Zërat

Edhe unë jam 'armik i popullit'!

Zërat January 30, 2019 - 17:08

Miqësia shqiptaro-amerikane nuk ka filluar dhe nuk do të mbarojë me presidentin Donald Trump. Për interesa të ngushta ky njeri tash dy vjet shpeshherë ka ngufatur jo vetëm institucionet amerikane, por edhe të vërtetën, duke e quajtur “fake news”, ndërsa mediet “armiq të popullit”

Politika e presidentit amerikan Donald Trump ka filluar të trazojë këto ditë edhe shqiptarët e Kosovës. I madh dhe i vogël flet i frikësuar për rrezikun e prishjes së raporteve bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të paralajmëruara si pasojë e mostërheqjes së taksës 100% të vendosur nga Qeveria e Kosovës për mallrat e prodhuara në Serbi dhe në Bosnjë e Hercegovinë.  

Është frikë legjitime, meqë jo më larg se para 20 vjetësh NATO-ja, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, i erdhi në ndihmë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u dha fund krimeve gjenocidale të Serbisë, të kryera në periudha të ndryshme ndaj shqiptarëve.

Dy muaj më parë, kur u vendos taksa, shumica dërrmuese e qytetarëve dhe e politikanëve ishin “për”, ngase ishte arma e vetme e papërdorur për t’iu kundërvënë sulmeve të pareshtura të Serbisë kundër Kosovës. Prej gëzimit dhe ndjenjës së përulësisë ndaj bashkësisë ndërkombëtare të shndërruar në adet për klasën politike në Kosovë, pakkush besoi se kjo taksë do të zgjaste një javë. Madje as një javë.

Tash, pas kërkesës së “vijës” së presidentit Trump në Washington, që kjo taksë të pezullohet pa kushte, disa politikanë (shumica servilë) po lëkunden, gjoja nga frika se Shtetet e Bashkuara do të heqin dorë nga mbështetja e shqiptarëve të Kosovës për të përmbyllur njëherë e përgjithmonë ngërçin me Serbinë. Kjo frikë do të ishte legjitime sikur këta politikanë të kishin pasur të njëjtën frikë dhe të kishin reaguar kaq shpejt kur Shtetet e Bashkuara kërkonin nga institucionet tona të luftohet korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi e ekstremizmi fetar. Ndoshta sot do të kishin përfunduar edhe bisedimet me Serbinë!

Tash, me gjithë të metat, pas çlirimit më 12 nëntor 1999 historia jonë ka marrë një kahe tjetër. Më 17 shkurt 2008, prapë me mbështetjen e Shteteve te Bashkuara, Kosova u shpall shtet sovran dhe i pavarur. Deri sot është njohur nga 115 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe pavarësisht se cila do të jetë e ardhmja e Serbisë, me Evropën ose me Rusinë, ky realitet është i pakthyeshëm dhe i pacenueshëm.

Presioni publik që po bëhet për të ruajtur gjoja miqësinë dhe raportet bilaterale midis Kosovës me Shtetet e Bashkuara është i pakuptueshëm dhe i panevojshëm, sepse nuk ka shqiptar që nuk e çmon deri në frymën e fundit kontributin e jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara për çlirimin dhe për pavarësimin e Kosovës. Taksa nuk ka të bëjë me raportet bilaterale midis dy vendeve, Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Nëse vërtetë kjo qasje e Kosovës prek interesat strategjike amerikane (të vendosura rishtazi nga administrata e presidentit Donald Trump), atëherë prapëseprapë këtë taksë duhet pezulluar duke e kushtëzuar Serbinë. Kushdo që e ka menduar të kundërtën, në Washington ose në Prishtinë, ka bërë analizë të gabuar.

Asnjë zyrtarë i lartë amerikan, asnjë mik që e njeh mirë çështjen e Kosovës nuk i ka kërkuar publikisht Qeverisë sonë heqjen e taksës për mallrat e prodhuara në Serbi dhe në Bosnjë e Hercegovinë. E vetmja, kemi një deklaratë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë të lëshuar në kohën kur qeveria amerikane ishte e mbyllur, të shkruar keq, në stilin e “administratorit” të presidentit Donald Trump, ku përveç rrezikut të prishjes së raporteve bilaterale midis dy vendeve paralajmërohen edhe analistët që i japin përkrahje mbajtjes së taksës në fuqi si rrezik për “interesat strategjike amerikane”.

Kjo i bie që unë si gazetar të mos kem guxim të mbështes taksën për mallrat e një shteti, i cili punon 24 orë kundër shtetit tim, sepse dikush në Washington, Prishtinë e gjetiu, që po lobon për një “strategji të re”, do të më etiketoj si “komentator” që punoj kundër interesave strategjike amerikane, rrjedhimisht kundër Kosovës.  

Është situatë shqetësuese, por e di që deklarata e fundit e Ambasadës Amerikane ishte joserioze. Miqësia shqiptaro-amerikane nuk ka filluar dhe nuk do të mbarojë me presidentin Donald Trump. Për interesa të ngushta ky njeri tash dy vjet shpeshherë ka ngufatur jo vetëm institucionet amerikane, por edhe të vërtetën, duke e quajtur “fake news”, ndërsa mediet “armiq të popullit”. Prandaj “armiqtë e popullit” siç i quan presidenti amerikan mediet si “The New York Times”, CNN-në etj. janë rreshtuar në mbrojtje të fjalës së lirë dhe të vlerave tjera të demokracisë amerikane të lënduara prej tij.

Prandaj edhe unë, si gazetar, si “një armik i vogël i popullit”, nuk mund të pajtohem me heqjen pa kushte të taksës për mallrat serbe, rrjedhimisht as me deklaratën e fundit të Ambasadës Amerikane në Kosovë. Nuk mendoj si kryeministri Haradinaj që heqjen e taksës ta kushtëzojë me një konferencë ndërkombëtare, sepse nuk është nevoja për një të tillë, as me njohje nga Serbia e liberalizim vizash nga Bashkimi Evropian, por gjithsesi duhet kushtëzuar me heqjen e çdo barriere ekonomike që Serbia është duke ia bërë Kosovës prej 20 vjetësh. Por nëse taksa qenkësh vërtet kusht për vazhdimin e bisedimeve, që nuk është, por ta zëmë si të tillë, atëherë në mirëbesim ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës Kosova duhet të pezullojë taksën duke vendosur të paktën një kusht - zbardhjen e fatit edhe të 1660 trupave të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit, të varrosur diku në rrethina të Beogradit, të hedhur në Danub ose të djegur në furrat e Borit.

Në fund të fundit, cilado qoftë arsyeja, Washingtoni zyrtar nuk e ka të vështirë t’i bindë 1.8 milion qytetarë të Republikës së Kosovës për asgjë. Edhe nëse ka një strategji të re, vetëm duhet t’ua dëftojë miqësisht katër-pesë liderëve të partive tona përse duhet hequr taksën pa kushte. Por jo kështu, jo aq më tepër kur dihet se Kosova nuk është projekt “ad hoc” as i yni, as i Shteteve të Bashkuara dhe i vetmi që mund të pësojë në këtë rast është kryeministri Ramush Haradinaj.

Rrëzimi i Haradinajt nuk do të ishte zgjidhja më e mirë për heqjen e kësaj takse, por të paktën le të dihet botërisht që një qeveri e Kosovës ra për të mos iu nënshtruar “pushtimit modern” nga Serbia dhe një politike të panjohur “amerikane”, e cila prej dy vjetësh ka krijuar mosbesim në gjithë Evropën.

(Autori është gazetar, opinionist)

 

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK