Zërat

Gent Cakajn e përmbysi parapolitika

Zërat January 13, 2019 - 19:31
Lexo Detajet

Shkruan: Salih Mehmeti

Mosdekretimi i Gent Cakës në krye të diplomacisë shqiptare është komploti i një pjese të politikës shqiptare për të sabotuar projektin pivotal që do të fytyrëzojë gjeopolitikën e rajonit për dekadat në vijim. Refuzimi i presidentit Ilir Meta shkon përtej arsyetimeve çapraze të mungesës së verifikimit të sigurisë, qëndrimeve diskutabile apo hesapeve të tjera. Për fat të keq, Qeveria e Shqipërisë u privua nga një aset i rrallë, nga një i ri dijedashës, zgjedhja e të cilit sfidoi traditën e ngulitur që aksh ministri duhet të jetë nevojisht ose partiak ose me një të kaluar si serviceman i dikurshëm i partisë. Së këndejmi, kjo mungesë e një fan-base e bëri Cakajn tabelë qitje nga detraktorë të hakërryer. Si inercioni i strukturës pleqërishte përballë elanit rinor te «Etër dhe bij» te Turgenievit, refuzimi që iu bë Cakajt për të naviguar politikën e jashtme shqiptare është pasoja vijëdrejtë e një mindset-i të ri në politikën e të dyja anëve të Drinit ku strukturat informale, parapolitike e mediakratike përcaktojnë rrjedhat e zhvillimet. Është kjo triadë forcash komplementare që Kosovën e mbajnë nën diktatin e tyre prej vitit 2014, koha kur LDK, AAK, Nisma e Vetëvendosje bën rreshtimin e parë në një tabor. Pastajshmëria në vitet pasuese është lehtë të sumarizohet me disa fjalë: poliarkia (anarkia e ç’qendërzuar), banditizmi e mediakracia e mbajnë vendin të ngujuar pas kauzave koti (cedime tokash, copëtim i vendit, etj), përcaktojnë agjendat, shpallin rreziqet kombëtare e çka tjetër jo.


Ideja për shkëmbimin e territoreve nuk është copëtim i vendit e as jetësim skenarësh me origjinë të panjohur. Persistenca e presidentit Hashim Thaçi që pacifikimi largvajtës me Serbinë në formën e një marrëveshje përfundimtare të ketë si aneks edhe shkëmbimin e territoreve që gëlojnë nga një secesionizëm latent, nuk është një kuturisje individuale e shtyrë prej gjithëfarsoj motivesh a kalkulimesh. Derisa ajo po fiton një natyrshmëri në mesin e vendimmarrësve në Perëndim, derisa për të flet edhe John Bolton-i, derisa edhe vendet e fuqishme evropiane reagojnë disa me përkrahje të truar, disa me mosbesim e disa me mospëlqim, është qesharake të flitet për të si një ndërmarrje personale e Thaçit. Aleanca e pashenjtë, që sakaq u ngrit në Kosovë e Shqipëri, është mjerimi i vërtetë hygoian: mëngjesi i gdhiu papritur si burra zamani të bashkuar krahpërkrah, Metën, Kurtin, Mustafën e ndonjë manjat mediesh i ngritur mes krimit dhe parapolitikës (Buzhala).

Cinizmi anekdotik i Konicës se «Shqipëria bëhet për inati të shqiptarëve» po provohet si fatmirësi mileniale. Sikur pavarësia e 17 shkurtit të mbetej peng i trilleve dhe miopisë së politikave partiake, sot e gjithë ditën Kosova do të amullonte as e gjallë e as vdekur në takime koti në Vjenë. Pra, dimensioni «impersonal» i çështjeve tona ngjan të jetë më shumë fatmirësi sesa fatkeqësi. Shkëmbimi i territoreve nuk është copëtim, sikundër duan ta zymtësojnë spin-doktorët e narrativave disfatiste. E thënë me një gjuhë më të thjeshtë, pajtimi për shkëmbim territoresh do të nënkuptonte heqjen nga Kosova të tri komunave me shumicë serbe dhe bashkëngjitjen e njëkohshme të dy komunave me shumicë shqiptare. Me kalimin e Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, ato do të përfundonin si komuna të përhumbura në një çip të Serbisë, «veriu» si nocion do të zhbëhej dhe, si rrjedhim, relevanca e tij rajonale do të përfundonte përgjithmonshëm. Me përfshirjen e Preshevës dhe Bujanocit (dhe me gjasë të një rripi fshatrash në Medvegjë), Kosova do të fitonte qasje, më shumë se 30 km, në aksin Danub-Egje. Vendi do të përftonte një dinamikë të re, pa kushtëzime, pa nivele interferuese pushteti (Asociacioni), pa shumica të dyfishta e favoritizma etnike...

Sigurisht që z.Cakaj nuk e sheh gjithë perpleksitetin e çështjes nga kjo dritë, siç e shoh unë. Ndonëse nuk është shprehur asnjëherë publikisht për këtë subjekt, detraktorët e tij morën guximin ta skualifikonin Cakajn me një të rënë të lapsit. Gojët e liga nuk i ndalnin pësht-pështet e tyre: Cakajn e ‘ingranoi’ në funksionin si ministër Baton Haxhiu e Hashim Thaçi në shestimet e tyre të errëta. Në fletërrufenë e lëshuar nga Vetëvendosja e Albin Kurtit falënderohej presidenti Meta që refuzoi një «ministër të Baton Haxhiut e Hashim Thaçit». Tutje, fletërrufeja e Vetëvendosjes, pa e fshehur një hatërmbetje ndaj aktivistit të saj të dikurshëm (Cakaj ishte angazhuar politikisht në Vetëvendosje gjatë viteve 2006-2008), e fshikullonte edhe për «qëndrime kundër interesave kombëtare». Cilado të jenë arsyetimet e Vetëvendosjes për konsum të jashtëm, ajo nuk e fsheh dot një panik ndaj brezit të ri që nuk e nënshtroi me xhyben e militantizmit dhe kamikazllëkut partiak. Personalizimi i politikës, si një hakmarrje e sëmbuar ndaj Thaçit, Vetëvendosjen e ka shndërruar në antipodin e identitetit të saj. Nga një parti e disidencës gati dogmatike, si kundërshtuese e Planit të Ahtisaar-it, formatit multietnik të Kosovës e kufizimeve të tjera, sot stanca e saj politike paraqitet e përmbysur. Ajo zëron «integritetin e pacenueshmërinë» e Kosovës, ajo gjen tek Plani i Ahtisaar-it një fanar mbështetje për të ruajtur këtë status-quo e për të kundërshtuar «ndryshimin e kufijve». Nga një zhbirim më depërtues, në marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi Vetëvendosje sikur sheh fundin e saj. Mantra e ligjërimit të Vetëvendosjes përgjatë viteve është ngritur përhershmërisht në ekzagjerimin e rreziqeve hipotetike, situatave apokaliptike e fiksioneve të tjera. Shpjegimi i saj gjithnjë ka qenë eskatologjik, ajo ka hisen kryesore në tokëzimin e besëtytnive e gjithafarësoj psikozash kolektive në shoqërinë tonë. Cakaj, si domethënësim i një brezi të ri politik që nuk është rob i izmave të së kaluarës, nuk është politikani i sentimenteve dhe populizmave, prandaj ai sulmohet nën brez, përgojohet e shpërfytyrohet...

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK