Zërat
Andi Bushati
Andi
Bushati

Dështimi i propagandistëve të idesë së Vuçiqit

Zërat maj 18, 2019 - 18:32

Kori i larmishëm i atyre që mbështetën idenë marroke të shkëmbimit të popullsive dhe territoreve bazohej në një argument sa cinik, po aq edhe të parealizueshëm. Kur dikush i kundërshtonte me principin mbi të cilin është ngritur rendi i sotëm i paqes, atë të pandryshmërisë së kufijve; kur dikush debatonte me ta mbi pamundësinë e realizimit të kësaj hipoteze që hapte “Kutinë e Pandorës” në Ballkan; kur dikush përmendte përdhosjen e vlerave evropiane të multietnicitetit dhe bashkëjetesës, ata të jepnin gjithmonë një përgjigje simpliste dhe njëkohësisht përbuzëse.

Mos po bëhesh merak si internacionalist për popujt e tjerë? Kush e ka çarë kokën për shqiptarët, që tani, ne, të mendojmë edhe për fqinjët? Ç’punë kemi ne kur zgjidhim hallin tonë, nëse flaka bie te komshiu?

Pra me një fjalë, Kosova dhe Serbia duhet të bënin paqe mbi bazën e ndryshimit etnik të kufijve, pavarësisht se Marrëveshja e Dejtonit përfundonte në kosh, pavarësisht se shkëputja e Republika Serbe e hidhte në erë Bosnjën, pavarësisht se edhe kroatët mund të kërkonin pjesë të saj, pavarësisht se Maqdonia e Veriut mund të vinte në pikëpyetje ekzistencën e mëpasshme, e kështu me radhë.

Por, kjo filozofi sa mendjeshkurtër, po aq e zhveshur edhe nga çdo vlerë, mori një përgjigje të qartë në Samitin e Berlinit. Po të shikohet përbërja e asaj tryeze, ajo është kuptimplotë.

Prezenca e Kroacisë dhe e Sllovenisë, dy shtete të BE-së që i kanë kapërcyer sfidat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, nuk qe një koincidencë e pamatur. Ato gjendeshin aty pasi qenë shprehur që më parë kundër idesë të rrezikshme të ndryshimit të kufijve.

I menduar në mënyrë edhe më perfide nga organizatorët, ishte qëndrimi i kryetarit të Këshillit të Ministrave të Bosnjës e Hercegovinës, Denis Zvizdiq, i cili në takimin me dyer të mbyllura arriti të përmendë edhe ringjalljen e fantazmave të luftës. Nuk qe i rastësishëm fakti se ai “u gjend” në të njëjtën linjë me qëndrimet e kancelares gjermane. Kur Hashim Thaçi dhe më pas Edi Rama mbështetën në gushtin që shkoi idenë e Aleksandar Vuçiqit për këmbimin e territoreve dhe të popullësisë, Merkel zgjodhi të shfaqet në krah të Zvizdiq, për të shpallur: “Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i përcaktuar dhe i paprekshëm. Kjo duhet të përsëritet gjithnjë, sepse ekzistojnë tendenca që çështjet e kufijve të hapen sërish. Kjo nuk mund të ndodhë (13 gusht 2018)”.

Edhe këtë javë në Berlin, pas paralajmërimeve për luftë që bëri në sy të Emmanuel Macron, kryeministri i Bosnjës u tregoi medieve se presidenti serb Vuçiq ishte inatosur keq me të, për shkak të shkelmit që i dha kësaj ideje. Vuçiq nuk e duroi dot faktin që unë tregova “se rivizatimi i kufijve në linja etnike në Ballkan gjatë viteve të 90-të ka përfunduar me luftëra të përgjakshme” i tha ai gazetës “Slobodna Bosna”.

Kjo e bëri liderin e fortë serb që me t’u kthyer në Beograd të deklaronte se ideja e nisur prej tij kishte dështuar. Bashkë me të dështuan edhe të gjithë ata shqiptarë që i vunë gjoksin asaj. Dhe kur thuhet kjo, fjala nuk është aspak për dokrra me patriotë e tradhtarë, siç pretendojnë opozitat në dy anët e kombit. As me historitë që ne tregojmë rëndom për të shiturit te shkjau, ose spiunët e Serbisë. Jo aspak. Sepse mëkati i atyre që përkrahën planin serb në Tiranë dhe në Prishtinë nuk ishte tradhtia, por mendjelehtësia për t’u mbështetur te një premisë sa naive, po aq edhe e pamundur. Ata e arsyetuan rrugëtimin e tyre me parullën le të shpëtojmë veten, por flaka u rëntë të tjerëve.

Ndërsa samiti i vendeve të Ballkanit dëshmoi krejt të kundërtën. Ai tregoi se ashtu sikurse tha edhe presidenti francez, që në fund u afrua me qëndrimin e Merkelit, nuk mund të ketë zgjidhje që cenon palët e treta. Për këtë arsye Berlini ishte një fshikullimë edhe për ata që verën e kaluar pyesnin me ironi: “Ç’na intereson ne Bosnja ose Kroacia?” (Lapsi.al)