Zërat
Adnan Rrustemi
Adnan
Rrustemi

Premtimi i shtetit skelet

Zërat January 29, 2019 - 12:04

Nuk ka asnjë qytetar të Republikës përveç nomenklaturës qeverisëse dhe familjarëve të tyre që është i kënaqur me gjendjen në vend. Dallojnë vetëm arsyet e pakënaqësisë dhe vrulli me të cilin e shprehin dëshpërimin me gjendjen e rëndë dhe të pashpresë në dukje, por për shkaqet ka një pajtueshmëri të gjerë -  është kasta e qeveritarëve që në të shumtën ishin grabitqarë, jo shtetarë.

Dikush mund t’i kundërpërgjigjet këtij konstatimi me atë se vetë populli i ka zgjedhur dhe se populli e ka pasur dhe e ka në dorë edhe sikterisjen e tyre. Ky pa dyshim se do të ishte një argument më shumë për ta justifikuar gjendjen e pashpresë sesa për ta shpjeguar e për ta ndryshuar atë. Në pamje të parë korrekt, por sipërfaqësor e brenda skemave të pushtetit ose e pakta në kurthin e tij. Madje edhe ata që janë kundër një konstatimi të tillë subjektivisht ndihen se Kosova e tillë është e pajetueshme.

Thellë-thellë kasta nuk është vënë nga populli, edhe më hiç nuk e përfaqëson atë, por po duhet të hiqen nga populli. Ata kanë rrëmbyer konjukturalisht pushtetin për ta kapur shtetin.

Njëzet vjet pas çlirimit e në vigjilje të njëmbëdhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë një vëzhguesi të pavëmendshëm do t’i dukej si vendnumërim, kurse një tjetër më shumë i vëmendshëm do ta argumentonte edhe empirikisht ecjen reale prapa. 

Çdo përvjetor të ri të pavarësisë shumëfish më shumë rreziqe e sfida i shfaqen Republikës e qytetarëve. Do të duhej të ishte e kundërta. Çdo vit më shumë pavarësi, më shumë arritje shtetërore e mirëqenie të qytetarëve, më shumë mundësi e krenari dhe më pak pasiguri do të duhej të kishim.

Animi i lavjerrësit kah rreziqet dhe sfidat nuk janë për shkak të pavarësisë, përkundrazi për shkak të kontestimit të pavarësisë dhe për shkak të babëzisë së pushtetarëve. Mbi të gjitha për shkak të përdorimit të shtetit e territorit si monedhë për kusuritje për të mbetur sa më gjatë në pushtet. Është pushteti i tyre, andaj ekziston shteti.

Është pohimi që i bëjnë vetes anëtarët e kastës e mohimi që i bëjnë shtetit. Kjo duhet të përmbyset: është shteti, andaj ekziston edhe pushteti, është mohimi i kastës që po i bëjnë qytetarët e pohimi që duhet t’i bëjmë shtetit.

Le ta risjellim në analogji legjendën e qerosit siç e zbërthen dhe e përdor shkrimtari Kadare. Qerosi bie në botën e poshtme dhe nga atje e kupton se nuk ka mundësi të ngjitet në botë. Një plak i atyndodhur i thotë se ai di një mënyrë sesi mund të dilet, është një zhgabonjë e cila mund ta nxjerrë lart, por kësaj duhej t’i plotësoheshin disa kushte. Nga padurueshmëria qerosi është i gatshëm t’i plotësojë çfarëdo kushti që të jetë. Plaku i tregon se zhgabonja gjatë rrugës për në botë kërkon të hajë mish, në të kundërtën do ta hidhte prapë në humnerë.

Qerosi i gatshëm furnizohet me mish dhe fillon udhëtimin. Sa herë që zhgabonja krrokaste qerosi duhet t’i jepte një copë mish. Por rruga nga fundi i botës ishte e gjatë dhe e largët, derisa askund nuk shihej drita e botës së lartë qerosit iu harxhua mishi. Ai e dinte se në çastin që nuk do t’i jepte mish zhgabonja do ta hidhte prapë në humnerë.

Andaj, në krrokatën e saj të radhës qerosi detyrohet t’i japë mish nga krahu i tij e kështu vazhdoi deri në fund. Kësisoj, një ditë të bukur qytetarët që po shëtisnin në bulevard panë një shpend të zi që po dilte nga poshtë me një skelet njeriu në sqep. Trajektorja e ngritjes së tyre nga nëntoka ishte paguar me zbritjen e vetë Republikës në fundin e tokës. Njëzet vjet shkatërrim e zvetënim nga brenda dhe nënshtrim ndaj Serbisë nga jashtë.

Dhe kur kuptojnë se nuk u ka mbetur tjetër gjë për ta rrëmbyer imagjinata e tyre kërcënuese rroket për ta mohuar e kontestuar shtetësinë. Të shërbyer me skenarë të vjetër të Beogradit për ndarje territoriale, sa i besojnë si autentike, thonë se po e shpëtojnë Kosovën, po e nxjerrin nga fundi i tokës përmes sqepit të Serbisë, nga fundi që e kanë hedhur vetë.

Tamam si legjenda e Qerosit, që për ta nxjerrë nga fundi i errësirës duhet të japin pjesë nga trupi i saj si ushqim për Serbinë, ushqim nga territori i Kosovës. Njëherë e përfshinë brenda përmes 33 marrëveshjeve politike, secila për çështjet e brendshme të vendit, tash nga territori i saj. Ngaqë rruga e daljes në dritën e qiellit sipas tyre është e gjatë, sepse zhytja ishte e thellë, do të na duhet që  pjesë-pjesë nga pjesët e shtetit t’i japim Beogradit. Dhe kështu pjesët zëvendësohen nga pjesët tjera, ngase apetitet e Serbisë janë aq të mëdha për Kosovën, aq sa kur kasta do të thotë se megjithatë dolëm në breg krejt çfarë mbetet nga shteti i Kosovës është veç skeleti i tij, që të habisin të gjithë ata që do ta shohin në fund. Edhe veten, madje edhe Beogradin.

Qytetarët kanë humbur shumë nga vitet e tyre, nga mirëqenia e tyre e munguar për kamjen e kastës. Por, duhet të përpiqemi ta përfytyrojmë për një çast se si do të dukej Kosova pa këta, pa këto re të zeza të përvetësimit e pangopësisë. Nga mungesa e tyre në krye të institucioneve, madje në institucione nis e qartësohet pamja, të shihet mundësia e perspektiva nga zhvillimi në vend të korrupsionit, fitohet siguria sociale nga barazia, drejtësia e luftimi i varfërisë në shkaqe e në pasoja, arsimi cilësor e shëndetësi shëruese.

Në vend të qasjes racionale, e cila do të nxiste një sjellje që bazohet në përpjekjen dhe rezistencën për liri e pavarësi, rrokje të fuqishme pas vendimit të GND-së për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë, njohjes së mbi 100 shteteve dhe argumenteve politike e juridike në anën e shqiptarëve të Kosovës, presidenti në një verë të nxehtë i përmbys të gjitha dhe kur thërret që të bëhemi të arsyeshëm ka në mendje e në qëndrime zhveshjen e shtetësisë nga përmbajtja, mohimin e integritetit shtetëror si atributi themelor, refuzim të rezistencës e zhvleftësim edhe të vendimit të GJND-së edhe të mbi 100 njohjet e pavarësisë.

Fitorja më e madhe e Serbisë gjatë këtyre muajve ende pa filluar zyrtarisht negociatat është shembja e themeleve të shtetit të Kosovës në dy drejtime: në mesin e vetë institucioneve të Kosovës kontestohet integriteti shtetëror duke i vënë në dyshim kufijtë dhe hamendësimin që ka shkaktuar te shtetet që e kanë njohur Kosovën dhe ato që e kanë shqyrtuar njohjen.

Disa prej tyre më serioze ndodhen në pritje e disa të tjera po kalojnë tashmë në hapin tjetër përmes çnjohjeve. Kësisoj, Serbia ka arritur tashmë të këpusë kordonin e Republikës së Kosovës si vullnet dhe deklarim me zanafillat e saj historike. Rolet janë përmbysur brenda pak muajve, kurse Thaçi thjesht po përjetëson raportin gjunjëzues të Kosovës para Serbisë, të përmbysur të paktën nga lufta e fundit dhe me shpalljen e pavarësisë.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK