Zërat
Ramush Haradinaj
Ramush
Haradinaj

Përligjja e mandatit mbrojtës të Ushtrisë, forcës sonë

Zërat dhjetor 29, 2018 - 09:25
Lexo tjera detaje

Me votimin e tri ligjeve deputetët e Kuvendit të Kosovës i kanë dhënë forcës sonë mandatin e qartë mbrojtës. Ne e bëmë Ushtrinë, e cila do të ngrihet për paqe dhe do të rritet për mbrojtjen e lirisë, integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, gjithnjë sipas asaj që gjenerali James Mattis, tash sekretar amerikan i Mbrojtjes, e thotë për marinsat: “Kryeje punën – ruaje nderin”.

Partitë politike shqiptare, si dhe ato të komuniteteve joshumicë, pos serbëve kosovarë (të cilët janë të vëzhguar e të trembur, thjesht të instrumentalizuar për përdorim të brendshëm nga disa qarqe të Beogradit zyrtar), dëshmuan edhe kësaj radhe unitet në pluralitet për një interes madhor të vendit, duke votuar Ushtrinë kombëtare.

LEXO EDHE: Viti i finales së madhe

Të zgjedhurit folën me zërin e sovranit, duke e përligjur vendimin e sovranit me unitet për arkitekturën e sigurisë sonë.

Vota për Ministrinë e Mbrojtjes, forcën dhe shërbimin në këtë forcë e lartësoi emrin e atdheut tonë të përbashkët, në dimensione më të larta të thelbit të lirisë, pra e mandatoi gardianin e kësaj lirie, mburojën e saj të ligjshme.

Të zgjedhurit e popullit të Kosovës i thanë “Po” një projekti nacional në formë, euroatlantik në përbërje dhe global në synimet për paqen.

LEXO EDHE: Faleminderit që na gënjyet!

Ne jemi me fat sot, por në themele të këtij akti historik janë ata që po ashtu ishin me shumë fat që u ngritën dhe ranë për lirinë e atdheut.

Sot ritakohen të gjithë brezat e çlirimtarëve të Kosovës, të mishëruar në flamurin e Ushtrisë sonë të paqes – të forcës sonë, që garanton jetë të qetë dhe mirëbesim për të gjithë.

Si viktimë e një ish-doktrine politike – ushtarake, të bazuar në premisat e shkaktimit të vuajtjeve dhe dhembjeve, doktrina jonë do të bazohet në mbrojtje, në siguri dhe në mbështetjen e paqes për të gjithë qytetarët e saj, pa asnjë dallim. Kosova asnjëherë nuk do ta përdorë Ushtrinë e saj kundër popullit të vet, as në veri e as në jug. 

Nëse dje të tjerët përdorën ushtrinë për të na zhbërë, ne sot kemi ushtri që mbjell shpresë.

Nëse të tjerët përdorën dje ushtrinë për të na poshtëruar, ne sot po e bëjmë ushtrinë për t’i inkurajuar të gjithë që ta mbajnë lart shikimin e të jenë krenarë për atë që janë dhe për atë që përfaqësojnë.

Nëse të tjerët dje përdorën ushtrinë për të mbjellë frikë, ne sot u japim zemër të gjithë të frikësuarve pa dallim që me guxim të shikojnë përpara. Që kurrë frika të mos e shtrijë pushtetin e saj në këtë vend.

LEXO EDHE: Për një Vit të Ri pa këta vjedhësit lart, që sollën varfëri të gjerë poshtë

Po u japim të drejtë atyre që na besuan dje dhe mbështetën kauzën tonë që të na besojnë sot, të hyjmë në rresht me ta për paqe.

Perëndimi ndërtoi paqen në Kosovë dhe ne betohemi sot se do të jemi krah besnik i SHBA-së dhe aleatëve të saj të NATO-s, që ta ruajmë paqen kudo dhe kurdo që ajo cenohet.

Kosova është NATO dhe NATO-ja është Kosovë.

Nuk ka gjeneratë në Kosovë që nuk ka përjetuar një kryengritje në kërkim të lirisë, por brezi ynë e bëri këtë vend me ushtrinë e vet, të ligjshme e të pranueshme nga aleatët tanë strategjikë, e cila do të rreshtohet përkrah ushtrive të rajonit në partneritet për paqe nën komandën e Paktit Veri-Atlantik.

Shumë breza luftuan për të drejtën, por brezi ynë e bëri hapin historik për ta mbrojtur atë të drejtë.

Për ta mbrojtur këtë që kemi sot e për ta synuar të arritshmen nesër, bërjen e së plotës!

Ne sot mund t’u themi faleminderit miqve të Kosovës, SHBA-së, Gjermanisë e Britanisë së Madhe, si dhe përfaqësuesve shumë të nderuar të shteteve anëtare të Paktit Veri-Atlantik: NATO-ja është forca juaj - orientimi ynë.

Me këtë rast qytetarëve të Kosovës dhe miqve tanë, sepse shtëpia jonë është e Zotit dhe e Mikut, ua uroj gëzuar, për shumë mot Krishtlindjet dhe Vitin e Ri!

I bekuar qoftë populli dhe armata jonë!

E bekuar qoftë Amerika dhe populli i saj!