Zërat
Hashim Thaçi
Hashim
Thaçi

Viti i finales së madhe

Zërat December 28, 2018 - 10:10

Edhe këtë vit Kosova ka vazhduar të ecë përpara me hapa të sigurt, ndonëse nuk ka qenë vit i lehtë.

Në nisje të dekadës së dytë të shtetësisë kemi arritur të dëshmojmë se mbesim të përkushtuar në forcimin e shtetit të së drejtës, në ofrimin e garancive për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut për të gjithë qytetarët pa dallim dhe mbi të gjitha, se jemi faktor stabiliteti dhe promovues i zhvillimit dhe paqes në Ballkan.

Në mozaikun kompleks të shtetndërtimit, ashtu sikurse e kishim planifikuar, Kosova këtë vit u bë me ushtrinë e saj, e cila përbën bazën mbi të cilën qëndron nderi, siguria dhe mirëqenia e shtetit.

Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri shënoi një sukses tjetër të shtetit tonë, për të cilin meritorë janë të gjithë ata burra dhe gra, vajza dhe djem të Kosovës, që me shërbimin dhe me sakrificën e tyre e bënë të mundur edhe këtë arritje.

Forca e Sigurisë gjithmonë do të jetë një forcë e cila do të mbrojë çdo qytetar në tërë territorin e Kosovës. Një forcë profesionale dhe shumetnike, që do të mbrojë çdo fëmijë, çdo të ri, çdo të re, pavarësisht gjuhës që ata flasin në shtëpi.

Sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit edhe këtë vit dominuan përpjekjet më të mëdha institucionale të shtetit tonë. Në kuadër të fuqizimit të mekanizmit ligjor një varg ligjesh janë amendamentuar dhe një varg reformash janë ndërmarrë në harmoni dhe në koordinim me praktikat më të suksesshme ndërkombëtare. Jam i vetëdijshëm që ka akoma punë për t’u bërë, megjithatë është inkurajuese përpjekja për ta fuqizuar rendin dhe ligjin në vendin tonë.

Po ashtu Kosova sivjet ishte dëshmitare e një rrëfimi të jashtëzakonshëm të një gruaje të guximshme. Rrëfimi i zonjës Vasfije Krasniqi-Goodman na e përkujtoi edhe një herë plagën e tmerrshme të luftës, por edhe kurajën e jashtëzakonshme të një gruaje.

Kuraja dhe guximi i saj ishin thirrje e madhe inspiruese që na përkujton se vetëm duke guxuar mund të ecim përpara. Për një moment të gjithë ne u ndiem krenarë me guximin dhe me kurajën e madhe individuale të një zonje që kaloi edhe caqet personale për t’u bërë sinonim i zërit të mijëra grave të tjera.

Zëri i Vasfijes dhe i të gjitha viktimave të dhunës së ushtruar nga forcat serbe i obligon institucionet tona t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme që t’i sjellin para drejtësisë kryesit e këtyre veprave çnjerëzore dhe kriminale.

Po përmbyllim një vit që pa dyshim përfaqëson krenarinë tonë sportive. Xhudoja dhe xhudistët tanë shkëlqyen sërish në arenat e mëdha ndërkombëtare, duke u kthyer të stolisur me plot medalje dhe duke ngritur lart flamurin e Kosovës krah vendeve e kombeve tjera të mëdha. Futbolli, ku Kosova po shënon rekorde dhe suksese të njëpasnjëshme, përveç dëshmisë për talentin e jashtëzakonshëm, është edhe një tregues i padrejtësisë së madhe të izolimit të këtij potenciali që Kosova mund t’i japë Evropës dhe botës. Sporti, pa asnjë mëdyshje, është ambasadori dhe reprezentuesi ynë më dinjitoz. U detyrohem me një falënderim të veçantë të gjithë punëtorëve sportivë dhe njerëzve vullnetmirë që i kanë dhënë shpirt dhe po bëjnë gjithçka që Kosova ta zërë vendin e merituar në arenën ndërkombëtare.

Ani pse në kohë festash, megjithatë duhet rikujtuar një pjesë jo të këndshme të një viti intensiv. Izolimi që po i bëhet Kosovës është tërësisht i padrejtë. Por, pavarësisht vështirësive dhe pavarësisht padrejtësive që po na bëhen, posaçërisht në procesin e liberalizimit të vizave, ne si vend qëndrojmë të palëkundur në orientimin tonë.

Edhe lufta e pashembullt që shteti serb, nën përdorimin e gjithë aparatit shtetëror, po e bënë për të penguar integrimin e Kosovës në organizata dhe në nisma ndërkombëtare, i ka dhënë një dimension tjetër pozicionit tonë ndërkombëtar dhe natyrisht edhe rrugës nëpër të cilën po kalon dhe duhet të kalojë vendi ynë. E kam theksuar shpesh gjatë këtij viti domosdoshmërinë e një marrëveshjeje finale me Serbinë. Prandaj, nevoja e intensifikimit të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, që do të kulmonte me një marrëveshje finale mes dy shteteve, është bërë pikë reference dhe po merr mbështetje të fuqishme nga të gjithë miqtë e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Së fundmi, një mbështetje e madhe për arritjen e kësaj marrëveshjeje na erdhi direkt edhe nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Nuk do mend që në këtë kohë reflektimi, në vargun e sukseseve që lamë pas, ajo që theksohet më shumë është qëndrueshmëria e Kosovës në vëmendjen e aleatëve ndërkombëtarë, sidomos përkrahja e fuqishme dhe e pakompromis e aleatit më të fuqishëm, mikut tonë të përhershëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe me këtë rast ndaj me ju falënderimet dhe vlerësimin e përjetshëm ndaj SHBA-së dhe aleatëve tjerë që i kanë qëndruar gjithmonë dhe po vazhdojnë t’i qëndrojnë pranë Republikës sonë. Në këtë kohë kur bota është duke u përballur me një dinamizëm të shtuar zhvillimesh, Kosova vazhdon të ketë mbështetjen e aleatëve tradicionalë ndërkombëtarë në rrugëtimin drejt integrimeve euroatlantike.

Si shoqëri dhe shtet ne kemi dëshmuar se e kemi guximin dhe gjithë atë që duhet për të qëndruar të bashkuar në çështje thelbësore, që lidhen me interesat dhe me aspiratat tona të përbashkëta. Republika e Kosovës ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për ta përballuar dinjitetshëm edhe këtë sfidë finale me Serbinë. Është në interesin tonë shtetëror që të tejkalojmë pengesat e brendshme, të ngjyrosura nga anime politike dhe të gjejmë gjuhën e përbashkët për t’u përballur edhe me këtë detyrë të vështirë që na e ka rezervuar koha, të cilën nuk guxojmë assesi ta trashëgojmë te brezat që vijnë pas nesh. Është detyra e brezit tonë që të lëmë pas një rajon pa konflikte dhe në paqe të qëndrueshme.

Unë jam i vetëdijshëm se ndërtimi i paqes për liderët është shumë më sfiduese sesa të bërit e luftës. Por, paqja është detyrimi ynë ndaj gjithë fëmijëve të Kosovës dhe atyre të rajonit. Prandaj edhe angazhohemi që të arrijmë një marrëveshje paqësore finale, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese, me ndërmjetësim dhe me garanci ndërkombëtare në mes Kosovës dhe Serbisë.

Mbyllja e këtij kapitulli me Serbinë do të na mundësojë të kthehemi kah çështjet thelbësore për paqen: vazhdimi i reformave dhe i fuqizimit të rendit e ligjit, zhvillimi ekonomik dhe prosperiteti, arsimi e shkenca. Me pak fjalë, rimëkëmbja e plotë e shoqërisë sonë nga shkatërrimi, që kanë sjellë dekada të diskriminimit, represionit dhe pastaj gjenocidi.

Kështu që, viti që vjen është vit i mundësive të mëdha për Kosovën, për të ardhmen më të mirë për ne dhe për gjeneratat që do të vijnë.

Qytetarët e Kosovës meritojnë tërë angazhimin tonë për një jetë më të mirë, më të dinjitetshme dhe me më shumë prosperitet.

Në këto ditë feste, kur bëhen përllogaritje të sukseseve dhe të dështimeve, ne vërtet kemi shumë arsye që të ndihemi krenarë. Prandaj, një falënderim të madh kam për të gjithë punonjësit e sektorit publik dhe privat, që me punën e tyre po e bëjnë Kosovën një vend më të mirë për të jetuar.

U jam mirënjohës familjeve të heronjve, të dëshmorëve, të martirëve dhe familjeve të të pagjeturve, të cilat kanë arritur të ngrihen mbi të kaluarën tonë të hidhur, për një të ardhme më të mirë për brezat e rinj. Mirënjohje edhe për mësimdhënësit, që edukojnë gjithë fëmijët e Kosovës. Edhe për diasporën shqiptare, e cila me kursimet e fundit familjare e mbështet gjithmonë ekonominë tonë. Mirënjohje edhe për mjekët, që kujdesën për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Për diplomatët tanë, që kujdesën për Kosovën anekënd botës.

Mirënjohje të veçantë edhe për policët dhe ushtarët e Republikës së Kosovës, që e ruajnë rendin dhe kontribuojnë çdo ditë për forcimin e paqes.

Dhe krejt në fund, mirënjohje për të gjithë qytetarët e Kosovës, për të cilët do të vazhdojmë të punojmë pareshtur deri në jetësimin e ëndrrave të tyre. Ëndrrat dhe pritjet e tyre do të jenë gjithmonë synimi ynë.

Autori është president i Republikës së Kosovës

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK