Zërat
Lavdim Hamidi
Lavdim
Hamidi

Faleminderit që na gënjyet!

Zërat December 28, 2018 - 12:59

I

Po t’u besonim me naivitet fjalëve të ministres së Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxhës, ose të kryeministrit Ramush Haradinajt do ta bënim valixhen gati, portofolin e mbushur me euro do ta fusnim në xhep, bashkë me pasaportën e Republikës së Kosovës dhe Vitin e Ri 2019 do të duhej ta prisnim në Berlin, në Paris, në Bruksel ose në Romë.

Gëzim i madh dhe ndjenjë e papërshkrueshme se si një popull i përvuajtur, që është regjur nga jeta, rrafsh dy dekada pas përfundimit të luftës në vend, e gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë nëpër Evropë.

Rinia jonë, shumica prej të cilëve nuk kanë dalë asnjëherë nga Kosova, ose thënë më saktë kanë shkuar më së largu në Shqipëri për pushime verore, “do ta zbulonte” këto ditë Evropën në kohën kur popuj të tjerë më përparimtarë po bëjnë hapa të mëdhenj për të lëvizur dhe për të jetuar në planetin Mars.

Megjithatë edhe këtë gjë ndoshta do të duhej ta shihnim më me pozitivitet.
Pra këtë mosmbajtje të premtimit nga politikanët tanë do të duhej ta merrnim si përparësi, si një kursim të detyruar, pasi nëse do të shkonim një javë në vendet e ndryshme të Evropës do të deheshim me birra ose me verëra të shtrenjta dhe në fund kur do të na dilte kllapia do të ktheheshim në shtëpi me minus 2000 euro në buxhetin familjar. Prandaj le t’i falënderojmë politikanët kosovarë dhe evropianë që nuk na liberalizuan vizat në fund të vitit 2018 ashtu siç premtuan dhe ato para të cilat nuk i shpenzuam në Evropë t’i ruajmë për t’i paguar faturat e dhjetorit të KEDS-it. E jona është që të jemi konsumatorë të disiplinuar, ta paguajmë rrymën edhe kur KEDS-i në këto ditë të acarta po aplikon reduktime të ashpra të energjisë elektrike.

II

Të mos të hatërohemi as me KEDS-in që s’po na furnizon rregullisht me energji elektrike, ndonëse e ka obligim ligjor. Ka mundësi këtë terr energjetik po na ofron për të mirën tonë kolektive, pasi po të furnizoheshim pa ndërprerë me rrymë, duke u bazuar në pagat e ulëta në sektorin publik dhe në atë privat, shumëkush nuk do të mundë t’i paguante faturat as të dhjetorit e as të janarit kur konsumi i energjisë elektrike është shumë i madh.

Për të dalë sa më mirë nga kjo situatë do t’i propozoja menaxhmentit të kompanisë turke që gjatë stinës së dimrit të aplikonte orarin e reduktimeve 6 me 6, përkatësisht 6 orë me drita dhe 6 të tjera në terr. Kështu që në vend se t’i paguanim 100 ose 200 euro në muaj fatura KEDS-it, do ta përmbyllnim këtë hesap me 50 euro.
Fundja edhe prindërit tanë tregojnë se si janë rritur në terr, me llambë vajguri dhe asnjëherë nuk ishin ankuar për ndotje të ajrit, siç po ankohemi këto ditë ne, sepse për nga ajri i ndotur ia kemi kaluar edhe gjigantëve industrialë botërorë, Kinës, Indisë...

III

Po besoj se duke i paguar rregullisht faturat e rrymës, duke mos e vjedhur atë do të përfitonte jo vetëm kompania turke, por edhe vetë politikanët vendorë që e shitën këtë pasuri strategjike, rrjetin e distribucionit, me çmim të 50 autobusëve lokalë që i ka blerë Shpend Ahmeti për qytetarët e Prishtinës.

Pra duke e paguar rrymën kemi një situatë ku përfitojnë tri palët “Win-Win-Win”, ne po përfitojmë energji elektrike me reduktime, përfiton kompania turke, ka gjasë të përfitojë edhe dikush nga politikanët dhe në fund normalisht se e kemi rastin që në anketa të ndryshme të radhitemi në mesin e popujve më optimistë dhe më të lumtur në botë.

Dhe lumturia nuk vjen vetëm duke udhëtuar pa viza në Evropë, por edhe duke u ballafaquar me problemet e Kosovës. Siç thonë fjalët e urta: “Lumturia është si flutura, po vrapove pas saj nuk e kap dot, po qe se ndalon për një çast të vjen vetë në duar”.
Pra, të mos vrapojmë shumë pas vizave, sepse një ditë Evropa do të na i japë vetë ato.

Urime 2019-ta! Pa viza, në terr, por të lumtur!

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK