Zërat
Boiken Abazi
Boiken
Abazi

Dialogu, i hedhur mes stuhish

Zërat January 21, 2019 - 13:43
Lexo detajet

ABC-ja e praktikës dhe e teorisë së marrëdhënieve ndërkombëtare fillon me konstatimin se politika e jashtme është reflektim i politikave të brendshme të një shteti dhe se marrëdhënia mes tyre është dialektike. Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë, por edhe aleati ynë kryesor ushtarak, SHBA-ja, janë sot në një situatë tejet të polarizuar të politikave të brendshme, me mospajtime të thella mes pjesëmarrësve kryesorë politikë dhe institucioneve të shtetit. BE-ja është në prag të zgjedhjeve, por me shumë paqartësi para një fushate që ka gjithë predispozitat për të ngjallur polemika të ashpra. Në këtë kohë erërash të forta politike që janë ngritur brenda shteteve në Perëndim, çdo nxitje për ta përshpejtuar dialogun Kosovë - Serbi i hedh interesat kombëtare nëpër stuhi.

Kosova ka pësuar së fundmi dy disfata në arenën ndërkombëtare: dështimi për anëtarësimin në UNESCO dhe në INTERPOL. Prej daljes në skenë të propozimit për copëtimin e territorit, është rritur numri i përfaqësuesve të shteteve (aktualisht në 10) që kanë deklaruar se kanë tërhequr njohjen e pavarësisë. Propozimi për ndarjen e Kosovës është koduar me terma të ndryshëm nga presidenti Thaçi, që pretendoi edhe autorësinë, por është bërë e qartë se kemi të bëjmë me copëtim dhe se ky është një propozim i hershëm i Serbisë prej kohës së Millosheviqit. Sakaq, së brendshmi, dy partitë kryesore të opozitës në Kosovë, të cilat përfaqësojnë mbi 50% të elektoratit, kanë kundërshtuar zëshëm presidentin dhe Qeverinë, si dhe Ekipin Negociator të krijuar me përfaqësues të disa partive që nuk e kalojnë pragun elektoral. Koalicioni multipartiak në pushtet nuk e ka shumicën në Kuvend dhe mezi qëndron në këmbë me një patericë të punuar përmes shkëputjes së disa deputetëve nga Opozita. Skandalet e Qeverisë bien mbi popullin për çdo muaj me breshëri. Sakaq, Kosovës i është shtuar etja për zhvillim ekonomik dhe institucione që rilegjitimohen me demokraci.

Në Shqipëri furtuna e zhvillimeve të brendshme së fundmi ka marrë para 8 ministri, drejtimi i të cilave ka ndryshuar. Opozita dhe presidenti kanë dalë hapur kundër propozimeve të Hashim Thaçit për dialogun me Serbinë. Përplasja e brendshme në Shqipëri për këtë temë kulmoi me refuzimin e emërimit në krye të diplomacisë shqiptare të një personi pa përvojë, që kishte treguar publikisht një interes ndaj propozimeve të Thaçit për dialogun. Reagimet e shumta nga Kosova dhe nga Shqipëria në përkrahje të këtij refuzimi ngjizën një frymë të përbashkët të opinionit të gjerë publik. Për më shumë, protestat e studentëve krijuan një atmosferë mobilizim masiv që ka ngritur pikëpyetje të shumta mbi drejtimin e politikave të brendshme, të cilat edhe ashtu kanë qenë të trazuara publikisht nga disa ngjarje komprometuese të politikanëve të ndryshëm. Kosova është vendosur në qendërskenë të zhvillimeve politike në RSH, siç dhe do të duhej të ishte, dhe ideja për ndarjen e Kosovës i ka ndarë edhe më tej pjesëmarrësit kryesorë politikë.

Përtej Oqeanit, erërat e forta të zhvillimeve të brendshme në SHBA po shndërrohet në një uragan politik. Pas shumë dorëheqjeve dhe zëvendësimeve në administratën e presidentit Trump, rreth 800.000 punëtorë të nivelit federativ nuk e kanë marrë rrogën e parë këtë vit në një ngjarje që njihet si mbyllja e pjesshme e qeverisë. Demokratët, që tash udhëheqin në Kongres, nuk po e miratojnë buxhetin e propozuar nga presidenti për shkak edhe të mospajtimeve për murin me Meksikën. Përplasja ka vajtuar deri aty sa kryetarja e Kongresit i ka kërkuar këtë javë presidentit të mos e mbajë në Kongres fjalimin e përvitshëm ku presidenti i adresohet legjislativit dhe popullit amerikan. Konsensusi liberal në SHBA është zhbërë. Për shkak të këtij uragani, SHBA-ja nuk po flet më me një zë sa i takon politikës së jashtme dhe as nuk e ka qetësinë për ta trajtuar në favorin tonë dialogun me Serbinë. Gabim fatal do të mundë të rezultonte për shqiptarët tentativa për të zgjidhur një nga çështjet më rëndësishme kombëtare pikërisht tani.   

Një rikthim në kontinentin tonë na bën të kuptojmë se po fryn era e fushatës për zgjedhjet e Parlamentit Evropian. Sondazhet e BE-së tregojnë se është rritur më shumë se kurrë numri i atyre që e shohin Unionin si diçka të mirë (62%), por që gjysma e qytetarëve mendojnë se BE-ja po ecën në drejtimin e gabuar. Kjo ka për t’i shtyrë forcat politike të japin alternativa më të skajshme në këto zgjedhje, duke rritur mundësinë për polarizim. Emigracioni, ekonomia, punësimi i të rinjve dhe siguria janë tema kryesore për qytetarët. Por ata kanë gjithashtu shqetësimin e madh për ndërhyrje nga aktorë të jashtëm përmes manipulimit të lajmeve dhe të të dhënave personale, sulmeve kibernetike, etj. Vëmendja është përqendruar edhe te epilogu që do të marrë Brexiti dhe te përpjekja për t’i dobësuar forcat politike të ekstremit të djathtë. Fushata “de facto” ka nisur dhe Ballkani nuk është temë, edhe për shkak “të lodhjes” së qytetarëve prej zgjerimit të mëtejshëm të BE-së. Insistimi për përshpejtimin e dialogut me Serbinë në këtë kohë fushate është krejtësisht i gabuar, pasi i hedh negociatat me Serbinë në mes të përplasjeve për zgjedhjet (kur ndërkohë nuk është as temë) në BE dhe i bënë ato objekt manovrash për përfitime të shpejta dhe afatshkurtra elektorale nga zyrtarët e BE-së që janë të përfshirë. Shqiptarët, pala më e dobët në këtë dialog, në këtë mënyrë vendosen edhe më në rrezik.  

 

Në nivel ndërkombëtar nuk ka zhvillime për një marrëveshje të favorshme Kosovë - Serbi. Ajo që po tenton ta shfrytëzojë në maksimum këtë sezon stuhish të brendshme në Perëndim është Rusia, e cila vazhdon përpjekjet për shtrirjen e ndikimit në Ballkan përmes Serbisë. Më 17 janar 2019, gjatë vizitës së tij në Beograd, Putini nënshkroi 26 marrëveshje me Vuçiqin. Kush ngutet, qoftë edhe pa vetëdije, përfundon në planin e Rusisë. Por, vitin e kaluar, pas takimeve të Thaçit me Medvedevin dhe me Putinin, mund të thuhet pa asnjë ngurrim se Thaçi po nxiton sepse ai nuk ka asnjë paqartësi. Gjykata Speciale në Hagë, edhe pse krejt e padrejtë për shqiptarët, ka nisur thirrjet dhe marrjet në pyetje. Ajo e ka trazuar edhe më tej Kosovën dhe e ka shtuar pabarazinë mes palëve në dialog. Politikisht, ajo i rri Thaçit mbi kokë si gijotinë. Për të shpëtuar kokën kemi parë që Thaçi është i gatshëm të lidhet edhe me Rusinë.

Në këtë situatë, durimi çan stuhitë. Në lidhje me dialogun shqiptarët duhet të presin, por jo të rrinë. Shumëçka mund të realizohet në pritje, nga vlerësimi i munguar i 33 marrëveshjeve me Serbinë, të shtrimi i kërkesave ndaj Serbisë. Por, mbi të gjitha, Kosova duhet të shkojë në zgjedhje që legjitimimi i qeverisjes së vendit të vendoset me demokraci. Konsolidimi i brendshëm institucional i Kosovës, pas zgjedhjeve, do t’i hapte rrugën një platforme dhe strategjie të qëndrueshme karshi Serbisë, duke unifikuar qëndrimin edhe me Republikën e Shqipërisë. Konsolidimi i brendshëm përmes demokracisë është rruga e nevojshme që duhet të ecim për t’u konsoliduar edhe ndërkombëtarisht. 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK