Zërat
Qazim Morina
Qazim
Morina

Kuvendi i PDK-së pikëkthese për Prizrenin

Zërat April 13, 2019 - 09:21
Lexo tjera detaje

PDK në Prizren të shtunën në Kuvendin zgjedhor të degës do ta zgjedh kryetarin e ri për mandatin e ardhshëm.

Ky kuvend është një pikëkthese jo vetëm për këtë subjekt, por edhe të ardhmen e Prizrenit.

Kjo për atë se këtu nuk zgjedhet vetëm kryetari i degës më të fuqishme në Prizren e Dukagjin, por ai shihet edhe si pretendenti kryesor, e mbase edhe kryetar i ardhshëm i Prizrenit.

PDK është partia më e madhe politike në Prizren, ndonëse pas zgjedhjeve të vitit 2017 mbeti në opozitë. Ky subjekt ka numrin më të madh të anëtarëve në Kuvendin Komunal, gjithsej 12, apo 5 më shumë se sa Vetëvendosje!, që për shkak të postit të kryetarit të Komunës, drejton pushtetin lokal.

Deri tash Prizreni ishte një “ishull politik” i PDK-së i rrethuar nga komunat fqinje të menaxhuara nga AAK, që qeverisë në Suharekë, Rahovec e Gjakovë. Në Sharr (ish-Dragash) ndërkaq AAK është në bashkëqeverisje me PDK-në.

Zgjedhja e kryetarit të degës është testi i dytë për PDK-në, që tregon se ky subjekt është përcaktuar për ndryshimin e diskursit të qeverisjes. I pari është treguar në zgjedhjet e fundit komunale, që përkundër konsumit dhjetëvjeçare në pushtet, PDK u paraqit mirë në skenën politike, meqë si subjekt fitoi numrin më të madh (13 nga 41) të anëtarëve të KK-së, me disa emra të rinj.

Po ashtu, sukses tjetër konsiderohet edhe kandidimi i një kandidati jashtëstrukturave të saj, Shaqir Totajt, i cili dukshëm pat përmirësuar imazhin e luhatur të PDK-së në Prizren, duke tejkaluar edhe pritshmërinë, meqë në rrethin e parë doli fitues me një diferencë prej 5 mijë votash ndaj konkurrentit të dytë.

Përkundër koalicionit të gjerë të krijuar kundër PDK-së, në rrethin e dytë Totaj humbi me një diferencë të vogël.

Ditë më parë Totaj, që është pretendenti kryesor për kryetar, ka thënë se gjatë procesit të brendshëm zgjedhor ka vërejtur një potencial të fshehur brenda këtij subjekti, persona që me vlerat e tyre paraqesin thesar për PDK-në dhe që së bashku me shumë profesionistë tjerë me integritet, do të paraqesin vlerë të shtuar dhe ofertë kualitative për Prizrenin.

Por, përveç tij, sigurisht në Kuvendin zgjedhor do të ketë edhe pretendentë të tjerë, për postin e të parit të degës.

Para kryetarit të ardhshëm shtrohen sfida serioze në menaxhimin e strukturave të dala nga zgjedhjet e reja, pastaj “ngjalljen” e aktivitetit të mirëfilltë opozitar, që i ka munguar PDK-së, gjatë kësaj kohe të qëndrimit në opozitë.

Rrugëtimi është i rëndësishëm aq më tepër, pasi me gjasë, kryetari i ri i degës së PDK-së, do të jetë edhe kandidat për kryetar të komunës në zgjedhjet e ardhme.

Për këtë ai duhet të ketë prioritet afrimin rreth vetes të profesionistëve të fushave të ndryshme, veprimi i të cilëve është i domosdoshëm për t’i dhënë kontribut komunës, qeverisja aktuale e të cilës jo vetëm që nuk përmbushi pritshmërinë qytetare, por duket se i mungon kreativiteti dhe profesionistët e duhur, për të kontribuuar në realizimin e detyrave të cilat rrjedhin nga ligjet për qeverisjen lokale.

Nga kryetari i ri i degës pritet edhe formimi sa më i shpejtë i komisioneve profesionale, jo vetëm për t’i paraqitur dobësitë e qeverisjes aktuale, por edhe duke dhënë ide për tejkalimin e tyre në të mirë të qytetarëve.

Në këtë kontekst, kryetari duhet të punojë ngusht edhe për forcimin e opozitarizmit nga kuvendarët e PDK-së në Kuvendin Komunal, që përkundër kritikave të herëpashershme drejtuar pushtetit, deri tash më tepër linin përshtypjen për qëndrimet e tyre individuale se sa të një grupi të organizuar homogjen.

Më e rëndësishmja që kërkohet në këtë rast nga kryetari është që të jetë tepër i kujdesshëm, që në trupat punues të mos caktojë njerëz të përfolur për keqpërdorime, përfshirë edhe ata në procese gjyqësore, angazhimi i të cilëve nuk do t’i jepte imazh të mirë lidershipit të PDK-së.

(Autori është gazetar nga Prizreni)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK