Zërat

Kujdes me etikën kur raportohet për raste të ndjeshme

Zërat February 27, 2019 - 20:26
Lexo Detajet

Nga Musa Sabedini

Mos e harroni rastin e Hamdi Sopës, i cili është përshkruar me shkelje drastike të etikës dhe tani familja me të drejtë kërkojnë dëmshpërblim. Mos e harroni dhe keni parasysh se në 12 orët e para, pas vrasjes, mediat nuk preferohet të japin identitetin e viktimës dhe as fotografi, sepse mund të dëmtojnë rëndë procesin hetimor dhe të lëndojnë ndjenjat e familjarëve. Mediat, fillimisht mund të merren me thelbin dhe të dhënat periferike të vrasjes, e në asnjë mënyrë të bëhen publike foto dhe shënime apo të dhënat e të vdekurit - viktimës.

Kam shkruar edhe më herët për mënyrat e raportimit nga situatat e ndjeshme, që cilësohen raste tragjike, vrasje, vrasje të rënda, aksidente me fatalitet, dhunime, e raste të tjera, ku preket apo lëndohet mënyra e raportimit.

Edhe vrasja e djaloshit nga Prishtina, që ndodhi të mërkurën, edhe vdekja tragjike e tre personave në Prizren, po edhe rasti i abuzimit të vajzës nga Drenasi, dëshmojnë se sa të papërgjegjshëm dhe jo etik po tregohemi karshi këtyre rasteve të ndjeshme që po përshkruhen me shumë gabime e lëshime fillestare në fushën e etikës.

Mediat duhet të kenë parasysh se ka shumë kritere dhe mënyra për të shkruar e hulumtuar dhe ka shumë mënyra që të bëjnë raportim të drejtë, duke mos e shkelur apo dëmtuar etikën.

Jo vetëm bazuar në literaturën profesionale që ekziston për mënyrat e raportimit nga këto raste, por edhe nisur nga përvoja dhe në veçanti duke u bazuar në preambulën e KMSHK ku jepen detaje se si nuk duhet të raportohet për rastet e ndjeshme, ne duhet të jemi të kujdesshëm që të ruajmë me mençuri dhe delikatesë rastet ku flitet për vrasje e tragjedi.

Publikimi i fotografisë së viktimës, publikimi i personit të dyshuar në 12 orët e para pas vrasjes paraqet shkelje të etikës, sepse 12 orët e para janë të rënda dhe të panjohura për familjarët e të dyja palëve, janë të rënda dhe me stres për familjen e viktimës e cila mund të bie nën ndikimin e këtyre lajmeve të shtrembëruara dhe të fryra.

Ne duhet të jemi të kujdesshëm që mos ta zmadhojmë asnjë version të ngjarjes, madje duke shmangur edhe motivin e vrasjes, përderisa ai nuk bëhet publik nga policia apo prokurori hetues i vendit të ngjarjes.

Pra çka do të ishte e lejueshme që mediat të trajtonin në storiet e tyre në 12 orët e para pas vrasjes. Media apo gazetari ka mundësi ose i lejohet që të merret me motivin e vrasjes, por duke specifikuar dhe duke qenë i saktë, që mund të jetë politik, me motive të ulëta, paraja, fajdeja e motive të tjera. Pastaj mund të jepni të dhëna kryesore, p.sh, që i vrari është nga Prishtina dhe është i moshës 27-vjeçare, që viktima është mashkull dhe është nga kjo lagje e Prishtinës.

Këto informacione nuk paraqesin ndonjë shqetësim të madh. Por shqetësim dhe me çdo kriter që qon në dëm të etikës në rastet e raportimit të vrasjeve të rënda paraqesin titujt të ilustruar edhe me foto, në stilin: ”Ky është 27-vjeçari që u vra sot në Prishtinë” ose titulli tjetër: ”Ky është personi që dyshohet se vrau...”. Këta tituj janë të dëmshëm dhe lëndojnë familjarët dhe procesin e hetimit.

Për ta zhvilluar procesin e shkrimit dhe ngritur nivelin hulumtues pas 12 orëve, pra atëherë kur viktima varroset dhe atëherë kur gjakrat brenda familjes vijnë duke u “qetësuar” dhe sqaruar gjerat, gazetari i mirë, i sinqertë, i përkushtuar mund të nis një analizë apo hetim më të gjerë. Pra në 24 orët e ardhshme organet hetuese vetëm e kanë intervistuar të dyshuarin apo autorin e krimit dhe tani jeni më shumë të sigurt, me dokumente dhe deklarata në hetuesi dhe prokurori mund ta ndërtoni storien. Ju tashmë e dini se cili është motivi i vrasjes, sepse e keni deklaratën e të dyshuarit, ju i dini motivet që mund t`i thotë pala e dëmtuar, pra familja e të vrarit dhe gjithashtu nga këto të dhëna ju mund ta ndërtoni një tregim të balancuar për rastin konkret.

Edhe në këtë 24 orësh, vetëm nëse jeni të sigurt dhe në marrëveshje me policinë apo prokurorin, mund ta botoni foton e viktimës, por në asnjë mënyrë në orët e para pas vrasjes.

Në storien e gazetarit gjithashtu mund të shfrytëzohen dokumente, burime nga më të ndryshmet, deklarata të dëshmitarëve të rëndësishëm, mundësisht nga vendi i krimit, deklarata koncize të policisë, prokurorit hetues, që e ka parë vendin e ngjarjes dhe të gjykatësit paraprak, që i ka caktuar masën e paraburgimit të dyshuarit.

Është e pavend që në këso raste të raportohet për të dyshuarin si “vrasës”, derisa ai ligjërisht konsiderohet i dyshuar deri në gjykimin e plotfuqishëm. Këto kritere të raportimit janë të njohura për shumë media të shkruara dhe ato që janë profesionale dhe vërtet nuk e kam të qartë pse nuk tregohet një minimum i etikës.

Gjatë gjithë kohës sa mediat e shkruara merren me raportimin nga situatat e ndjeshme, gjithmonë kemi parasysh dhe insistojmë tek e vërteta, sepse ky është edhe parimi i parë dhe më i debatueshmi. Pra si ta zbulojmë të vërtetën rreth tragjedisë së ndodhur, aksidentit të rëndë me fatalitet, vrasjes apo vrasjeve tjera. Edhe raportimet nga vdekja e tre qytetarëve në Prizren, në një aksident trafiku, ishte për çdo kritikë, sepse kishte një sulm të panevojshëm të lajmeve të njëpasnjëshme. Vetëm përsëriteshin titujt dhe nuk thuhej asnjë e dhënë e freskët.

Çdo gazetar i ri apo edhe me përvojë synon që informacioni i tij mbi këto tragjedi apo vrasje, të jetë i vërtetë, sepse kur e themi qartë dhe saktë të vërtetën, atëherë kemi krijuar siguri personale, te vetvetja dhe siguri edhe tek lexuesi.

Nuk ka më mirë se media apo edhe gazetari i ngjarjes të tregohet i përgjegjshëm për atë që ka shkruar apo hulumtuar dhe nuk ka më mirë se brenda çdo shkrimi për rastet e ndjeshme të respektohen parimet e saktësisë, korrektësisë dhe objektivitetit.

Edhe tek këto raste të raportimit do të duhej të vlente thënia amerikane: ”Nëse edhe nëna të thotë të dua, verifikoje”.

Zakonisht kur ndërtojmë ose raportojmë për ngjarje të rënda, ne kemi parasysh verifikimin e çdo lloj burimi. Pra duhet të kemi kujdes nga burimet dhe ata që na flasin apo rrëfejnë për ngjarjen. Kur ngjarja është e ndërlikuar apo me hollësira teknike, është mirë që reporteri t`iu kthehet fakteve, duke mos bërë supozime.

Në të gjitha librat apo materialet që lidhen me rastet e raportimit nga rastet e vrasjes, është e pëlqyeshme që autori i shkrimit të marrë parasysh këto të dhëna: Emri dhe adresa e viktimës (ose viktimave), koha dhe vendi i ngjarjes, arma e krimit (nëse është e mundur), shkaku zyrtar i vdekjes, kush e ka gjetur trupin e viktimës, hulumtimi për gjurmët dhe motivet e vrasjes, komentet dhe deklaratat e policisë, prokurorit, avokatëve, miqve dhe fqinjëve, pastaj nëse viktima ka qenë e evidentuar në polici (a ka pasur dosje të hapur), cilat janë pasojat e vrasjes për familjen, miqtë, bashkëpunëtorët afarist etj.

Nëse policia ka arrestuar dorasin (vrasësin), atëherë duhet të mbledhim këto të dhëna:  Emri, mosha dhe adresa e të arrestuarit, të dhënat për viktimën, akuza e saktë dhe motivi i krimit, rrethanat e arrestimit, ku gjendet i arrestuari, a kishte dosje të hapur në polici etj.

........................................................

(Autori është gazetar me përvojë dhe ligjërues në Degën e Medias dhe Komunikimit në UBT)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK