Zërat
Albert Ahmeti
Albert
Ahmeti

Edhe ju e keni dh* punën

Zërat dhjetor 30, 2018 - 11:57
Lexo detajet

Ishte ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracy Ann Jacaboson, ajo që në vitin 2014, pas disa muajsh bllokade për konstituimin e institucioneve të reja u pati thënë liderëve politikë “mos e dhini punën” si kërkesë për ta zhbllokuar situatën. Dhe pak kohë pas kësaj deklarate u zhbllokua procesi i formimit të Qeverisë. Mirëpo nuk shkoi shumë kohë dhe partitë politike e dh* punën.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi, në gusht të vitit 2015, opozita dhe disa deputetë të partive në pushtet e pamundësuan ratifikimin e kësaj marrëveshjeje për gati tre vjet. Ratifikimi i Demarkacionit së bashku me luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit ishin kushtet e fundit për liberalizimin e vizave. Por kur Kuvendi i Kosovës pas gati tre vjetësh prej nënshkrimit të Demarkacionit e ratifikoi atë marrëveshje gjërat ndryshuan në Bashkimin Evropian. Tani i erdhi radha BE-së që ta dh* punën.

Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova kishte përmbushur të 95 kriteret teknike për heqjen e regjimit të vizave. Edhe Parlamenti Evropian e mbështeti liberalizimin për Kosovën, sido që të jetë kjo çështje padrejtësisht nuk u fut në agjendën e Këshillit të Ministrave për vitin 2018. U raportua se mbi 10 shtete anëtare të Bashkimit Evropian hezitonin që vendimi për heqjen e vizave për kosovarët të merret gjatë 2018-s e gjasat janë që liberalizimi të mos ndodhë as gjatë vitit 2019. Kjo krejt si pasojë e kalkulimeve politike të vendeve anëtare të BE-së që kanë rezerva për politikat e emigracionit.

Kështu, çështja e liberalizimit të vizave është zhvendosur nga objektiviteti teknik te subjektiviteti politik. Është e vërtetë se Kosova në këtë proces është vonuar gati tre vjet me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, megjithatë ajo tashmë i ka përmbushur kriteret, prandaj BE-ja dhe shtetet anëtare duhet ta trajtojnë Kosovën njëjtë si vendet tjera, të cilave madje u është hequr regjimi i vizave megjithëse kanë pasur probleme serioze.

Në vitin 2014 janë liberalizuar vizat për Moldavinë me mbi 3 milionë banorë, megjithëse në atë kohë raportohej për afera të mëdha korruptive atje. Gjithashtu ky shtet vlerësohet si një vend origjine për trafikimin e qenieve njerëzore.

Në vitin 2015 vizat janë liberalizuar për Kolumbinë me rreth 50 milionë banorë pavarësisht tensioneve të brendshme që ky shtet kishte me FARK-un e që ishte në prag të një lufte civile. Kolumbia po ashtu konsiderohet si vend lider origjine i narkotikëve në nivel botëror.

Në vitin 2016 janë liberalizuar vizat për Ukrainën me rreth 45 milionë banorë dhe për Gjeorgjinë me rreth 4 milionë banorë, megjithëse këto dy shtete nuk kanë pasur kontroll efektiv territorial, gjithashtu ballafaqohen me perceptim të lartë të korrupsionit.

Në këtë drejtim, të hiqen vizat për shtete shumë të mëdha e me probleme të tilla e në anën tjetër të mbahet e izoluar Kosova me më pak se dy milionë banorë nga “frika” se pas liberalizimit kosovarët do t’ia mësyjnë Evropës është nonsens. Prandaj, mosmarrja e vendimit për heqjen e vizave për Kosovën është stigmë nga e cila Bashkimi Evropian po e humb besueshmërinë e për të cilën po detyrohemi t'i themi BE-së se edhe ju e keni DH* punën.