Zërat
Ramadan Qehaja
Ramadan
Qehaja

Bombardimi i caqeve serbe nga NATO-ja dhe ndryshimi i paradigmës botërore për mbrojtjen e popullatës

Zërat March 25, 2019 - 08:30

Më 24 mars 2019 u bënë 20 vjet nga fillimi i bombardimeve të caqeve ushtarake e policore serbe, të organizuara dhe të udhëhequra nga NATO-ja. Një operacion ajror i përmasave të mëdha, edhe pse pa vendim të KS të OKB-së, u bë kryekëput për shkaqe humanitare, përkatësisht për ta ndërprerë gjenocidin dhe spastrimin etnik të kryer nga regjimi i Millosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ky intervenim vendosi një standard të ri, i cili njihej në konceptin “e përgjegjësisë për të mbrojtur” në të cilën të drejtat e njeriut nuk duhet të abuzohen nën petkun e sovranitetit të shteteve porse çdo shkelje kolektive e tyre duhet të ngërthejë ndërhyrjen ndërkombëtare. Kosova e kishte fatin që ky koncept të aplikohej dhe ku rasti i saj u mor si model i një intervenimi të suksesshëm në funksion të të drejtave universale të njeriut.

Për të eliminuar një katastrofë humanitare bashkësia ndërkombëtare përdori si trysni diplomacinë e quajtur “fluturuese” ose ndryshe quhej edhe diplomaci shtrënguese, në ç’drejtime duhet përmendur posaçërisht angazhimin e diplomatit të rryer amerikan, tanimë të ndjerin Richard Hollbruk. Gjithsesi se masakrat serbe ndaj civilëve shqiptarë në shumë lokalitete të Kosovës e në veçanti masakra e Reçakut, e cila u definua me të drejtë si krim kundër njerëzimit nga William Woker, pati jehonë të madhe në qarqet politike e diplomatike në botë. Këto krime dhe represioni shtetëror serb përbënin indikator të një krimi ende më masiv, i cili do të mundë të parandalohej vetëm më ndërhyrje ushtarake, pasi mjetet konvencionale diplomatike nuk kishin dhënë efekt.

Rikujtojmë se për këtë tanimë filluan përgatitjet e këtij operacioni ajror dhe me shumë vështirësi u mor pëlqimi i të gjitha shteteve anëtare të NATO-s. Arritja e konsensusit brenda NATO-s ku hezitimet e disa shteteve vetëm se ishin dalë në pah, përbënte një fitore të llojit të vet për vendimmarrjen e kësaj organizate. Pastaj filloi vëzhgimi i terrenit, përkatësisht vlerësimi dhe identifikimi i caqeve serbe dhe ndihmesë të madhe dhanë edhe shtabet e komandat e UÇK-së.

Në fillim u mendua se operacioni ajror i NATO-s, në krye me SHBA-në, do të zgjasë një kohë të shkurtër. Përkundrazi, ky operacion i bombardimeve nga ajri i caqeve serbe do të zgjasë plot 78 ditë dhe atë pa ndërhyrjen e forcave tokësore të NATO-s, e që nënkuptonte një ndër rastet e rralla në doktrinën ushtarake kur fitohej lufta pa dislokimin e forcave tokësore. Kuptohet se gjatë bombardimeve sikur u shtuan zërat që ky operacion të ndërpritet për një kohë e që rastiste me kërkesën e regjimit të atëhershëm serb. Por ishte komandanti suprem i forcave të NATO-s, gjenerali amerikan Klark, i cili me vlerësimin e situatës kërkoi me ngulm që kjo ndërprerje të mos ndodh, sepse atëherë do të krijohej një situatë edhe më e komplikuar politike, por edhe ushtarake.

Me një fjalë, ky operacion shumë i madh ajror mundësoi kapitullimin e forcave ushtarake e policore serbe, e që u kurorëzua me nënshkrimin e marrëveshjes së qershorit 1999 të Kumanovës, duke u krijuar kushtet e volitshme për ndërhyrjen e forcave tokësore të NATO-s në tërë territorin e Kosovës dhe në dëbimin e forcave të mbetura serbe. Si rezultat, një mrekulli e paparë e kthimit të më tepër se një milion qytetarëve shqiptarë nga Maqedonia, nga Shqipëria dhe vendet tjera e që ishin të dëbuar me forcë nga trojet e veta. Kështu që në sajë të organizimit dhe të luftës së pandërprerë të UÇK-së për çlirimin e vendit, të ndërhyrjes së jashtëzakonshme të botës demokratike, Kosova tani është shtet sovran dhe demokratik.

Shënimi i dy dekadave të fillimit të bombardimeve të caqeve ushtarake e policore serbe nga NATO-ja gjithsesi se ka rëndësi historike për popullin shqiptar të Kosovës, si dhe për një rend ndërkombëtar i bazuar në vlera universale njerëzore. Ai duhet të rikujtohet dhe të transmetohet te gjeneratat e reja si udhërrëfim i kurorëzimit të sakrificave tona me një operacion ushtarak më qëllim hyjnor: atë të përgjegjësisë kolektive për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kudo që ato shkelen. Përderisa komponentë ushtarakë të këtij operacioni të madh sigurisht se do të vazhdojnë të studiohet nga departamente e qendra të ndryshme kërkimore, rasti i Kosovës do të vazhdojë të mbizotërojë së studiuari për të mirë.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK