Zërat

Pyetje për Sulltanatin e Kosovës

Zërat March 09, 2019 - 16:33

Përse kryesuesja e Bordit të Telekomit të Kosovës të ketë veturë zyrtare që kushton rreth 100 mijë euro? Për fat të keq nuk kemi shoqëri që revoltohet dhe i çon në dreq të mallkuar këta cuba. Sepse edhe kjo historia me Range Rover harrohet shpejt. Siç janë harruar mijëra skandale në Kosovë. Sepse askënd nuk e ka penguar që Kosova, ndër vendet më të varfra në Europë, ka blerë për diplomatët e saj vetura Cadillac Escalade.

Është raportuar që burri i një gruaje, e cila është kryesuese e Bordit të Telekomit të Kosovës, ka shkaktuar aksident duke dëmtuar veturën zyrtare – të gruas së tij. Të dy, siç e do rendi në Kosovën kaotike, e kanë mohuar aksidentin. A nuk është obligim i Telekomit të tregojë se kush e ka dëmtuar veturën dhe a do të kushtojë ndreqja e saj rreth 9 mijë euro, siç raportoi Koha Vizioni?

Përtej kësaj pyetjeje shtrohen edhe një mori pyetjesh të tjera. Përse kryesuesja e Bordit të Telekomit të Kosovës ka në dispozicion një veturë zyrtare të tipit «Range Rover»? Si është e mundur që një ndërmarrje publike që po shkon drejt falimentimit të blejë vetura aq të shtrenjta, tmerrësisht të shtrenjta (rreth 100 mijë euro), për qejfet e krerëve të ndërmarrjeve publike? Përse hesht qeveria? Përse hesht ministri përgjegjës për punët e Telekomit? Përse nuk proteston askush? Përse tolerohet ky keqpërdorim masiv i buxhetit të Kosovës?

Ky keqpërdorim masiv i parave të shtetit është – krim! Kjo sjellje grabitqare është – poshtërsi! Kjo tallje me një shoqëri të varfër është më shumë se – vjedhje! Të gjitha këto pyetje mbesin pa përgjigje. Sepse nuk kemi prokurori që fillon hetimet. Ose kemi prokurori që nuk i prekë «të fortit». Nuk kemi shoqëri që revoltohet dhe i çon në dreq të mallkuar këta cuba. Sepse edhe kjo historia me Range Rover harrohet shpejt. Siç janë harruar mijëra skandale në Kosovë. Sepse Kosova është sulltanat i «kumanirave». Këta ditën thonë se po e mbrojnë Kosovën (nga Serbia), natën e fundosin Kosovën, duke ia vjedhur çdo resurs. Sikur ekziston një garë se kush po plaçkit më shumë.

Për të «treguar se jemi shtet» Kosova para një dekade për përfaqësitë diplomatike ka blerë vetura Cadillac Escalande dhe Cadillac. Mund të merret me mend sa kanë kushtuar këto vetura dhe sa kushton mirëmbajtja e tyre. Falë tyre Kosova ka treguar se «është shtet», aq bindshëm ka treguar, saqë numri i njohjeve po bie vazhdimisht. Përfaqësues të shtetit me mentalitet primitiv nuk janë të aftë dhe të gatshëm të kuptojnë se imazhi i një vendi, serioziteti i tij nuk tregohet me vetura të shtrenjta. Më shumë imazhi i shtetit përmirësohet nëse përfaqësuesit e tij shkojnë në takime me biçikletë ose në këmbë.

Një krahasim i vogël: asnjë nga ministrat e Zvicrës (ky shtet i ka vetëm shtatë ministra) nuk ka veturë zyrtare të kategorisë së kësaj zonjës së Telekomit. Disa ministra nuk kanë fare veturë zyrtare, një ministre ka një veturë shumë të vogël. Bile disa ministra preferojnë të udhëtojnë me tren, mos të flasim këtu për nivelet më të ulëta të administratës. Para disa vitesh një kompani zvicerane e risigurimit (me qarkullim vjetor prej mbi 30 miliardë euro) njoftoi se drejtorët e saj nuk gëzonin privilegjin e pasjes së veturës zyrtare. Këta drejtorë nuk jetojnë keq, me siguri kanë privilegje të shumta, fundja kompania është private, por prapëseprapë nuk tolerohet luksi i panevojshëm. Në vitin 2014 një gazetar i Zvicrës franceze e fotografoi kryetarin Didier Burkhalter duke pritur trenin në Neuchâtel. Pas presidentit qëndronte një fëmijë që me gjasë luante me nënën e tij shtatzënë, para presidentit kalonte një njeri me pantallona të shkurtra, më tutje një tjetër shikonte telefonin mobil – ashtu siç bënte edhe presidenti. Ashtu siç bëjnë shumë njerëz kur presin trenin. Normalitet. Nga i cili Kosova, sulltanati kosovar, është larg, shumë larg./DialogPlus

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK