimi i tij ende nuk ka përfunduar.

Në fakt, Zyra e Prokurorit Specialist ka angazhuar ish-profesorin e Ligjit të Harvardit dhe prokurorin kryesor në gjyqin e Fatmir Limajt, Isak Musliut dhe Haradin Balës, Alex Whiting, si shef të hetimeve, në një përpjekje të dukshme për të rritur hetimet, pasi ato kanë mbetur pezull për më shumë se dy vjet. Pasiguria dhe dyshimi kanë mbizotëruar dhe pritjet që të pandehurit do të marrin një gjykim të drejtë dhe se të gjithë kosovarët do të marrin pajtimin, drejtësinë e mbylljen janë zvogëluar. Shpresat e krijuara nga themelimi i Dhomave po zbehen ngadalë.

(Dennis Boyle dhe Blerina Jashari janë avokatë në Uashington D.C. dhe janë të specializuar në fushat e mbrojtjes penale ndërkombëtare. Dennis Boyle është gjithashtu i regjistruar edhe si avokat mbrojtës në Dhomat e Specializuara të Kosovës).