Zërat
Halil Matoshi
Halil
Matoshi

Fatale: Serbia e pranon pavarësinë pa sovranitet të Kosovës!?

Zërat February 25, 2019 - 16:49
Lexo Detajet

Shërbimet inteligjente serbe, kanë nisë një fushatë të re në suaza të luftës speciale kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj, të cilëve synon t’ua inplantojë psikologjinë e faktit të kryer – kinse ShBA-ja dhe Fuqitë e Mëdha qëndrojnë prapa kësaj materie – dhe së dyti lansimi i këtyre 22 pikave të detajuara i shërben estabilishmentit të Serbisë si matje pulsi të publikut në Kosovë por edhe tek serbët e veriut të vendit dhe tek ata të jugut të Serbisë. Serbia nuk e pranon ushtrinë, thyhet karakteri unitar i Republikës e cila nuk njihet me emrin e saj kushtetues...

Kjo ‘draft-marrëveshje’ e lansuar në rrjetet sociale dhe në disa media të Prishtinës pavarësisht origjinës së saj fantome, është fatale për Kosovën shtet, sepse me 22 pikat e saj, me secilen, e cënon rendin kushtetues te Kosovës, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial të saj.

1.      E rikthen në tavolinat e bisedimeve çështjen e Kosovës, si çështje të pazgjidhur shqiptare - serbe duke i bâ disa mendjelehtë në Prishtinë, me e negociu pavarësinê dhe integritetin territorial, pra hyhet në projektin e shpërbërjës së Kosovës së 17 shkurtit;

2.      Destabilizohet ndjeshëm Ballkanin Perëndimor, secili kërkon hisen e vet të projektuar;

3.      Vërtetohet (vuloset) shtrirja e ndikimit rus në rajon;

4.      I shkelë tre parimet e panegociueshme të Grupit të Kontaktit që vlejnë si baza e arsyeshmërisë së shtetit kosovar;

5.      E hap deri në zhbërje Pakon  Ahtisaari;

6.      Abrogon Kushtetutën e Kosovës.

7.      Zhvlerëson verdiktin këshilldhënës të GjND-së;

8.      Kosova relativizohet si subjekt i të drejtës ndërkombëtare, sepse humb atributet e sovranitetit shtetëror mbi kufijtë dhe humb pronësinë në masë të madhe mbi resurset ekonomike kombëtare; Trepçën e KEK deri 35%, Ujmanin, përgjysmë;

9.      Për Mitrovicën parashikohet një model distrikti si i Brçko-s, qe then zinxhirin komandues të policisë;

10. Mitrovica jep passaporta të ndryshme nga Republika e Kosovës me çka përfundimisht thyhet karakteri unitar i saj;

11. Ia rikthen fuqinë UNMIK-ut sipas Rezolutës 1244 pra forcon ndikimin e OKB-së duke e bërë protektore të pavarësisë pa sovranitet të Kosovës;

12. Nuk e parasheh me asnjë rast ushtrinë e Kosovës dhe as anëtarësimin e Kosovës në NATO!?

13. Shkakton trazira (konflikt të armatosur të intensitetit të ultë) me qindra të vrarë, bartje tragjike të popullsive dhe refugjatë të rinj;

14. E rritë tendencen albanocentriste me të drejtë, sepse ekzistimi i mëtejm i Kosovës shtet, bëhet i pakuptimtë dhe Republika qytetare defunksionalizohet;

15. Mund të rrezikojë deri në shkatërim jetët dhe pronën e qytetarëve serbë në brendi të Kosovës;

16. Defunksionaluzon të gjitha të drejtat kushtetuese të serbëve që i kanë arritur tashmë:

a) Votën e dyfishtë në Kuvend për çështjet e interesit vital;

b) Pjesëmarrjën në Qeveri me postin e zëvendëskryeministrit;

c) Statusin e disa komunave me shumicë serbe “ahtisaariane”;

17. Kisha Ortodokse Serbe (KOS) fiton eksterritorialitet për Manastiret Mesjetare (Deçan, Graëanica);

18. Zveçani i kalohet OKB-së nën administrim;

19. Kosova humbë dy komuna (Leposaviqin e Zubin Potokun) me resurse të mëdha ekonomike - pasuri nëntokësore - dhe merr një komunë (Preshevën) me disa fshatra, pa infrastrukturë, pa asnjë resurs dhe me shumë probleme;

20. Serbia vazhdon të ruaj një ndikim asimetrik administrativ e buxhetor në pjesën që i aneksohet Kosovës;

21. Serbia nuk e njeh Republikën e Kosovës në emrin e saj kushtetues por si “Kosovo i Metohija” - emërtim kishtar që është menjanuar madje edhe nën Serbinë komuniste;

22. Kosova bëhet e varur në mënyrë të sofistikuar nga Serbia. Dhe problemi mbetët i pazgjidhur duke i ushqyer anmiqësitë edhe për një shekull tjetër.

 A janë këto arsye të bollshme që të vazhdojmë të jetojmë pa iluzionin e njohjës nga Serbia!?

“Nëse kjo njohje nuk vjen si kërkimfalje – thotë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj - për tragjedinë e shkaktuar shqiptarëve, njohje që këmbehet me territor dhe që nuk e pranon Kosovën e 17 shkurtit, nuk na duhet.”

Nisur nga këto kondita, Kosova politike duhet të mos lëviz fare në kahun e dialogut me Serbinë, i cili i menduar për normalizim ka devijuar në zyret e byrokratëve të Brukselit dhe çarqeve tjera që duan “zgjidhje jonormative”.

Kosovës nuk i duhet njohja e pavarësisë pa sovranitet dhe që e asgjëson atë gradualisht si entitet juridik-politik.

No, Thanks’

Ne, Hvala.

Jo, falemnderit!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK