Zërat

Babadimri i 'Bechtel & Enka'-s

Zërat December 29, 2018 - 19:51

Qeveria e Kosovës sivjet është shndërruar në “Babadimër” për konsorciumin amerikano-turk “Bechtel & Enka”, ngase ia bëri një dhuratë prej 53 milionë eurosh. Pa asnjë problem, qoftë edhe ndonjë diskutim sekondash, Qeveria e Kosovës pranoi tërësisht kërkesën e konsorciumit amerikano-turk “Bechtel & Enka” që në emër të vonesave të pagesave për ndërtimin e autostradës Prishtinë - Shkup t’i paguajë gjobë prej hiç më pak se 53 milionë eurosh, para të buxhetit të varfër të shtetit tonë. Çuditërisht askush nuk e tregoi qartë arsyen pse erdhi deri te kjo masë e madhe ndëshkuese për buxhetin e shtetit.

Ish-ministri i Infrastrukturës fajin për këtë skandal të pandëshkuar ia hedh qeverisë aktuale dhe kjo e tanishmja fajtor të kësaj humbjeje të madhe të parave të taksapaguesve kosovarë po e konsideron qeverisjen e kaluar. Për këtë çështje debati mbeti vetëm në nivel të mediumeve, por çuditërisht për këtë nuk u diskutua më thellësisht në Qeveri, e për Kuvend as që bëhet fjalë.

Si jozakonisht karshi skandalit më të madh financiar të vitit qëndroi si spektator edhe Prokuroria e Shtetit, e cila deri më tash nuk e ka parë të arsyeshme të nisë një proces hetimor për të zbardhur krejt çfarë ka ndodhur. Shkalla e lartë e korrupsionit, por edhe sistemi joefikas gjyqësor edhe më tutje po shkatërrojnë shtetin tonë, po ua humbin njerëzve shpresën për të jetuar këtu. Nuk mund të shkatërrohet shteti ndryshe kur pa asnjë shtjellim profesional i paguhen një kompanie private 53 milionë euro, ndërsa në anën tjetër për rreth 200 mjekë që kanë mbaruar specializimin shteti nuk ka para për t’i futur në punë. Shteti nuk ka para për t’i shëruar qytetarët e saj jashtë vendit, por ka para për të paguar gjobën prej 5 milionë eurosh kompanisë austriake “OeSD”, e cila kishte fituar kontestin në Arbitrazh.

Shteti po ashtu nuk ka para për t’ua rritur pagat mjekëve, policëve, por edhe shërbyesve tjerë civilë, por tregohet dorëlirë për të paguar gjoba prej dhjetëra miliona eurosh një kompanie private, e cila ka fituar betejën gjyqësore me Telekomin e Kosovës. Është krijuar një bindje se shteti qëllimisht nuk përmbush kontratën për t’ua dhënë milionat kompanive të të afërmve të tyre pa realizuar fare punë.

Duke e bazuar në të dhënat zyrtare shihet se investimet e huaja po bien nga dita në ditë, pasi biznesmenët ndërkombëtarë vendin tonë nuk po e shohin si mundësi të mirë për të bërë biznes.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se deri në fund të muajit gusht të këtij viti shuma e investimeve të huaja ka arritur vlerën prej 121.9 milionë eurosh e që duke e krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak kemi një rënie prej 43 për qind. Përfundimisht buxheti i shtetit është duke u abuzuar rëndë nga zyrtarë të papërgjegjshëm, të korruptuar, të cilët nuk ka kush t’i ndëshkojë.

Madje vendimet  qesharake të gjykatave mund edhe t’i stimulojnë këta që të vazhdojnë me “veprimtarinë” e tyre abuzuese siç është rasti më i freskët i ish-zëvendësministrit të Zhvillimit Rajonal, Musa Cena, i cili u arrestua nga Prokuroria për kërkim të ryshfetit prej 30 mijë eurosh në këmbim të dhënies së një granti në Ministrinë e Bujqësisë.

Por çuditërisht për më pak se një muaj pasi ishte arrestuar Gjykata Themelore e Prishtinës e ka gjetur fajtor dhe e ka dënuar me 6 muaj burg ish-zëvendësministrin. Por megjithëkëtë Cena nuk do të shkojë asnjë ditë të vetme në burg, pasi është pajtuar që dënimi i tij të kthehet në dënim me gjobë në lartësi prej 5 mijë eurosh.

Është momenti i fundit kur institucionet të pastrohen nga zyrtarët e korruptuar, siç është edhe koha e fundit që institucionet e drejtësisë të zhvishen nga të deleguarit e pushtetit. Nëse nuk reagojmë tash, dikur do të jetë shumë vonë.

Gëzuar 2019-a!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK