Zërat
Ramize Ferati
Ramize
Ferati

Liri, barazi, motëri!

Zërat March 08, 2019 - 09:56
Lajmet fundit nga vendi!

„Njeriu ka lindur i lirë, por shfaqet kudo nën vargonj!“ – është fraza hyrëse në librin “Mbi kontratën shoqërore” të filozofit francez, Zhan Zhak Ruso. Në të ai përpiqet – ndonëse e pranon që e ka të pamundur që saktësisht – të shpjegojë se si, kur dhe pse njeriu që ka lindur i lirë ka kaluar nga kjo gjendje autonome në një gjendje të dominuar nga pabarazia, varësia, dhuna dhe jolumturia.

Mbi bazën e asaj që Ruso e quan “ligji i të fortit”, ai kundërshton idenë që monarkët ishin të veshur me pushtetin e shenjtë për të sunduar të tjerët dhe në argumentim e sipër, thekson se vetëm populli, që është sovrani e ka atë të drejtë të plotëfuqishme.

Ky libër frymëzoi jo vetëm bashkëmendimtarët e Rusosë dhe intelektualët e kohës, por edhe shtresa të gjera të shoqërisë për të luftuar deri në përmbysje sistemin feudal dhe trasuar rrugën, ku më vonë do të zërë fill sistemi demokratik. „Liri, barazi, vëllazëri!”, ishte motoja e Revolucionit Francez, të cilën e përqafuan popuj të tërë, pa e kuptuar menjëherë se ato vlera do të mbeteshin edhe për shumë kohë të parealizuara për faktin se megjithatë, nuk vlenin njëjtë për të gjithë sovranin – nuk vlenin për gratë. Nuk vlenin, edhe pse gratë, njëjtë kishin lindur të lira dhe iu ishin bashkuar burrave në këtë revolucion për të rifituar atë liri.

Këto vlera zunë të marrin kuptim më shumë se një shekull më vonë, pas organizimit të grave amerikane dhe më vonë edhe gjetiu në lëvizje për të kërkuar të drejta të barabarta me njerëzit e tjerë – burrat. Ndonëse statusi i të qenit të lira që me lindje grave nuk iu njoh, aftësitë e tyre mendore dhe fizike u pranuan në heshtje dhe u shfrytëzuan, vetëm kur burrat u gjendën në situata të vështira, por të vetëkrijuara, p.sh. në kohëra luftërash, apo para kolapseve ekonomike. Se gratë jo vetëm që janë po aq të denja e të zonja sa burrat, por janë edhe vetë thelbi i paanashkalueshëm për zhvillimin e shtetit, u dëshmua më së miri në Amerikën e periudhës së Depresionit të Madh dhe sidomos pas përfshirjes së vendit në Luftën e Dytë Botërore. Pas sulmit në Përl Harbor, miliona burra u thirrën për t’iu bashkuar forcave të armatosura amerikane. Gratë ishin ato që i zunë masivisht vendet e punës në industri dhe ndihmuan shtetin për të ngadhnjyer.

Në hapësirën shqiptare, dhe brenda saj në Kosovë, nuk ka pasur një lëvizje për të drejtat e grave, të tilla siç njihen lëvizjet shoqërore në perëndim në fund të shekullit XIX dhe në fillimshekullin XX. Emancipimi i gruas, si koncept u zhvillua në kuadër të ndryshimeve të përgjithshme politike dhe shoqërore.

Rrënjët e procesit të emancipimit të gruas në Kosovë mund të konsiderohen në mësimet e para formale që gratë shqiptare morën me hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë dhe në Normalen e Elbasanit, nga ku më vonë do të dilnin edhe mësueset e para. Pjesëmarrja e studenteve të reja në protestat studentore për liri nga të drejta qytetare të barabarta me popujt e tjerë në fund të viteve ‘60 dhe në demonstratat pasuese në fillim të viteve ‘80, në procesin e pajtimit të gjaqeve dhe në luftë nuk ishin vetëm shprehje e dëshirës që gruaja shqiptare në Kosovë për të qenë aktive në jetën shoqërore, por shprehje e vendosmërisë që ajo, njëjtë sikurse burri, mund të udhëheqë procese të rëndësishme shoqërore e politike. Në këtë kuadër, kthesë vendimtare ishte themelimi i Universitetit të Prishtinës dhe hapja e institucioneve kulturore-arsimore.

Marrëdhëniet ndërgjinore u ndikuan dukshëm gjatë proceseve të transformimeve politike dhe shoqërore, në Kosovë, e sidomos pas përfundimit të luftës së fundit. Ndonëse populli shqiptar fitoi luftën e tij për liri, gruaja shqiptare, e cila ngjashëm, sikurse gratë gjatë Revolucionit Francez, e përkrahu burrin edhe në kohërat më të vështira e më të rëndësishme dhe luftoi për ekzistencën dhe lirinë e kombit, mbeti vetë nën vargonj, e privuar nga liria e saj individuale. Për shoqërinë tradicionalisht patriarkale, edhe sot e kësaj dite është vështirë e pranueshme që gruaja të shfrytëzojë dhe jo të kërkojë t’ia japë dikush tjetër të drejtën e saj natyrale për zhvillim të individual, të synojë vetëvendosjen, të jetë financiarisht e pavarur dhe të vetëkrijojë siguri ekonomike.

Të jesh grua në Kosovë edhe më tej do të thotë të jesh e stigmatizuar e të ballafaqohesh me pengesa të llojllojshme për çdo ditë të vetme. Deri sa ndarja tradicionale e rolit të gruas në kuzhinë dhe e burrit si ushqyes kryesor i familjes është fenomen që ekziston kryesisht në viset rurale, edhe gruaja e arsimuar në qytete është akoma e shtypur, duhet t‘i luftojë në vazhdimësi paragjykimet, por edhe të ballafaqohet me dhunë psikike e fizike.

Paradoks i madh duket kur dëgjojmë burrin e arsimuar dhe intelektual shqiptar tek citon Rusonë dhe pandeh të japë mësime rreth lirisë gjeneratave të reja, ndërsa privon nga e njëjta motrën, gruan, vajzën dhe aplikon vetë “ligjin e të fortit” duke i detyruar ato t’i binden atij. Ai, megjithëse akoma e konsideron gruan inferiore dhe jo të denjë sa të matet me të, ia lë në dorë rritjen dhe edukimin e fëmijëve të vet. Në këtë gjendje ambivalente, njeriu, krejt në frymën e Rusosë, duke qenë vetë i lirë dhe i fuqishëm, hamend se me këtë fakt „ai është zoti i të tjerëve, mbetet më rob se sa vetë të ata.“ Skllav i veprimeve të tij.

Ky fenomen i shëmtuar do të vazhdojë mbase përderisa gruaja në shoqërinë tonë nga gjinia tjetër konsiderohet vetëm pjesërisht njeri. Ai nuk do të mund të çrrënjoset përderisa vetë nënat vazhdojnë t’i favorizojnë të bijtë para të bijave, p.sh. në arsimim ose në të drejtën pronësore, dhe ua ngulisin në kokë vajzave që lumturinë do ta arrijnë, vetëm në qoftë se heqin dorë nga uni i tyre, mbyllin gojën dhe i nënshtrohen babait, vëllait, burrit.

E megjithatë, janë pikërisht këto stigma dhe pengesa nga të cilat gruaja moderne shqiptare gjeneron fuqinë. Nisur nga bindja se kanë lindur të lira dhe natyra burrat i ka krijuar të ndryshëm nga gratë për ta plotësuar dhe jo shtypur njëri-tjetrin, ajo është e guximshme dhe përballet hapur me sfida, të cilat e zgjerojnë horizontin dhe e bëjnë të ndjehet e lirë. Ajo shfaq urtësi në jetë, ka forcë për të hapur shtigje të reja dhe vendosmëri të shfrytëzojë lirinë e saj për të marrë vendime. Duke qenë shumëdimensionale, gruaja shqiptare ia del të jetë nënë e përkushtuar, bashkëshorte dhe shtyllë e familjes e njëkohësisht edhe politikane këmbëngulëse, afariste e zonja, apo negociatore bindëse. Ndonëse me shumë vështirësi dhe jo në masë të dëshirueshme, duke drejtuar shkolla dhe institucione kulturore, ushtruar veprimtari hulumtuese, përfaqësuar popullin në institucione politike e kontribuar zellshëm në shkencë, ajo ka filluar të zërë vendin që i takon.

Gruaja shqiptare sot synon jo vetëm të jetë idhull për vajzat e reja, duke iu dëshmuar me vetëbesim dhe guxim qytetar si arrihen qëllimet, por edhe të frymëzojë djemtë dhe vetë burrat për të mbështetur njëri-tjetrin, për të bashkuar shoqërinë dhe për t’i shërbyer njerëzimit.

Ajo që u arrit në letër me Kartën e Kombeve të Bashkuara në 1945 dhe po aty më 8 Mars 1975 u vendos që kjo datë të festohet si Dita Ndërkombëtare e Gruas, shënon vetëm fillimin e një procesi, që ka nisur diku më herët e diku më vonë, por që ende vazhdon. Është vetë Akademia e Shkencave të Francës ajo, që vetëm para disa ditësh, më 1 mars 2019 vendosi me ligj që emërtimet profesionale dhe titujt akademikë të kenë edhe formën e gjinisë femërore. E që shqipja e ka pasur ngahera. Vetëm nga 1 marsi 2019 pra, gruaja në Francë nuk është më „mjek, artist apo grua ambasadorit“, por „mjeke, artiste, ambasadore“.  Ky vendim nga shumë media franceze u pa si „akt i evoluimit shoqëror!“. Duhet ta theksojmë se gjininë femërore të profesioneve shqipja e ka pasur ngahera.

Duke qenë kështu, ne, në vend se të festojmë çoroditshëm, duhet të kujtojmë sakrificat e të gjitha grave para nesh, të shënojmë arritjet tona modeste, por  njëkohësisht të shtojmë angazhimin drejt përmbushjes së aspiratave për liri dhe barazi të plotë, sepse misioni ynë nuk ka përfunduar. Panalbanica

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK