Zërat

Politikë e plogët e Gjermanisë ndaj Kosovës

Zërat January 26, 2019 - 11:25
Lexo tjera detaje

Angela Merkel sërish është deklaruar kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës. Shumë mirë. Por, ka ardhur koha që Berlini të tregojë se cila është përgjigja pas këtij kundërshtimi, për çka angazhohet Gjermania në rajon, a e ka ndërmend t’i bëjë presion Serbisë ta pranojë shtetësinë e Kosovës?

Fatkeqësisht, jo. Fatkeqësisht, Gjermanisë po i mjafton një qëndrim i plogët kundërshtues lidhur me kufijtë – pa plan e pa ide si se më tutje. Atëherë – ç’të bëjë Kosova?

T’ia tregojë muskujt Amerikës? Më mirë jo. Por, gjithsesi duhet të mendohet për një mobilizim popullor për bojkotimin e mallrave të Serbisë për aq kohë sa ky shtet mban qëndrim armiqësor kundër Kosovës. Kush blen prodhime serbe le të izolohet e trajtohet si «pošteni Albanac» («shqiptar i ndershëm») si në vitet ’90.
Viti 2010
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, si ministër i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 27 gusht 2010 deklaroi: «Pavarësia e Kosovës e ka përmbyllur kapitullin e vendosjes së kufijve dhe copëtimeve në territorin e ish-Jugosllavisë. Harta e Ballkanit Perëndimor është përcaktuar përfundimisht. Pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial janë fakte». Pak a shumë të njëjtin mesazh ai më parë e kishte përcjellë edhe në Beograd. Sipas tij, pavarësia e Kosovës është realitet, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) është i qartë, harta e shteteve pasardhëse të ish-Jugosllavisë është përcaktuar.

Viti 2011
Kancelarja gjermane Angela Merkel e vizitoi Beogradin në vitin 2011. Gjatë konferencës për shtyp ajo u konfrontua hapur me presidentin e atëhershëm Boris Tadiq. Merkel tha se Gjermania e ka pranuar Republikën e Kosovës, ndërsa Serbia jo. «Kjo është një situatë ku duhet të ecim përpara», tha Merkel. Kjo ishte një kërkesë e qartë e Merkelit ndaj Serbisë që të pranojë pavarësinë e Kosovës.

Vitet 2012-2019
Gjatë gjithë këtyre viteve Gjermania përkrahu pothuaj pa rezervë Aleksandër Vuçiqin, i cili së pari ishte ministër i Mbrojtjes, pastaj zëvendëskryeministër, kryeministër dhe nga 2017 president i Serbisë. Kalkulimi ishte ky: në sytë e serbëve Tadiqi është tepër proeuropian dhe i moderuar, andaj nuk ka guxim të pranojë pavarësinë e Kosovës. (Ky vlerësim është i saktë). Rrjedhimisht, sipas bindjes gjermane, duhet përkrahur Aleksandar Vuçiqi, i cili me shpejtësi marramendëse e hoqi gëzofin e çetnikut dhe u hodh në kostumin e proeuropianit. Si i tillë ai kontrollonte masën e votuesve nacionalistë dhe një ditë, herët apo vonë, Vuçiq do të pajtohej me pavarësinë e Kosovës. Gjermanët shpresuan dhe nuk i bënë presion. Ndërkohë gjërat ndryshuan. Vladimir Putini pushtoi një pjesë të Ukrainës, në SHBA në postin e kryetarit u zgjodh një antipolitikan, i cili nuk merakoset për rendin botëror, mendon për dalje nga NATO, ofendon aleatët gjysmëshekullorë dhe thotë se është dashuruar në mënyrë platonike në diktatorin e Koresë së Veriut. Vendimi i britanikëve për të braktisur Bashkimin Europian shkaktoi huti, panik e kaos nga Roma e Parisi deri në Berlin. Çështja e Kosovës i mbeti në dorë një politikaneje të paaftë italiane në Bruksel. Ajo nuk i bëri presion Serbisë. Përkundrazi: ajo toleroi politikën serbe të sabotimit të shtetësisë së Kosovës, njëkohësisht Serbia u shpërblye me përparim të dukshëm në procesin e negociatave për anëtarësim në BE. Por, nuk ka pasur vetëm Federica Mogherini fuqi ta bëjë këtë. Edhe Gjermania e ka përkrahur këtë politikë. Marrëdhëniet mes Merkelit dhe Vuçiqit kanë qenë të afërta. Me talentin e tij qesharak për të aktruar nxënësin e dëgjueshëm Vuçiq arriti t’i bëjë përshtypje edhe Merkelit.

Ndërkohë…
Meqë s’kishte mbikëqyrje e presion nga BE që negociatorët e Prishtinës dhe Beogradit të arrijnë marrëveshje për rregullimin e marrëdhënieve të tyre, që në fund të fundit domethënë pranim i pavarësisë së Kosovës nga Serbia, presidenti i Serbisë dhe i Kosovës filluan të flasin për ndarjen e Kosovës (sipas palës serbe), respektivisht korrigjimin e kufijve të Kosovës (sipas presidentit të Kosovës). Është e pamundur që diplomatët gjermanë të mos kenë pasur njohuri për këtë zhvillim. Veçanërisht në dy tri vitet e fundit të dy presidentët kanë investuar shumë në grupe lobimi për ta «rrudhur» Kosovën – secili sipas kalkulimeve të veta. Vuçiqi shpreson se nëse shfaqet para serbëve me lajmin se një e katërta e territorit të Kosovës mbeti nën Serbi, atëherë marrëveshja do të kalojë. Kryetari i Kosovës shpreson se nëse Serbisë i jepet një copë e parëndësishme e Kosovës, të cilën na e ka falur një Aleksandër tjetër, pra Aleksandër Rankoviqi, Beogradi do të pajtohet me pavarësinë e Kosovës dhe shtetësia e Kosovës do të konsolidohet. Por, në këtë muhabet janë kyçur edhe akterë të tjerë: kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e ka zbuluar Kosovën si një adoleshent që e zbulon një afrodiziak. Kalkulimi i tij është ky: «Nëse i kërcënohemi BE-së se po nuk na pranove, do të bashkohemi me Kosovën, atëherë BE do të lëshojë pe dhe do të fillojë integrimin e Shqipërisë». Nëse BE fillon negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë, çështja e bashkimit me Kosovën do të hiqet shpejt nga tavolina. Kjo është një lojë cinike në kurriz të Kosovës. Por, Kosovën në treg e kanë nxjerrë politikanët e saj dhe ky është problemi më madhor.

Për çka jeni, zonja Merkel?
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po insistojnë që disa probleme në Ballkan t’i heqin qafe. Zgjidhja e çështjes së emrit të Maqedonisë sot mori epilogun përfundimtar në Athinë. Në rastin e Kosovës SHBA-të nuk kanë përjashtuar korrigjimin e kufijve. Domethënë Washingtoni ka një ide. E çfarë ideje ka Gjermania? Angela Merkel qëndroi edhe sivjet në Davos, në Forumin Ekonomik Botëror. E takoi Vuçiqin, të cilin e ftoi në Berlin. Për aq sa u bë publike, ajo nuk e takoi presidentin e Kosovës. 

As nuk e ftoi në Berlin. Angela Merkel sërish, kësaj radhe në malet e Zvicrës, u deklarua kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës. Shumë mirë. Por, ka ardhur koha që Berlini të tregojë se cila është përgjigja pas këtij kundërshtimi, për çka angazhohet Gjermania në rajon, a e ka ndërmend t’i bëjë presion Serbisë ta pranojë shtetësinë e Kosovës?

Fatkeqësisht, jo. Fatkeqësisht, Gjermanisë po i mjafton një qëndrim i plogët kundërshtues sa i përket kufijëve – pa plan e pa ide si se më tutje. Këtë javë gazeta «Süddeutsche Zeitung» botoi një portret të gjatë të ministrit të Jashtëm Heiko Maas. Esenca e tekstit është kjo: Maas është qe një vit kryediplomat gjerman dhe po udhëton gjithandej nëpër botë. Por, pa marrë parasysh a shkon në Moskë, Bagdad apo tani në Washington – nuk është ende tamam e qartë se për çka angazhohet ai dhe çfarë dëshiron? Në rastin e Ballkanit e njëjta mund të thuhet edhe për Angela Merkelin.

Kosova është në situatë të rëndë jo vetëm për shkak të marrëzive të politikanëve të saj, por edhe për shkak të kaosit në politikën ndërkombëtare dhe për shkak se ata që e çliruan Kosovën më 1999 për herë të parë nuk janë të një mendjeje se si do ta zgjidhin çështjen e Kosovës. Këtij kaosi i ka kontribuuar edhe plogështia disavjeçare gjermane. Mund të ndodhë që në muajt e ardhshëm Gjermania të mbesë gati e vetmuar me qëndrimin e saj, ndërkohë që fuqitë tjera mund të favorizojnë edhe më qartë rrudhjen e territorit të Kosovës.

Një gjë është e qartë: nuk duhet pasur shumë shpresa se Gjermania e shpëton Kosovën nga ndarja, por, gjithashtu, politikanët e Kosovës, në radhë të parë kryeministri i Kosovës, nuk duhet të kapardiset si maçoku në thekër se mund t’ia tregojë muskujt Washingtonit. Heqja e tarifave ndëshkuese ndaj Serbisë (dhe Bosnjës) mund ta nxjerrë kryeministrin sërish si politikan të pabesueshëm para opinionit. Por, më mirë do të ishte nëse krejt politikanët e Kosovës të punonin aktivisht për mobilizimin e qytetarëve për të mos blerë prodhime serbe. Në vitet ’90 shqiptarët arritën t’i izolojnë dhe përbuzin të gjithë ata që bashkëpunonin me Serbinë dhe nga Beogradi quheshin «shqiptarë të ndershëm». Nëse nuk ka kërkesë, nëse qytetarët vetëdijesohen dhe nuk blejnë prodhime serbe për aq kohë sa Serbia mban qëndrim armiqësor ndaj Kosovës, atëherë Beogradi s’do të fitojë gjë edhe nëse hiqet tarifa.

Duhet menduar në mënyrë kreative në shumë drejtime. Dhe një gjë për fund të këtij teksti: nën presionin amerikan (dhe gjerman) edhe Zvicra bukur e fuqishme qe dorëzuar dhe pati hequr dorë nga sekreti bankar, i cili ia ka mundësuar Zvicrës t’i mbajë të fshehura miliarda legale e ilegale pa dhënë informacion mbi origjinën e parave. Nëse Merkel këto ditë deklarohet se i përkrahë tarifat ndëshkuese ndaj prodhimeve serbe dhe në takimin e ardhshëm me Vuçiqin do t’ia bëjë të qartë se pa njohjen e Kosovës do të ndërpriten bisedimet për anëtarësim në BE – nëse bën vaki kjo, atëherë kryeministri do të ketë një argument për t’u treguar pak më këmbëngulës ndaj kërkesës amerikane për heqjen e tarifës.

Gjasat që kjo të ndodhë janë të vogla, për të mos thënë inekzistente. Mund të shpresohet se Donald Trumpin do ta mbështesë për muri hetuesi Robert Muller. Por, a do të fillojë pastaj një proces për largimin e Trumpit nga Shtëpia e Bardhë? Nuk ka asnjë garanci për këtë. A është zgjidhje nëse Kosova rri e pret derisa të krijohen rrethanat e favorshme për të? Është për të dyshuar. Shumë./Dialogplus.ch

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK