Zërat

Vajtimet dhe mallkimet kundër Gjykatës Speciale si dëshmi e hipokrizisë

Zërat January 14, 2019 - 15:45
Lexo detajet

Klani «Pronto» zapton Këshillin Prokurorial të Kosovës. Gjykatësit vendorë dalin dhe thonë se janë kundër një vendimi të trupit gjykues të dominuar nga gjykatësit ndërkombëtarë. Dëshmitarët kërcënohen ose vdesin në rrethana«misterioze». Qe, pra, disa shembuj përse u krijua Gjykata Speciale.


Ka disa ditë që nëpër dynjanë shqiptare të mediave sociale ka shpërthyer një duf i madh kundër Gjykatës Speciale (GJS). Ajo quhet antishqiptare dhe antikosovare, opinioni alarmohet se GJS do të njollosë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Madje pushtetarë e ish-komandantë të UÇK-së përdorin vokabular krejtësisht të pavend për luftën çlirimtare, duke e quajtur atë «luftë të shenjtë».

Këtë gjuhë e përdor zakonisht Ismail Hania, njëri prej krerëve të Hamasit në Rripin e Gazës dhe tipa kësodore të proviniencës islamiste. Në rastin e Kosovës do të mjaftonte të thuhej: lufta nuk ishte zgjedhje e jona, ne rrokëm armët për t’u vetëmbrojtur nga terrori i Serbisë, të cilin bashkësia ndërkombëtare një kohë të gjatë e shikoi me indiferencë, por më 1999 intervenoi për të ndalur një gjenocid në tentativë.

Gjykata Speciale quhet e padrejtë, sepse na qenkësh krijuar «vetëm për shqiptarë», ndërkohë që kriminelët serbë të luftës shëtisin të lirë. Është e vërtetë që Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën e saj; për krimet masive të Serbisë tashmë nuk ka asnjë dilemë: gati komplet udhëheqja e këtij shteti (me përjashtim të Sllobodan Millosheviqit) është dënuar me burg për mizoritë në Kosovë. Kjo assesi nuk mjafton, sepse krahas urdhërdhënësve dora e ligjit duhet t’i godasë edhe akterët që kanë kryer krime në terren.

Megjithatë, vajtimet, mallkimet e lamentimet në Kosovë kundër Gjykatës Speciale janë dëshmi e hipokrizisë. Për të kuptuar përse Kosova erdhi deri këtu, duhet ditur se çka ka ndodhur me drejtësinë kosovare. A ju kujtohet kur në një qytet në Kosovën qendrore dilnin njerëzit në rrugë dhe ia zbulonin identitetin një dëshmitari të mbrojtur? A ju kujtohet kur dëshmitarët e mbrojtur në Kosovë dhe në Hagë «befas» tërhiqnin deklaratat që kishin dhënë më herët, bëheshin pishman për atë që kishin deklaruar pas betimit se do ta thonë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën? A ju kujtohet arrestimi i disa personave të jetës publike të Kosovës nga Tribunali i Hagës për shkak se kishin shkuar deri në Skandinavi për të ndikuar te një dëshmitar? Njëri nga dëshmitarët e mbrojtur në një gjykim tha: «Nuk e di nëse e kam thënë, por ndoshta e kam thënë sepse njerëzit po thoshin të njëjtën gjë».

Pak kosovarë e dinë kush është Jean-Charles Gardetto. Në vitin 2011 ky raportues i Këshillit të Europës publikoi një raport të hollësishëm mbi trajtimin e dëshmitarëve në Ballkan. Në atë dokument një vëmendje e madhe u kushtohet edhe dëshmitarëve të krimeve të luftës në Kosovë. Gardetto theksonte se dëshmitarët në Kosovë frikësohen dhe janë të frikësuar, ata po ashtu shpesh janë të shqetësuar madje për jetën e tyre. Për trajtimin e krimeve të luftës është e domosdoshme që dëshmitarët të jenë të mbrojtur. Vetëm pas dëshmive të besueshme mund të ketë ballafaqim me të kaluarën dhe padrejtësia e bërë ndaj viktimave të marrë përgjigje nga drejtësia e pavarur. Frikësimi i dëshmitarëve ka për pasojë mbetjen e krimeve të patrajtuara nga drejtësia dhe kësisoj hapet rruga që në jetën publike të luajnë rol njerëz, të cilët vendin e kanë në burg.

Mbi këtë dokument alarmues të Jean-Charles Gardetto është raportuar në mënyrë kryesisht rutinore në Kosovë, nuk është marrë aq seriozisht nga politika dhe është harruar nga opinioni. Siç ka «harruar» shoqëria e Kosovës se si në tetor 2009, dy ditë pas shpalljes së vendimit për dënimin e Rrustem Mustafës dhe bashkëpunëtorëve të tij për krime të luftës, anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Rrahman Ratkoceri, deklaroi publikisht se gjatë shqyrtimit dhe votimit ai nuk është pajtuar me dënimin e shqiptuar, sepse e konsideron atë të padrejtë ndaj të akuzuarve. Ai e arsyetoi zbulimin e të dhënave për mënyrën e votimit me kërcënimet të cilat i kishte marrë pas shqiptimit dhe shpalljes së aktgjykimit. Këshilli Gjyqësor i Kosovës kërkoi inicimin e procedurës diciplinore ndaj gjykatësit Rrahman Ratkoceri, i cili u suspendua. Më vonë EULEX-i ngriti aktakuzë kundër tij, kësaj radhe për korrupsion, por pastaj ai u shpall – i pafajshëm si shumë kolegë të tij gjykatës.

A e ka menduar dikush se kur një gjykatës del e thotë se ka marrë kërcënime për një vendim dhe tani ka vendosur ta bëjë publike votën e tij, duke ua hedhur fajin «ndërkombëtarëve të mallkuar», kjo dëshmon mungesën e zotësisë së plotë të veprimit të sistemit gjyqësor të Kosovës? Për këtë rast dhe shumë arsye të tjera u themelua Gjykata Speciale, e cila e vë Kosovën nën kujdestari për shkak të mungesës së zotësisë së Kosovës për t’u ballafaquar vetë me anët e errëta të së kaluarës. Dëshminë e radhës se përse u themelua Gjykata Speciale na e dha sot klani «Pronto» me zaptimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

A i kujtohet ndokujt kur komandantët e gjithëpushtetshëm kapnin për kravate gjykatësit dhe i kërcënonin se do t’i vrisnin? Kur komandantët e zgjedhur deputetë shkonin nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës në ndërtesën e ish-Gjykatës së Qarkut, e cila gjendet nja 100 metra larg parlamentit. Nuk është se komandanti përkatës nuk kishte kondicion të ecte 100 metra. Jo, ato 100 metra i kalonte me kolonë të xhipave për të treguar fuqinë e tij.

Ditëve të fundit është zhvilluar një fushatë bukur e pistë kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila gjoja paskësh pasur një komision për mbledhjen e dëshmive për krime të luftës dhe ky komison paskësh dorëzuar edhe të dhëna për krimet eventuale të UÇK-së. LDK nuk ka pasur komision për njollsojen e UÇK-së, por ka mbledhur të dhëna për krimet që janë kryer – edhe ndaj krerëve të LDK-së. Kjo është punë fisnike, jo antikombëtare. Vërtet, a mendon dikush që LDK, shoqëria, mediat është dashur të heshtin pas vrasjes së Haki Imerit, Ismet Rracit, Smajl Hajdarajt, Xhemail Mustafës? Për këto vrasje po heshtin komandantët e UÇK-së dhe heshtja e tyre është mjaft indikative. Por, mos të presin nga shoqëria e Kosovës që të solidarizohet me heshtjen e tyre cinike. Janë mbi 1600 persona të pagjetur dhe kjo është një plagë e madhe për shoqërinë kosovare. Por, shumica shqiptare duhet ta kuptojë se në mesin e atyre ka edhe qindra serbë e romë, shumica prej tyre civilë. Edhe familjet e tyre duhet të marrin përgjigje se çfarë është bërë me fatin e anëtarëve të tyre.

Klithmat e shtuara të ditëve të fundit sidomos nga Lëvizja Vetëvendosje se «po të ishim ne në pushtet nuk do t’ju dorëzonim në Hagë» janë vetëm lojëra populliste. Nuk ka arritur t’i shmanget drejtësisë ndërkombëtare as Kroacia kur Haga i kërkonte ekstradimin e Ante Gotovinës dhe të tjerëve. (Mes tyre vetëm kosovari Rrahim Ademi u tregua hero i vërtetë: shkoi vullnetarisht në Hagë, pastaj Haga ia dorëzoi lëndën e tij drejtësisë kroate, e cila e shpalli të pafajshëm. Edhe Gotovina në instancën e dytë në Hagë doli i pafajshëm). Por, të ritheksojmë, as Zagrebi nuk arriti ta sfidojë bashkësinë ndërkombëtare sa i përket drejtësisë. Kroacia nuk e përballoi dot as presionin e Gjermanisë. Pak ditë para 1 korrikut 2013, kur Kroacia hyri në BE, parlamenti në Zagreb miratoi një ligj, i cili ndalonte ekstradimin e shtetasve kroatë në vendet e BE-së. Synimi ishte që të mbroheshin nga ekstradimi në Gjermani dy udbashë: Josip Perkoviq und Zdravko Mustaq, të cilët pas shembjes së Jugosllavisë i kishin shërbyer regjimit të Franjo Tugjmanit. Në shenjë proteste kancelarja gjermane Angela Merkel nuk erdhi në Zagreb për të kremtuar hyrjen e Kroacisë në BE. Qeveria kroate qe e detyruar t’i ekstradojë Perkoviqin dhe Mustaqin në München, ku ata u dënuan me burg të përjetshëm për vrasjen e disidentit dhe ish-menaxherit të INA-s, Stjepan Gjurekoviq. (Në lidhje me këtë një fusnotë: po të kishte Kosova drejtësi serioze, ajo do të kishte filluar qëmoti bashkëpunimin me palën gjermane lidhur me zbulimin e vrasësve të Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës. Perkoviq dhe Mustaq mund të jenë ndër zyrtarët e lartë të shërbimeve jugosllave që kanë informacion për këtë krim).

Asgjë, ama bash asgjë nuk sjell mallkimi i Dick Marty-it për shkak të raportit të tij. Sepse nëse Dick Marty paskësh qenë antishqiptar, atëherë i tillë na qenkësh edhe Clint Williamson, prokuror e diplomat amerikan, i cili ka ardhur në përfundime pothuaj të njëjta me raportin e Dick Marty-it, i cili, në të vërtetë, është raport i Këshillit të Europës. Këtë raport as politikanët e Kosovës, as opinioni i gjerë nuk e ka marrë seriozisht. Gjykata Speciale do të ishte shmangur nëse menjëherë pas publikimit të raportit të apostrofuarit do të ishin tërhequr nga skena politike dhe nëse do të kishte vepruar me nguti drejtësia vendore. Kjo nuk ndodhi. Dhe bashkësia ndërkombëtare veproi: vendosi të themelojë Gjykatën Speciale. Me vite të tëra nga PDK dhe parti të tjera që thonë se po mbrojnë «vlerat e luftës» u bënë përpjekje për të penguar miratimin e ligjeve përkatëse në parlament. Kur bashkësia ndërkombëtare i mbështeti për muri komandantët dhe sidomos Hashim Thaçin, i cili kur flet për mediat e huaja thotë «kam qenë larg frontit», ndërsa kur flet për media të Tiranës thotë se ka luftuar si dragua, pra kur s’kishte më rrugëdalje – Gjykata Speciale kaloi në parlament. Para një viti u bënë përpjekje për të zhbërë këtë gjykatë, por pas ndërhyrjes gati fizike të ambasadorëve të shteteve që e kanë bërë Kosovën shtet – nisma e Thaçit dhe shokëve të tij dështoi.

Sot Kadri Veseli e kishte parë të udhës ta akuzojë LDK-në se po i «fërkon duart» në pritje të veprimeve të Gjykatës Speciale. Një deklaratë të tillë mund ta bëjë vetëm një politikan i papërgjegjshëm. Sepse Veseli është bërë kryetar i Kuvendit të Kosovës me vota të LDK-së, Hashim Thaçi është bërë kryetar i Kosovës me vota të LDK-së. Në këto poste ata janë zgjedhur edhe për t’i shpëtuar nga goditja eventuale nga Gjykata Speciale – dhe këtë e dinë shumë mirë të dy, edhe Thaçi, edhe Veseli.

Pothuaj askush në Kosovë nuk ndjen entuziazëm për aktakuzat eventuale që mund t’i publikojë Gjykata Speciale. Por, siç po shihet, shoqëria nuk është e gatshme ta bllokojë e djeg Kosovën për të penguar ekstradimin e ndonjë komandanti në Hagë. Imazhi i komandantëve të UÇK-së në Kosovë është kryesisht i keq. Dhe arsyen e dinë ata vetë. Jo pak prej tyre janë sjellë si kapadai sidomos pas luftës, janë pasuruar në mënyrë të paligjshme, e kanë parë veten mbi ligjin. Për të tillët shoqëria, sado e frikësuar prej tyre, ka një përgjigje: përbuzjen e heshtur.

Që nga lufta e Kosovës kanë kaluar 20 vjet. Shumë dëshmi janë zhdukur, shumë dëshmitarë nuk jetojnë më ose nuk duan të dëshmojnë ose i kanë ndryshuar dëshmitë. Eksperti i së drejtës ndërkombëtare Manfred Nowak nga Instituti Ludwig-Boltzmann në Vjenë mendon se për hetime në terren tashmë është vonë. Për të shpallur aktgjykime të besueshme duhen dëshmitarë, të cilët është vështirë të gjenden. Gjykata Speciale është një përpjekje e dëshpëruar e bashkësisë ndërkombëtare për të prekur të paprekshmit e Kosovës. Por, s’ka garanci se në këtë mësymje do të ketë sukses. Sidoqoftë, është mirë që të dyshuarit po dorëzohen vullnetarisht, duke mos u shkaktuar Kosovës probleme të mëdha me bashkësinë ndërkombëtare, siç i shkaktonte Ante Gotovina Kroacisë deri në një ditë dhjetori të vitit 2004, kur u arrestua në një restorant në Tenerifa të Spanjës./dialogplus.ch

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK