Zërat
Rasim Alija
Rasim
Alija

Manual përdorimi për partitë politike 3.0. Tre hapa drejt 'suksesit'

Zërat March 04, 2019 - 08:46

Të gjendur në mes temave të mëdha e të imponuara nga pushteti, temat e vogla por me peshë të madhe injorohen e reduktohen deri në harresë. Madje askush nuk e kujton seancën e parë të Kuvendit të Republikës pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017. Por pse na qenka e rëndësishme ta kujtojmë seancën e parë?! Jo për nostalgjinë e cilësisë së ligjeve, të propozimeve, argumentet pro e kundër, sepse këto që moti nuk janë as dinamika e Kuvendit e as përpjekja e deputetëve.

Por diçka tjetër. Plot 19 deputetë të Kuvendit të Republikës jo shumë kohë pas inaugurimit të Kuvendit kishin ndërruar e kishin themeluar subjekt politik, kishin ndërruar e kishin hyrë në grupe tjera parlamentare e pak prej tyre kishin zgjedhur të vazhdojnë si të pavarur. Nëse do të ishin së bashku në një parti të 19 deputetët, do të ndanin me LVV-në pozitën e tretë në Kuvend sipas ulëseve dhe fuqisë së tyre.  

Por të 19-ët as nuk janë bashkë në një subjekt politik e as nuk janë ashtu siç kanë hyrë. Dymbëdhjetë prej tyre kanë marrë mandatet, kanë themeluar subjekt të ri politik dhe grup të ri parlamentar. Të dymbëdhjetit të cilët mandatet si deputetë i kishin fituar me mendje e me zemër, slogan i përdorur nga subjekti prej të cilit ishin ndarë, tanimë kishin zgjedhur edhe emrin e subjektit të tyre politik. Partia Socialdemokrate ishte emri e angazhimi i ri politik, por me poste të bartura  nga partia e vjetër, nga ajo e cila ishin larguar, nga Lëvizja Vetëvendosje. Së bashku me mandatet e postet e marra nga partia me të cilën i kishin firuar mandatet kishte filluar edhe tranzicioni i PSD-së si angazhim politik. Në një koalicion qeverisës, i cili mrekullisht e në mënyrë të pashoqe ka aftësinë ta bëjë fjalën skandal pjesë të çdo mëngjesi e të mbrëmjes të së secilës ditë. Në një koalicion qeverisës si ky, ku një deputet i vetëm ka mundësinë të emërojë e të shkarkojë tri herë radhazi ministrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në një koalicion si ky i tanishmi, ku zhvillimi ekonomik zëvendësohet me krimin ekonomik, ku transparenca e llogaridhënia zëvendësohen me shantazh e klientelizëm e ku reformat zëvendësohen me deforma, të dymbëdhjetit e PSD-së po e marrin më të mirën. Koalicioni me një krizë legjitimiteti që në krye të herës, e të dymbëdhjetit në një pasiguri për të ardhmen e tyre politike, pashmangshmërisht po prodhojnë simbiozën politike. Me mandatet e marra e me postet e bartura brenda komisioneve parlamentare në Kuvendin e Republikës, me postin e bartur në kryesinë e Kuvendit e me kushtin për vendosjen e një neni në Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike dhe në fund me kryesimin e ekipit qeveritar për dialogun me Serbinë, PSD-ja po arrin ta krijojë një manual krejt origjinal për të gjitha subjektet tjera politike. I reduktuar qëllimshëm për ta kuptuar lexuesit, manuali ka vetëm tri pika kryesore, prej të cilave pastaj derivojnë edhe një grumbull nënpikash. Pika e parë: garon dhe i fiton mandatet në Kuvendin e Republikës. Pika e dytë: fillo një proces shkëputjeje nga partia me të cilën i ke fituar mandatet, me arsyen e ngufatjes së demokracisë, të mospranimit të mendimit ndryshe, por pa zgjedhur që së pari të ballafaqohesh edhe me demokracinë e edhe me mendimin ndryshe brenda subjektit politik përmes garës së brendshme për udhëheqjen e partisë. Pika e tretë: pasi t’i kesh marrë mandatet dhe ta kesh bërë shkëputjen nga subjekti politik, në emër të demokracisë së brendshme, së bashku me dymbëdhjetë mandate i merr edhe emërimet në komisione parlamentare, dhe të gjitha përgjegjësitë tjera që vijnë me të qenit deputet e grup parlamentar. 

E gjithë kjo duket normale në zgjedhjen e tyre për t’u ndarë nga subjekti politik me të cilin kanë garuar në zgjedhje. Por manuali i PSD-së ka probleme legjitimiteti, shpërfaq nevojën e ndryshimeve ligjore dhe do të duhej ta bënte kauzë të secilit subjekt tjetër politik moslejimin e vendosjes së nenit në Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike të propozuar nga PSD-ja. Manuali i PSD-së ka potencial të jashtëzakonshëm që t’i shndërrojë zgjedhjet në një instrument sipërfaqësor, duke ia mbivendosur manualin me tri pika dhe duke u bërë model i legjislaturave të ardhshme. Rrjedhimisht është krejt e mundur që do të kemi parti satelitë që fitojnë vota si opozitarë, hyjnë në Kuvend si opozitarë, deklarojnë që janë opozitarë, por në fakt janë rregullatori e makina votuese e cila mban secilën qeveri që vjen, duke nxjerrë jashtë loje secilin instrument demokratik në Kuvend, duke përfshirë këtu edhe instrumentin e mocionit të mosbesimit. 

Por le t’i rikthehemi edhe një herë dy çështjeve që shënjojnë manualin e PSD-së. Urgjenca e ndryshimit të Rregullores së Kuvendit e emergjenca e moslejimit të nenit në Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike. 

Ndryshimi i Rregullores së Kuvendit

Kuvendi i Republikës punën e tij bazon në Rregulloren, e cila është nxjerrë në vitin 2010. Gjatë pothuajse një dekade me këtë Rregullore jeta parlamentare ka qenë e mbushur me situata e gjendje të jashtëzakonshme. As situatat dramatike, as paqartësitë ligjore brenda Kuvendit e as gjendjet e jashtëzakonshme ndër vite nuk kanë qenë mjaftueshëm argumente që Rregullorja të plotësohet e të ndryshohet. Si rezultat, jo rrallë e bukur shpesh seancat e Kuvendit i ngjasojnë një korridori të shkollës së mesme në kohën e pushimit të gjatë, ku zhurma mbyt secilin zë e ku kaosi e zëvendëson rregullin. Mungesa e deputetëve në seanca, paqartësitë në rastet e votimit të ligjeve e të propozimeve, përdorimi i gjuhës denigruese, e linçimit si instrument brenda Kuvendit janë vetëm disa nga çështjet që duhet rregulluar e duhen sistemuar brenda një rregulloreje të re për Kuvendin.

Kushtetuta e republikës e përcakton mandatin e deputetit si të panënshtruar ndaj asnjë mandati tjetër detyrues. Rrjedhimisht deputetët janë të lirë të lëvizin nga subjekti në subjekt, nga grupi parlamentar në një grup tjetër, të dalin të pavarur e të kundërshtojnë subjektin e tyre politik, siç ka ndodhur në rastin e zgjedhjes së presidentit të vendit, ku 10 deputetë të LDK-së nuk u ishin bindur partisë për dhënien e votës pro zgjedhjes së presidentit. Por meqenëse Kushtetuta nuk thotë gjë për manualin e PSD-së e diagnozën e çështjeve të tilla ua ka lënë akteve tjera ligjore, ilaçi duhet të jetë Rregullorja e Kuvendit. 

Meqenëse mandati i deputetit është i panënshtruar ndaj çfarëdo mandati tjetër detyrues, nuk është e njëjta edhe me bartjen e privilegjeve si deputet. Në rastin e emërimeve në komisionet e Kuvendit këto i takojnë subjektit politik dhe si të tilla nuk do të duhej të ishin të bartshme në rast që një grup deputetësh vendos të ndahet e të krijojë subjekt të ri politik. Në këtë frymë do të duhej të fillonte një debat për plotësimin e Rregullores së Kuvendit. Rregullorja do duhej të shqyrtonte opsionin e moslejimit të bartjes me automatizëm të funksioneve që përfshin çdo emërim në komisione parlamentare dhe kryesinë e Kuvendit në rastet e ndarjes nga subjekti politik nga i cili u janë dhënë emërimet. Argumentet pro e kundër këtij ndryshimi do të duhej të hapnin debatet edhe për legjitimitetin brenda Kuvendit dhe deficitin demokratik e kulturën politike të institucioneve e subjekteve politike. Mandatet e marra e privilegjet e bartura nuk kanë si të mos lidhen me vendosjen e nenit të propozuar në Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike si kusht i PSD-së për koalicionin PAN. Ky i fundit i dërrmuar deri në venitje nga rivaliteti i brendshëm e i lodhur deri në kërrusje nga ushtria e ministrave, e zëvendësministrave, e këshilltarëve, e koordinatorëve nuk do ta ketë problem kushtin nga manuali i PSD-së. 

Ligji për Financimin e Subjekteve Politike dhe neni i PSD-së

Në përpjekjet për t’i bërë partitë politike më transparente për financat e tyre, për të eliminuar keqpërdorimin e kontributeve e të fondeve e për t’i moskapur ato nga financimi i bizneseve të cilat shpërblehen nga partitë me tenderë sapo të vijnë në pushtet, Kuvendi i Republikës për 7 vjet me radhë kishte dështuar ta kryente një mision të tillë, të cilin e kishte mandat ligjor. Auditimi i raporteve financiare të subjekteve politike pas 7 vjetëve po bëhej vitin e kaluar. Brenda pak muajsh kompania fituese e përzgjedhur për të kryer auditimin po fuste në rëntgen raportet financiare të subjekteve politike që nga viti 2012 deri në vitin 2016.

Këto raporte kishin qëndruar në një zyrë të KQZ-së, në zyrën e certifikimit dhe të regjistrimit të subjekteve politike, e cila ishte përgjegjëse për publikimin e këtyre raporteve edhe të paaudituara, por një gjë të tillë nuk e kishte bërë asnjëherë. Rezultati ishte dështimi. Kishte dështuar Kuvendi ta kryente përzgjedhjen e auditorëve, kishte dështuar KQZ-ja t’i publikonte këto raporte, nuk po jepnin rezultat as presionet e shoqërisë civile rreth transparencës financiare të subjekteve politike. Duke hyrë në dy palë zgjedhjet e vitit 2017 kishte mjaftuar presioni i shefes së misionit të BE-së në Kosovë që subjektet politike të bënin aktive uebfaqet e tyre dhe me qykën e zorit të improvizonin dhe t’i publikonin disa raporte financiare në uebfaqet e tyre.

Për të qenë korrekt, për dallim nga subjektet e tjera politike LVV-ja kishte të publikuara që moti disa raporte financiare. Megjithatë në të gjithë këtë sagë dështimesh, një “tirk” ishte bërë. Fill pas proceseve zgjedhore të 2017-s shumë pak me vullnetin e institucioneve e shumë më shumë me presionet e BE-së e të shoqërisë civile pati filluar procesi i plotësimit e i ndryshmit të Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike. Nga versioni i parë që auditimi i financave të subjekteve politike të bëhet nga vetë këto të fundit e tek opsionet e tjera gjatë procesit të konsultimeve, Qeveria si për të dëshmuar vullnetin dhe seriozitetin e kësaj pune projektligjin kishte vendosur ta dërgonte për rekomandime te Komisioni i Venecias.

Ligji i miratuar në lexim të parë bën hapa tutje në rritjen e transparencës financiare të subjekteve politike, por këta hapa janë të pamjaftueshëm e në një pjesë bukur të madhe lënë çështjet urgjente të paadresuara si duhet. Ligji ia merr kompetencat Kuvendit lidhur me përzgjedhjen e auditorëve të financave të subjekteve politike dhe ia rikthen pas 8 vjetëve zyrës për certifikimin dhe regjistrimin e subjekteve politike, e cila funksionon në kuadër të KQZ-së. E njëjta zyrë, e cila shprehimisht kishte kërkuar që nuk janë të gatshëm të marrin një përgjegjësi të tillë dhe me të drejtë. Kjo zyrë pos që ka dështuar në publikimin e raporteve të subjekteve politike ndër vite, jo për shkak të zyrës, por për shkak të presioneve të ndryshme politike brenda KQZ-së, ka funksionuar me vetëm dy persona. Edhe atëherë kur është tentuar rritja e kapaciteteve të kësaj zyre me staf të ri ndër vite së paku tri konkurse të shpallura ishin anuluar. Si përfundim prej janarit kjo zyrë prej dy personave ka mbetur në një. Por ligji i ka injoruar të gjitha këto fakte duke ia ndryshuar emrin kësaj zyre, duke i dhënë buxhet dhe numër të mjaftueshëm të stafit, por duke e lënë zyrën në raportim në ndarje të buxhetit e edhe në emërimin e udhëheqësit të kësaj zyre të lidhur me kryesuesin/kryesuesen e KQZ-së.

E gjej vështirë të besueshme që zyra do të arrijë të bëhet ndonjëherë funksionale duke marrë parasysh memorien institucionale të kësaj zyreje. Ka gjasa reale që kemi krijuar një institucion, i cili ka ekzistuar edhe më herët, por ia kemi ndërruar emrin dhe kemi rritur stafin e buxhetin e krejt kjo do të shihet si shenja e radhës, e cila do t’i joshë subjektet politike për ta futur në kontroll e rrjedhimisht për ta kapur. Në rekomandimin e Komisionit të Venecias thuhet që u lihet institucioneve të Kosovës të vendosin se cili do të jetë institucioni që do të jetë përgjegjës për financat e subjekteve politike, duke marrë parasysh rrethanat tjera në të cilat është Kosova. Por Qeveria ka zgjedhur opsionin e zyrës, pa e sosur deri në fund opsionin që në vend të zyrës për regjistrimin dhe certifikimin e subjekteve politike të jetë opsioni i një zyre tjetër, i zyrës kombëtare të auditimit. Me pak sforcim e vullnet e me disa ndryshime ligjore opsioni i fundit do të mund t’i jepte rezultatet e pritura, edhe për shkak të besimit në këtë institucion e shumë më shumë në profesionalizmin e tij. 

Ligji parasheh edhe sanksione e kontroll financiar. Por të dyja janë të destinuara të dështojnë në mungesë të mekanizmave përcjellës. Pavarësisht shkeljeve nga subjektet politike, kalimit të afateve, gjetjeve nga auditimi i raporteve financiare të 2018-s, ku saktësohet që subjekte të caktuara politike kanë operuar me mbi 14 llogari bankare, asnjë gjobë e vetme nuk është shqiptuar. Pra nuk ka qenë mungesa e neneve në ligjin paraprak shkaku i mosshqiptimit të gjobave, por mekanizimi i cili do të vinte në lëvizje shqiptimin e këtyre gjobave. Po njëjtë është edhe me kontrollin financiar. Ligji nuk parasheh trupë inspektuese në terren, në veçanti në kohën e fushatave zgjedhore, ku milionat shpenzohen pa hesap e raportohen nga subjektet politike si thasë me pupla. 

Por nuk mjafton e gjithë kjo anemi në cilësinë e këtij ligji. Ligjit duhet t’i shtohet edhe neni i kushtetuar nga manuali i PSD-së. Pak a shumë ky nen thotë që në rastin ku më shumë se 6 deputetë themelojnë një grup parlamentar u takojnë edhe mjetet e ndara nga fondi për demokratizimin e Kuvendit të Kosovës. Aktualisht ky fond është 4.2 milionë euro. U takon subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës, sipas rezultatit zgjedhor të certifikuar nga KQZ-ja. Por si duket nuk do të jetë më kështu. Me nenin e propozuar nga PSD-ja tentohet që njëjtë si me rastin e bartjes me automatizëm të funksioneve brenda komisioneve parlamentare të bartet edhe e drejta e ndarjes së fondit, duke marrë nga subjekti politik prej të cilit je ndarë. PSD-ja nuk ka garuar në zgjedhje si subjekt politik, rrjedhimisht nuk do të duhej të kërkonte marrjen e fondeve nga subjekti prej të cilit janë ndarë. Një gjë të tillë kishte provuar ta bënte Lëvizja për Bashkim, duke e paditur LVV-në, por e kishte humbur rastin në gjykatë. Dhe është krejt e qartë që PSD-ja të insistojë. Bëhet fjalë për diku rreth 400 mijë euro, të cilat PSD-ja pretendon që janë të vetat. 

Pas marrjes së mandateve, të bartjes dhe të mbajtjes së pozicioneve brenda komisioneve parlamentare, që të kompletohet manuali i PSD-së duhet edhe pika e tretë. Marrja e 400-mijëshes. E në rast që ky nen vendoset e shtohet te Ligji për Financimin e Subjekteve Politike jo vetëm që do të prekte rëndë dinamikën demokratike të institucioneve, por do të merrte kuptim fjala e urtë popullore “Hin Ferat e dil Murat”, por ama Murat me 400 mijë euro.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK