Zërat
Agim Zuzaku
Agim
Zuzaku

Qeveria e përkushtuar për zhvillimin ekonomik lokal

Zërat March 11, 2019 - 14:46

Ditë më parë Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës Komunale, që është hapi më i madh në fuqizimin e zhvillimit ekonomik lokal. Aprovimi i këtij ligji, argumenton prioritetin e Kryeministrit Ramush Haradinaj, që viti 2019 do të jetë viti i zhvillimit ekonomik. 

Niveli lokal në fushën e zhvillimit ekonomik deri më tani nuk ka pasur kompetenca të plota që mundet t’i kontribuoj zvogëlimit të papunësisë përmes tërheqjes së investitorëve, qofshin ata investitorë privat vendorë apo investime të huaja direkte. Kjo e bënë edhe më të vështirë kur e tërë prona shoqërore ka kaluar në pronësi të AKP-së dhe komunave i zvogëlohet mundësia për të shfrytëzuar pronën shoqërore për dhënie në shfrytëzim apo për shfrytëzim përmes investimeve me PPP. Kur i shtojmë të metat e ligjit për Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së paluajtshme të komunës, që adresojnë politika për trajtimin e pronës së paluajtshme të komunës, por që e vështirësojnë procedurat e zgjatura për implementim. 

Deri më tani komunat kanë qenë të bllokuara nga procedurat dhe pamundësia për t’iu ofruar investitorëve mundësi, madje ata nuk kanë arritur të akomodojnë zhvillimin e infrastrukturës bazike në interes të publikut.

Misioni i komunave përkatësisht drejtorive të zhvillimit ekonomik lokal, është krijimi i një klime dhe ambienti të favorshëm të të bërit biznes me qëllim të zhvillimit ekonomik lokal. Për të pasur një zhvillim ekonomik lokal, patjetër se duhet të ketë një politikë gjithëpërfshirëse dhe të ndërtuar mirë në nivelin lokal, ku në të do të ngërtheheshin programe të ndryshme dhe të qarta, të cilat janë të ndara sipas fushave përkatëse, duke u nisur nga: investimi në resurset njerëzore, ruajtja dhe përparimi i bizneseve ekzistuese, tërheqja e bizneseve të reja, planifikimi dhe përcaktimi i zonave për investim, ofrimi i ambientit të sigurt dhe të përshtatshëm për investime direkte të huaja, adoptimin e teknologjive të moderuara, menaxhimin e resurseve dhe shfrytëzimin e tokës së pashfrytëzuar, si dhe shumë faktorë tjerë të cilët ndikojnë dhe janë determinues në zhvillimin ekonomik lokal.

Deri më tani, kërkesë e vetme e investitorëve të huaj, por edhe investitorëve vendorë apo nga diaspora ka qenë kërkesa për dhënie në shfrytëzim të tokës për të realizuar investimin. Ligji i vetëm që ka qenë i favorshëm për investitorë ka qenë Ligji për Partneritet Publiko-Privat. Mirëpo, ky ligj është përcjell me shumë burokraci institucionale dhe koha e përmbylljes së procesit të investimeve ka zgjatur prej 1.5 deri në 2 vite kohë. Duke filluar nga studimi i fizibilitetit, vendimi i Komitetit për PPP, dhe më e komplikuara që i dekurajon investitorët, është shprehja e interesit përmes procedurave të prokurimit publik. Duke pasur parasysh të gjitha këto procedura, ka pasur një dekurajim të investitorëve. Të metën kryesore ky ligj e ka në trajtimin e vlerës së investimeve të barabartë sikur Aeroporti i Kosovës, sikurse ndërtimi i një çerdhe për fëmijë duhet të ndiqen procedurat e njëjta. 

Ligji për investime strategjike i aprovuar në vitin 2017, gjithashtu ka pasur për qëllim tërëheqjen dhe krijimin e kushteve për realizimin e investimeve strategjike në Republikën e Kosovës, si dhe të përcaktojë procedurat administrative dhe kriteret për vlerësimin, zgjedhjen, implementimin dhe mbikëqyrjen e projekteve strategjike si dhe përcaktimin e procedurave për dhënien në shfrytëzim të pronës së Republikës së Kosovës për qëllim të zbatimit të projekteve për investime strategjike.

Edhe pse në fillim është menduar që ky ligj do ti hapë rrugë investimeve të huaja, deri më tani nuk është treguar asnjë sukses në praktikë. Sipas këtij Ligji, prioritet në përzgjedhjen e projekteve për të fituar statusin e investimit strategjik do t’iu jepet projekteve me vëllim më të madh investimesh dhe të cilat gjenerojnë më shumë vende pune. 

Sipas Ligjit për Investimet strategjike, Qeveria e Kosovës në bazë të prioriteteve zhvillimore duhet të harton një listë projektesh potenciale të investimeve strategjike për fushat e caktuara si prioritet i qeverisë, si dhe me një shpallje publike fton investitorët potencial strategjik për realizimin e këtyre projekteve. Në bazë të propozimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike, Qeveria mund të marrë vendim për të hyrë në negociata direkte me investitor të besueshëm strategjik. Komunat në këtë ligj janë përfshirë në nenin 6 “Procedurat për vlerësimin, përzgjedhjen dhe realizimin e projekteve strategjike” ku kryetari i Komunës është anëtar i Komisioni Ndër-Ministror për Investime Strategjike, për vlerësimin, përzgjedhjen, zbatimin dhe mbikëqyrjen e projekteve për investime strategjike.

Edhe ky ligj ka qenë me mjaft mangësi për investitorët e vegjël pasi që sipas nenit 2 ka përcaktuar vlerën minimale të investimeve 10 milion euro.

Edhe pse i vonuar deri më tani, Ligji për Dhënin në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës Komunale, i sapo aprovuar nga Qeveria e Kosovës, e kthen pronën komunale në potencial zhvillimor, në mundësi për investitorët dhe në interes të publikut. Tashmë, komunat kanë duart e lira të negociojnë dhe të paraqesin para investitorëve mundësitë për investime. Ligji i hapë rrugë dhe mundësi ndërveprimit të komunës me akterët lokal, qofshin ata ofrues të shërbimeve për publikun në emër të komunës, shoqërinë civile dhe akterët tjerë.

Synimi kryesor i Ligjit është krijimi i mekanizmave dhe procedurave të shpejta dhe efikase që komunat të rrisin nivelin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe tërheqin investime.

Në rast të mos adresimit të shpejtë të problemeve të identifikuara në procesin e monitorimit të komunave, rrezikohet që prona komunale të mos mund të shfrytëzohet për qëllimin të zhvillimit ekonomik dhe tërheqjes së investimeve. Poashtu rrezikohet që në rast të mos ndryshimit të ligjit komunat të japin pronën e tyre për çështje dhe qëllime të cilat nuk janë paraparë me këtë ligj apo të cilat nuk ndikojnë në interesin publik dhe zhvillimin ekonomik të komunave.

Dihet që shumë pak prona publike kanë mbetur pa u privatizuar nga Agjencia e Privatizimit të Kosovës, kjo i ka pamundësuar një politikë të mirëfilltë komunave për një zhvillim ekonomik. 

Me këtë ligj tani Qeveria, ka hapur perspektivë të re në këtë fushë për bartje të pronës në funksion të zhvillimit dhe interesit publik. Karshi kësaj, zonat zhvillimore janë kthyer në potencial për Investime dhe zonat e zhvillimit në komuna janë jo vetëm mundësi por hapa të sigurt në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të komunave dhe vendit.

Marrë parasysh orientimet strategjike zhvillimore, idesë drejtë një zhvillimi më të qëndrueshëm të ekonomisë së vendit, veçanërisht nivelit lokal, si dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, zhvillimi ekonomik lokal duhet orientuar në drejtim të partneritetit me të gjitha palët e interesit dhe të planifikuar në mënyrë strategjike me qëllim të mundësisë së rritjes së punësimit, uljes së nivelit të varfërisë dhe rritjen e cilësisë së jetesës nëpërmjet përmirësimit dhe avancimit të vetëqeverisjes lokale në fushën e ekonomisë.

(Autori është ish Drejtor i Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Gjilanit dhe nënkryetar i AAK-së Dega në Gjilan)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK