Zërat
Sead Zimeri
Sead
Zimeri

Liri apo barazi?

Zërat prill 29, 2019 - 15:39
Lexoni detajet

Një debat i rëndësishëm për një nga problemet më të mëdha me të cilët ballafaqohet kapitalizmi sot. Guru-ja i kapitalizmit neoliberal, Milton Friedman, ishte për liri të plotë të individit për të ndjekur dhe ushtruar vlerat e tij, në mënyrën që ai e sheh të arsyshme. Liria, pra, është vlera fundamentale kurse barazia është vlerë e derivuar nga liria. Pajtohem plotësisht me parimin fundamental që liria është vlera themelore dhe absolute, por njëkohësisht besoj që barazia nuk është derivative por e nënkuptuar në konceptin e lirisë. Pa liri nuk ka barazi, por edhe pa barazi nuk ka liri të vërtetë.

Friedman beson në barazinë e mundësive (equality of opportunity), por njëkohësisht thotë që pabarazitë janë pjesë e natyrës: dikush është më i zgjuar, më i bukur, më i fortë, më i shëndoshë, etj. Këtu del në pah ambiguiteti, në mos kontradikta kryesore, e filozofisë së tij, mes lirisë dhe barazisë. Ai thotë që barazia e mundësive nuk bie në kontradiktë me lirinë, por si është e mundur kjo nëse ne biologjikisht, për nga vetë natyra, nuk jemi të barabarte? Unë nuk jam Muhammed Ali, apo Einstein. Nëse nuk jemi të barabartë, atëherë, si mund të flitet për barazi të mundësive? Nëse pabarazitë janë natyrore ska kurrfarë kuptimi të flitet për barazi të mundësive sepse pabarazitë natyrore pikërisht pamundësojnë mundësitë e barabarta. Pra, unë nuk besoj që koncepti i barazisë së mundësive të barabarta është koncept koherent në filosofinë e Friedman-it. Për ta bërë koherent kërkohet një element shtesë, një element që Friedmani pikërisht e mohon kategorikisht, dmth, kërkohet që pabarazitë natyrore të mos bëhen arsye e pabarazive shoqërore.

Ruso (Jean-Jacques Rousseau) shpjegon pabarazitë shoqërore si rrjedhoje e varshmërisë që individi si qytetar e gjen veten në polis, në shtet. Para se të krijohen shtetet dhe poliset, njeriu në gjendjen e tij natyrore ishte i lirë dhe i pavarur, por ishte edhe i pabarabarte me të tjeret si ai: dikush ishte më i fortë, dikush më i shpejtë, dikush më i mençur, dikush më i shkathët, dikush më i bukur, e kështu me radhë. Por, dhe ketu del në pah superioriteti i pakrahasuëshëm i Ruso-së, pabarazitë nuk kishin kuptim negativ këtu pasi që njeriu ishte plotësisht i pavarur nga tjetri. Ai nuk ishte i varur në dëshirën e tjetrit, në përmbushjen e obligimeve shoqërore, në respektimin e ligjit, dhe të pronës private, mbi të gjitha.

Prona private është, thotë Ruso, e keqja më e madhe që i ndodhi njeriut në gjendjen e tij natyrore, sepse përmes saj njeriu humbi pavarësinë, por njëkohësisht një e keqe e domosdoshme për ekzistimin e qyteterimit. Njohja e pronës private, krijimi i qytetërimit, ia mori njeriut të drejtën natyrore për pavarësi të plotë nga tjetri. Pabarazitë, me një fjalë, thotë Ruso, mund të arsyetohen vetëm nga pikëpamja e pavarësisë së plotë, por me themelimin e pronës private, kjo pavarësi zhduket, dhe njeriu kalon prej gjendjes së natyrës në atë të qytetërimit, prej gjendjes së pavarësisë së plotë në atë të varësisë në tjetrin, dhe sa më i zhvilluar qytetërimi, aq më e madhe varësia e tij në tjetrin. Varësia krijohet sepse tani më individ nuk është vetëm individ natyror, siç janë kafshët në natyrë dhe siç ishim ne dikur, por tani jemi pjesë e një sistemi që duhet t’i bindemi, me apo pa deshirën tonë.

Në sistem, pavarësia nuk ekziston: është koncept jokoherent sepse sistemi presupozon varesinë e njërit në tjetrin, dhe mohon kategorikisht pavarësinë si koncept natyror. Në sistem pra pavarësia është koncept relativ dhe mund të arsyetohet vetëm në bazë të konceptit të barazisë. Nevoja për barazi, e që është një formë e kompensimit për humbjen e pavarësisë natyrore, në shoqëritë e qytetëruara lind pikërisht sepse kemi humbur pavarësinë natyrore. Kjo humbje përcakton edhe paktin që kemi me njëri tjetrin. Percakton, pra, kërkesën morale për barazi, më shumë se atë për liri. Pse? Sepse marrëdhëniet tona më nuk përcaktohen vetëm nga dallimet tona natyrore, por edhe nga varësia jonë në njëri tjetrin. Në fakt është kjo e fundit që përcakton, pothuajse tërësisht, natyrën e shkëmbimeve të mallrave, të komunikimit me njëri tjetrin (traditat e ndryshme hierarkie si arsitokracia, traditat e nderit, e kështu me radhë) dhe që i jep legjitimitet kërkesës morale për barazi.

Pabarazitë natyrore ishin thjesht pabarazi, ato nuk kishin kuptim as politik, as moral dhe as shfrytëzues. Por kur ai u bë i varur në tjetrin, kur ky tjetri që është me i fuqishëm përcakton modalitetin e ekzistencës së tij atëherë ai, me të drejtë morale që nuk e kishte më parë, kërkon qe të kompensohet për humbjen e pavaresisë së tij. Sistemet politike qeverisëse nuk janë asgjë më tepër se mënyra të kompensimit të humbjes së pavarësisë së plotë natyrore me te drejta deri diku të barabarta. Disa nga këto sisteme janë egalitare e disa të tjerë hierarkikë, por asnjë nga ato forma të qeverisjes nuk mund të mbështetet në parimin që njeriu është plotësisht i lirë në shoqëri, pavarësisht se sa minimale është ndërhyrja e shteti në ekonomi, apo që ai ai nuk ka të drejtë morale për barazi me të tjerët.

Presupozimi fillestar është që në shoqëri të përberë nga ligje dhe traktare, nga marrëveshje dhe nga sisteme të qeverisjes, individi nuk është i lirë, në kuptimin që ai nuk është i pavarur. Ai plotësisht varet në sistemin qeverisës. Plotësisht. Pavarësia e tij është lokale dhe pavarësinë që e gëzon nuk është pavarësi natyrore por sociale, pavarësi që ia jep dhe njeh sistemi. Vetë ndjenja e drejtësisë si dhe ajo e resentimentit (mllefit që lind nga padrejtësitë që i bëhen qytetarit) vijnë në ekzistence vetëm pasi njeriu bëhet qenie politike.

Të kthemi tek koncepti i mundësive të barabarta. Çdo të thotë pra të kesh mundësi të barabarta kur ne nuk jemi të barabarte si qenie biologjike dhe natyrore? Si mund të kemi mundësi të barabarta kur e tërë pasuria është akumuluar në duart e një perqidje të vogël njerëzish të cilët kontrollojnë varesinë tonë në emër të lirisë? Tani as unë nuk besoj në barazi të rezultateve apo në shpërndarje të barabarte të pasurive. Pabarazitë natyrore në talent dhe fuqi muskulore nuk mund të mohohen as në shoqëri; pastaj kemi pabarazitë e atyre që janë të barabartë por që përmes punës shquhen mbi të tjerët e që një trajtim i barabartë me ata që nuk punojnë sa ai do të krijonte padrejtësi. Drejtësia është vlerë tjetër morale që ka burimin në shoqëri por që nuk është e njëjtë me barazinë. Barazia mund të konceptualizohet si padrejtësi disa here, sikur që pabarazitë konceptualizohen si drejtësi apo padrejtësi varësisht kontekstit ku ato shfaqen. Nuk ekziston, dhe në parim nuk mund të ekzistoje, një sistem egalitar i plotë. Pabarazitë do të ekzistojnë pavarësisht qëllimeve të mira të reformatorëve për t’i zhdukur ato. Por kjo është çështje tjetër nga përpjekja për t’i arsyetuar pabarazitë që i shohim sot në nivel global qoftë në emër të lirisë e qoftë në emër të pabarazive natyrore.

Këto pabarazi minojnë lirinë edhe ashtu të kufizuar që kemi në shoqeri. Prandaj nëse vërtetë jemi për liri sa më të madhe të qytetarit, duhet doemos të punojmë edhe për uljen e pabarazive, pasi që kjo është e drejta jonë morale por edhe e vetmja mënyrë për ta ruajtur paqën, dhe sot, me sa duket, edhe vetë ekzistencën tonë si race njerëzore.

Barazia e mundësive pra mund të arrihet vetëm nëse njëkohësisht shoqëria merr hapa konkrete për t’i siguruar atyre që pabarazitë natytore, apo ato të shkaktuara nga aksidente jetësore, i dëmtojnë mundësitë që ata kanë për të konkurruar në sistemin kapitalist. Dmth, duhet të ofrohen një numër i madh i shërbimeve shoqërore, jo si lemoshë por si e drejtë qytetare, si shkollë, shendetësi, ujë të pijshëm dhe sigurimin e kushteve bazë për jetë, që ata pastaj të jenë në gjendje të konkurrojnë në mënyrë të barabartë. Por asnjëra nga këto shërbime nuk rrjedh nga koncepti i barazisë së mundësive, por nga koncepti i barazisë së distribuimit më të barabartë të pasurive shoqërore. Pa një shpërndarje paraprake të këtillë, barazia e mundësive mbetet koncept i rremë, koncept ideologjik në shërbim të një klase sunduese, pasi që përdoret për t’i arsyetuar pabarazitë jo vetëm ato natyrore por edhe ato që lindin nga varësia e qytetarit në sistemin e marrëdhënieve të prodhimit. Barazia e mundësive, pra, nuk është dhe nuk mund të jetë koncept fundamental, por është dytësor në raport me barazinë që kërkohet për ta mundësuar barazinë e mundësive.