Zërat
Ramadan Qehaja
Ramadan
Qehaja

Përvjetori i lavdishëm: Çlirimi i vendit dhe fitorja e së drejtës

Zërat June 12, 2019 - 09:51

Njëzetvjetorin e hyrjes së forcave tokësore të NATO-s në Kosovë, përkatësisht 12 qershorin e vitit 1999, duhet vazhduar së rikujtuari si një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar në përgjithësi e Kosovës në veçanti. Ajo përbën triumfin e sakrificës shekullore të popullit të Kosovës ndaj të keqes, e ndihmuar nga paradigma e Perëndimit për “përgjegjësinë e mbrojtjes së popullatës civile”, e cila me të drejtë ndali spastrimin etnik sistematik të shtetit serb në Kosovë. Ndërgjegjja perëndimore u zgjua në momentin kur Perëndimi nuk parandaloi gjenocidin në shtetet tjera, sidomos në Bosnje e në Ruandë.

S’do mend se në këtë kuadër sulmet e forcave ajrore të NATO-s, si mjet i vetëm i diplomacisë shtrënguese ndaj regjimit Millosheviqian - në ç’drejtim posaçërisht u shqua diplomacia amerikane - ishin dhe mbetën arma e vetme për të ngadhënjyer zëri i arsyes duke shpëtuar një popull të tërë nga shfarosja. Kampanja ajrore 78-ditëshe kundër forcave ushtarake, policore e paramilitare serbe ka hyrë në histori si një ndër sulmet më të mëdha dhe më të gjata që është shënuar deri më tani në historinë e luftërave dhe atë pa pjesëmarrjen e forcave tokësore, të cilat si opsion asnjëherë nuk u përjashtuan por për shkak të mosvendosshmërisë së shteteve anëtare të NATO-s dhe vlerësimit të mundësisë së humbjeve njerëzore nga forcat ushtarake serbe ato nuk u përdoren. Mospërdorimi i tyre pavarësisht se vonoi kapitullimin e Serbisë për disa javë, në fakt rezultoi në një triumfunik i cili gjunjëzoi atëbotë një forcë respektuese vetëm me përdorimin e forcave ajrore. Sigurisht se roli i njësiteve të UÇK-së në terren ishte i pakontestueshëm në funksion të dobësimit të forcave serbe.

Kuptohet se për të arritur deri te mundësia e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës dhe krijimit të kushteve për hyrjen e forcave tokësore të NATO-s është dashur shumë mund, urti dhe diplomaci për të bindur Millosheviqin që faktikisht të nënshkruajë kapitullimin, edhe pse një term i tillë asnjëherë deri më tani nuk u përdor. Qëllimi i forcave serbe, përkatësisht i kreut ushtarak ishte që para se të fillonte tërheqja e forcave ushtarake sulmet ajrore të NATO-s do të duhej të ndërpriteshin, moment ky i cili ishte shumë i ndjeshëm. Dihet se kreu ushtarak i NATO-s, i udhëhequr nga komandanti suprem gjenerali amerikan Clark nuk e përfilli një kërkesë të tillë, sepse kjo nënkuptonte mundësinë e ndryshimit të qëndrimit serb për tërheqje nën pretekstin se janë duke u ballafaquar me sulme të pareshtura të UÇK-së.

Prandaj vendimi për sulme të mëtejmë ajrore derisa bashkësia ndërkombëtare nuk bindet që tërheqja e forcave serbe është duke ndodhur ishte më se i arsyeshëm. Në të vërtetë ndërprerja e bombardimeve nga forcat ajrore të NATO-s do të ishte shumë problematike, sepse në rast të nevojës së ripërtëritjes së këtyre sulmeve do të lindin probleme të cilat do të pamundësonin kohezionin edhe ashtu të luhatur i cili deri atëherë disi u mbajt. Pra vendimi për përcjelljen e forcave serbe hap pas hapi gjatë tërheqjes dhe moslejimi i krijimit të ndonjë vakuumi të mundshëm të sigurisë ishte krejtësisht i drejtë. Duke marrë në tërësi stacionimi i forcave të KFOR-it rrodhi sipas planit të paraparë dhe se pozicionimi i plotë i tyre u bë në afat mjaft të shkurtër duke e mbuluar territorin dhe duke krijuar kushte për një mbrojtje dhe siguri të mirëfilltë të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Dëbimi i forcave ushtarake, policore e paramilitare serbe mundësoi stacionimin e forcave të NATO-s të pagëzuara si KFOR në mënyrë të shpejtë dhe të efektshme, duke i marrë nën kontroll objektet dhe pikat më të rëndësishme në tërë territorin e Kosovës dhe duke e zvogëluar deri në një masë anarkinë e cila ndodhi e që u manifestua në forma të hakmarrjes, të plaçkitjes, të uzurpimeve etj. Rikujtojmë se me hyrjen e forcave tokësore të NATO-s, ndihmesë shumë e madhe humanitare i është dhënë popullatës civile dhe u krijuan kushtet për një kthim të paparë deri atëherë dhe të përshpejtuar të popullatës së dëbuar shqiptare nga vatrat e tyre në afate rekorde.

Sigurimi i kapaciteteve të nevojshme të KFOR-it në fillim me mjaft forca të mëdha tokësore (43.000 trupa), ishte konform momentit të atëhershëm politik e gjeostrategjik të krijuar menjëherë pas luftës së armatosur dhe pasojat që ajo i shkaktoi. Këto trupa u reduktuan së voni gradualisht deri në numrin e tanishëm në më pak se 5.000 trupa. Duke marrë në tërësi, posaçërisht duhet theksuar se KFOR-i për këto njëzet vjet luajti një rol shumë të rëndësishëm në garantimin e plotë të tërësisë dhe integritetit territorial të Kosovës; kryerjen e detyrave edhe të sigurisë dhe rendit kur këtë nevoja e diktonte, duke krijuar kësisoj një ambient të qetë dhe të sigurt dhe duke dhënë ndihmesën humanitare për popullatën e Kosovës.

KFOR-i dha ndihmesë të madhe në ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme në shumë mjedise sidomos në ato multietnike dhe deminimin e shumë zonave nga mjetet shpërthyese. Posaçërisht duhet përmendur kontributin e rëndësishëm në trajnimin dhe aftësimin e Trupave Mbrojtëse të Kosovë (Forcave të Sigurisë së Kosovës) për kryerjen e detyrave të parapara për gatishmëri emergjente, mbrojtje civile, ndihmesë mjekësore e shumë detyra tjera.

Vazhdimësia e kontributit të KFOR-it për ngritjen dhe funksionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës edhe pse me disa mangësi, pengesa dhe vonesa për shkak të qëndrimeve politike brenda strukturave të NATO-s, përbënte megjithatë ndihmë të çmueshme për popullatën e Kosovës. Për këtë dhe detyrat e kryera deri më tani KFOR-i gëzoi në vazhdimësi respekt të madh nga popullata e Kosovës i cili deri në ditët e sotme asnjëherë nuk u lëkund.

Është vlerësimi i përgjithshëm si i faktorit vendor, ashtu edhe atij ndërkombëtar se NATO-ja do të duhej të mbetet në Kosovë konform propozimit gjithëpërfshirës të Planit të Ahtisaarit dhe përcaktimit tonë kushtetues. Kjo nënkupton se përveç ndonjë ndryshimi të aty-këtushëm strukturor, zvogëlimi drastik i forcave dhe i mjeteve të KFOR-it nuk do të ishte vendim i qëlluar. Kjo aq më parë kur ne si shtet në tranzicion në momentin aktual kemi një zbrazësi në forcat dhe mjetet e sigurisë vetanake. FSK-ja edhe pse tani me detyra shtesë ushtarake është ende e paoperacionalizuar në ploti në kontekst të mandatit të mbrojtjes dhe është ende jo në gjendje të menaxhojë një situatë krizash sidomos në raport me kërcënimet që vijnë nga Serbia.

Në përgjithësi, duke e shënuar këtë datë shumë të rëndësishme në mënyrë të dinjitetshme, populli i Kosovës shpreh respektin e thellë për NATO-n dhe për kontributin që ajo dha në bashkëveprim me UÇK-në për çlirimin e Kosovës dhe krijimit të ambientit të volitshëm që kosovarët të arrijnë deri te pavarësia si synim shekullor. Në këtë kontekst nuk mundemi të mos theksojmë posaçërisht rolin e jashtëzakonshëm të politikës së drejtë të aleatëve, duke veçuar këtu SHBA-në dhe Mbretëritë e Bashkuara, të cilat patë rol të pakontestueshëm në funksion të triumfit të së drejtës.

(Autori është njohës i çështjeve ushtarake e të sigurisë)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK