Zërat
Bardh Frangu
Bardh
Frangu

Të gjithë jemi bërë PISA

Zërat January 18, 2019 - 08:09

Shteti i keq edhe qytetarin e mirë e bën të keq, ndërsa shteti i mirë edhe qytetarin e keq e bën të mirë. Duke u bazuar në këtë, të gjithë jemi bërë të këqij, përkatësisht të gjithë jemi bërë pisa. Ndaj, të kërkosh që këta liderë politikë ta kuptojnë rëndësinë e arsimit është një gjë e kotë. Epo nuk është çudi që kryeministri kërkon një pagë gjashtëfish më të lartë se të profesorit, me arsyetimin se i duhet t’i ndërrojë kravatat! Ose në rastin tjetër kur deputeti, në mbrojtje të privilegjeve të tij, shprehet në foltore të Parlamentit se nuk mund të barazohet me një mësues katundi!

Arsimi është në gjendje vërtet të rëndë, madje në një gjendje zor të riparueshme. Arsyet për këtë janë të shumta, por kryesorja ndër to është politizimi i shkollës. Pra, faji mbi të gjitha bie mbi këtë klasë politike tejet të papërgjegjshme dhe me prirje ekstreme për t’i konceptuar institucionet shtetërore si mundësi plaçkitjeje. Të fajësosh personelin arsimor si të papërgjegjshëm në një vend ku politika ka krijuar mundësi të pakufishme për trafikim e dije është vërtet hipokrizi e madhe, gjë kjo e cila u shpërfaq tash më dendur me rastin e futjes në grevë të punëtorëve të arsimit, të cilët nuk e bëjnë këtë gjë për ngritjen e pagave, por që të kihet parasysh pozita e tyre e drejtë në kuadër të Ligjit për Pagat, i cili është konceptuar ashtu siç është më së keqi.

Mbase greva e punëtorëve të arsimit do të duhej të shfrytëzohej si mundësi e mirë për të korrigjuar ligjin në gjithë dimensionin e tij, në mënyrë që të zvogëlohen diferencat krejt të paarsyeshme të pagave. Në këtë kontekst greva do të duhej të vlerësohej edhe nga të tjerët, përkatësisht nga ata të sferave dhe të institucioneve të ndryshme. Po kjo gjë nuk po ndodh, përkundrazi. Mbase në shumë medie, portale dhe rrjete sociale ndeshim komente që me një përbuzje të jashtëzakonshme dhe me një gjuhë thjesht pezhorrative flasin për punëtorët e arsimit, duke i identifikuar ata me pisa, duke u mbështetur në testin PISA. Kjo gjë sigurisht që shpërfaq krizën tonë të thellë morale, brenda së cilës më së keqi e ka pësuar arsimi si bartës i një fryme iluministi, kaq domethënëse për periudhën më të vështirë nëpër të cilën ka kaluar shoqëria jonë.

Dhe ndryshe nuk mund të jetë, sepse shteti i keq edhe qytetarin e mirë e bën të keq, ndërsa shteti i mirë edhe qytetarin e keq e bën të mirë. Duke u bazuar në këtë, të gjithë jemi bërë të këqij, përkatësisht të gjithë jemi bërë pisa. Ndaj, të kërkosh që këta liderë politikë ta kuptojnë rëndësinë e arsimit është një gjë e kotë. Epo nuk është çudi që kryeministri kërkon një pagë gjashtëfish më të lartë se të profesorit, me arsyetimin se i duhet t’i ndërrojë kravatat! Ose në rastin tjetër kur deputeti, në mbrojtje të privilegjeve të tij, shprehet në foltore të Parlamentit se nuk mund të barazohet me një mësues katundi!

Përderisa në vendin tonë nuk funksionon fare interesi publik, por ai i bandave politike, si ka mundësi të kemi një arsim më të mirë?! Arsimi është interesi publik më i rëndësishëm në një shoqëri, por kjo gjë duket ende është larg, shumë larg të kuptohet nga kjo kastë politike, e cila ka kapur institucionet shtetërore nëpërmjet injorancës, duke e mbuluar atë me diploma dhe me tituj të blerë, në mënyrë që të ruhet pushteti i gënjeshtrës dhe mashtrimit.

Të gjithë e dinë që në shkollat tona së pari ka nevojë për një rend dhe disiplinë e jo për reforma false, nëpërmjet të cilave përfitojnë grupe të caktuara të lidhura ngushtë me politikën. Ka nevojë për drejtues shkolle që me shembullin e tyre personal motivojnë personelin arsimor e jo si tash që e bëjnë të kundërtën, ndërsa vijnë nga struktura partiake për ta shndërruar shkollën në bastion të partisë që e ka dërguar. Vërtet është e pakuptimtë të kërkosh përgjegjësi nga mësimdhënësit kur ende nuk e kemi instaluar institucionin e përgjegjësisë, po përkundrazi po e jetojmë kohën kur avancohen të papërgjegjshmit dhe shtypen e nënçmohen të përgjegjshmit.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK