Zërat
Enver Robelli
Enver
Robelli

Shumë skllotë, shqotë, sqotë, baltë e llucë në kënetën politike shqiptare

Zërat January 27, 2019 - 22:46
Lexo detajet

U shkri apo nuk u shkri bora – politikanët e Kosovës (dhe të Shqipërisë) në komunikimet e tyre kanë rënë në nivel të ngatërrestarëve të qebaptoreve dhe këngëtareve histerike të estradës.

Ishte në Davos presidenti i Kosovës. Në Forumin Ekonomik Botëror (WEF). Nuk zhvilloi ndonjë takim për të thënë. Kancelaren gjermane nuk e takoi, por i takoi kancelarin austriak dhe një komisioner të BE-së po ashtu austriak, të cilët përkrahin rrudhjen territoriale të Kosovës, një opsion që Angela Merkel e hedh poshtë.

Në Davos presidenti i Kosovës i dha një intervistë një gazete zvicerane që shpërndahet falas nëpër stacione të trenit. Në naivitetin epokal më interesante janë pyetjet e gazetarit se sa përgjigjet presidenciale, me përjashtim të kësaj: «Greta (Thunberg) është pjesë e Davosit. Të jesh ambientalist për mua sot ka domethënien e patriotizmit më të madh që mund të demonstrosh. Kjo vlen për Kosovën, rajonin dhe përtej. Të jesh patriot sot nuk domethënë të zhvillosh luftë, por të mbjellësh pemë».

Ndërsa shumica e vendeve perëndimore po bëjnë plane konkrete për t’i dhënë fund mihjes së qymyrit, në Kosovë pushteti ka vendosur të ndërtojë edhe një termocentral. Jo rastësisht sidomos gjatë dimrit Prishtina është një ferr i vërtetë sa i përket cilësisë së ajrit. Por, këto janë gjëra të parëndësishme për një president që flet për rëndësinë e të qenmit pemëmbjellës në një vend si Kosova ku pushteti i tij rrëzon kodra për t’i marrë gurët për të shtruar rrugë, ku grabitqarët prishin shtratin e lumenjve dhe presin male – dhe askush nuk i ndalë. Fundja, edhe kryetari i Serbisë në Davos foli për lirinë e mediave në një panel me gazetarë e aktivistë të të drejtave të njeriut. Mungoi në Davos vetëm edhe Pablo Escobari për të folur mbi dëmin që shkakton konsumimi i kokainës.

Avazin e të folurit me ton joserioz presidenti i Kosovës e vazhdoi menjëherë pas aterrimit në Prishtinë. «Bora ka zënë të shkrihet shpejt… Uroj të mos bëhet skllotë!» – ky ishte ngacmimi i radhës nga profili i kryetarit në Facebook. Ngacmimi kishte një adresë – kryeministrin, i cili në pyetjen se kur do të hiqte tarifën ndëshkuese ndaj prodhimeve serbe, u përgjigj: «Bora do të shkrihet dikur».

Pas kërkesës së Ambasadës së Superfuqisë për pezullimin e tarifës, presidenti po sillet si Marinari Popaj në filmin e famshëm vizatimor. Deklarata e Ambasadës së Superfuqisë për presidentin është si racioni me spinaq që e merrte Marinari Popaj për të zhvilluar përleshjet e tij me grushte. Ngacmimi me borë e me skllotë i përshtatet shumë mendësisë së kryetarit. Në përgjimet që janë bërë publike ky politikan thoshte se rivalët e tij do të çmenden kur të marrin vesh se do të takohet me «Hillarinë» (Hillary Clintonin). Me një rast i thoshte një kolegu të partisë se me amerikanët do të luante… (lexuesit e vëmendshëm e dinë vazhdimin).

Jo vetëm nga dita e sotme në kënetën tonë politike ka shumë skllotë, shqotë, sqotë, baltë e llucë. Ish-presidenti i Shqipërisë Sali Berisha në mënyrë konsekuente po vazhdon ta quajë kryetarin e Kosovës «argat të Serbisë», kjo është një deklaratë absurde e tij. Por, jo befasuese. Në fillim të gushtit kryetari i Kosovës papritmas atakoi rëndë Sali Berishën. E akuzoi se ka bashkëpunuar e bërë tregti me diktatorin serb Sllobodan Millosheviq dhe se e ka strehuar Osama Bin Ladenin në Shqipëri në vitet ’90. Tani atij nga Berisha i ngjitet shpesh etiketa «argat të Serbisë». «Kush akuzon (Hashim) Thaçin për tradhtar, është gomar», me këto fjalë Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, u përpoq t’i dalë në mbrojtje partnerit të tij të preferuar politik në Prishtinë. Ky pozicionim e ka bërë Edi Ramën në Kosovë palë të njërit kamp politik dhe rrjedhimisht jokredibil për të dhënë ndonjë kontribut në unifikimin e faktorit shqiptar në Prishtinë përballë vështirësive që e presin Kosovën.

U shkri apo nuk u shkri bora – politikanët e Kosovës (dhe të Shqipërisë) në komunikimet e tyre kanë rënë në nivel të ngatërrestarëve të kafehaneve dhe këngëtareve histerike të estradës. Fjalët më vulgare kanë pushtuar hapësirën mediatike. Dikush shan me nënë, e dikush me motër, dikush e quan rivalin politik gomar dhe i fyeri ia kthen: «Ti je shpellar».

Sa e largët duket koha kur Naim Frashëri shkruante: «Dua të dal maj malit, të shoh gjithë Arbërinë, / vëllezërit shqiptarë, që venë në pun’e vinë, / burrat trima me besë dhe shpirtmir’e punëtorë, / dhe fushatë gjithë lule e maletë me dëborë». Sa i përket britmës së presidentit të Kosovës se: «Bora ka zënë të shkrihet shpejt… Uroj të mos bëhet skllotë!», vlen porosia e shkrimtarit gjerman Hans Kasper: «Edhe dordoleci më i madh, në pranverë bëhet pus». Sidomos atëherë kur presidenti nuk përfaqëson unitetin e popullit, siç e përcakton Kushtetuta, por shndërrohet në një grindavec qebaptoresh. Edhe grindavecët e qebaptoreve kanë profil në Facebook. Ky soj politikanësh nuk e nxjerrin as Kosovën, as Shqipërinë nga kjo llapërçinë e llurbë./Dialogplus.ch

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK