Zërat
Muhamet Hamiti
Muhamet
Hamiti

Gjermania e vendosur t'i mbyllë termocentralet, Kosova të ndërtojë një të ri

Zërat January 27, 2019 - 09:52
Lexo Detajet

Gjermania është e vendosur të mbyllë të gjitha termocentralet (centralet që përdorin thëngjill për të prodhuar energji elektrike) deri në vitin 2038, simbas një plani që ka miratuar një komision qeveritar sot (e shtunë, 26 janar 2018).

Simbas këtij plani, Qeveria federale do të bëjë transfere të mëdha financiare – rreth 40 miliardë euro në 20 vitet e ardhshme – te rajonet e Gjermanisë ku minierat e thëngjillit dhe energjia e prodhuar prej thëngilli luajnë rol të rëndësishëm.

Komisioni kërkon që Qeveria t’i mbrojë amvisnitë dhe sektorin privat nga rritja e çmimit të energjisë shkaku i mbylljes graduale të termocentraleve, që mund t’u kushtojnë taksapaguesve 2 miliardë euro shtesë për vit.

Me planin e këtij komisioni qeveritar synohet që Gjermania t’u bashkohet një numri gjithnjë e më të madh të vendeve në botë që kanë vendosur t’i japin fund përdorimit të thëngjillit, burim i madh i emetimit të gasërave të serrës (greenhouse gases), dioksid karbonit e gasërave të tjera.

Gazeta “The Financial Times” citon njërin nga kryetarët e komisionit qeveritar, Ronald Pofalla, të ketë thënë se mbyllja e termocentraleve do t’ia mundësojë Gjermanisë, ekonomisë më të madhe në kontinent, që t’i përmbushë synimet për të ngadalësuar ndryshimet klimatike. “Kjo është një arritje historike”, u ka thënë ai gazetarëve në Berlin.

Deri në fund të vitit 2022, Gjermania do të ulë prodhimin e energjisë nga thëngjilli nga 42 gigavatë në 30 gigavatë.

Në ndërkohë, në këtë javë që po e lëmë pas, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka dhënë këtë njoftim pas një mbledhjeje të Qeverisë sonë:

“Një lajm i veçantë për sot është se investimi më i madh që nga paslufta në vlerë prej 1.3 miliard e ka pa dritën. Sot në Mbledhjen e Qeverisë nga përfaqësuesi i Contour Global jemi informuar se janë siguruar financat, në shkurt përzgjedhet projekti financiar dhe teknik për të proceduar në mars me punët e terrenit dhe për pak muaj edhe me ndërtimin e termocentralit "Kosova e Re". Ky investim do të sjellë një revolucion në rritje ekonomike, i cili do të arrijë deri në 7%.”

Nuk është njoftuar se nga do të sigurohen paratë (kreditë) për ndërtimin e “Kosovës së Re”. “Banka Botërore ka njoftuar në tetor të vitit 2018 se nuk e mbështet ndërtimin e “Kosovës së Re”, sepse nuk do të investojë në projekte që përdorin thëngjillin.

Prodhimi i thëngjillit në SHBA do të bjerë 21% në 20 vjetët e ardhshme, përkundër përpjekjeve të Presidentit Trump për ta ringjallur këtë sektor, ka shkruar “The Financial Times” sot.

Qeveria amerikane përkrah ndërtimin e “Kosovës së Re”.

Organizatat për mbrojtjen e mjedisit në Gjermani i janë gëzuar lajmit të sotëm për planin e qeverisë për mbylljen e termocentraleve, ndonëse janë shprehur se do të donin që kjo të ndodhte me ritme më të shpejta.

Planet për ndërtimin e “Kosovës së Re” janë kundërshtuar nga ambientalistët e Kosovës.

Autor: Muhamet Hamiti

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK