Zërat
Arta Berisha
Arta
Berisha

Lajme të rreme në emër të sportit dhe të kryeministrit

Zërat dhjetor 24, 2018 - 12:53
Lexo Detajet

Kryeministri thotë: «nga tani e tutje serbët futen vetëm me viza në Kosovë» dhe «Amerika po na mbështetë për Shqipërinë etnike». Në të vërtetë kryeministri nuk thotë kështu. Këta tituj janë të sajuar dhe shoqërohen me lajme të rrejshme nga webfaqe dhe faqe Facebooku si «Barça shqip», të cilën e pëlqejnë mbi 90 mijë njerëz. Jo pak prej tyre shpërndajnë lajme të rrejshme – me apo pa vetëdije. Dhe kështu kontaminojnë opinionin publik. Si të ndalen kjo dukuri? A i duhet Kosovës një ligj për Facebookun siç e ka miratuar Gjermania?

Në raportin e fundit të nëntorit të këtij viti, zyrtarë të Facebook-ut thonë se kanë fshirë 1,5 miliardë llogari false vetëm në mes të muajit prill dhe shtator, krahasuar me afërsisht 1,3 miliardë llogari të hequra në gjashtëmujorin paraprak. Miliona materiale që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, lajme të rrejshme, pornografi dhe materiale të dhunshme janë hequr nga Facebook-u vetëm në vitin 2018.

LEXO EDHE: A ndikuan portalet fantome në rezultatin zgjedhor të vitit 2017?

As Kosova nuk është kursyer nga dukuria e lajmeve të rrejshme. Rreth 90 mijë pëlqime në Facebook i ka faqja «Barça shqip», por ajo shpesh bie në sy me postimin e lajmeve të rrejshme. Në web kjo faqe gjendet në këtë adresë: https://barcashqip.net. Ndonëse në shikim të parë duket si një hapësirë e dedikuar për sportin, «Barça shqip» kohëve të fundit e ka shtuar përmbajtjen me shkrime nga fusha e politikës, por në secilin rast këto shkrime nuk janë të vërteta.

Më 22 tetor «Barça shqip» publikoi lajmin se Halil Matoshi paskësh thënë: «Skenderbeu duhet të hiqet nga sheshi sepse nuk është kosovar». Këtë deklaratë Matoshi nuk e ka dhënë asnjëherë. Nëse kërkohet pak më tepër në internet, rezulton se një informacion i këtillë është publikuar në vitin 2016 nga faqja satirike online «Pampress», atëherë e afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, sot me Partinë Socialdemokrate të Shpend Ahmetit.

LEXO EDHE: E vërteta online: Gazetaria e verifikimit në pikëpyetje

Kush qëndron prapa faqeve anonime me lajme të rrejshme? Bardha Ahmeti, hulumtuese në fushën e teknologjisë, thotë se të rinjtë në Kosovë janë të përfshirë në prodhimin e lajmeve të rreme për audiencën anglishtfolëse si dhe për audiencën lokale me qëllim të përfitimit ekonomik nga reklamat që shfaqin. Dallimi qëndron se fitimet janë më të mëdha kur lajmet krijohen për audiencën e huaj, kryesisht në Amerikë dhe Angli. Sipas saj, prapa faqeve që prodhojnë lajme të rreme me përmbajtje shqip kryesisht qëndrojnë sponsorë të tjerë dhe jo patjetër ato faqe jetojnë nga të hyrat e klikuara nga fitimet.

«Kur bëhet fjalë për të rinj, të cilëve u intereson përfitimi material, qëllimi i tyre nuk është të shpërndajnë informacion në asnjë formë, por vetëm të gëzojnë vëmendjen e sa më shumë syve që është e mundshme. Ndërsa kur bëhet fjalë për të rinj që bien në kontakt me njerëz politikisht të ndikuar ose me interesa të ndryshme politike, kjo bëhet shumë e rrezikshme», thotë Ahmeti.

LEXO EDHE: Lajme nga spitali apo lajme për spital?

«Këta të rinj shpesh bien në kurthin e njerëzve që kane interesa të ngushta politike. Kështu ata keqpërdoren dhe shfrytëzohen për shkak të shkathtësisë së tyre», thekson Ahmeti. Përveç parimit të së vërtetës, shkrimet natyrshëm nuk i plotësojnë parimet e tjera të gazetarisë duke nisur nga struktura e ndërtimit të lajmit, plotësimi me fakte që nevojiten në funksion të së vërtetës, paanshmëria apo balancimi. Me pak fjalë, kjo nuk është gazetari, por është punë që bëhet për interesa ekonomike nga klikimet dhe interesa ekonomike nga sponsorët e tjerë.

Tifozët e Haradinajt që shpërndajnë lajme të pavërteta

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka vetëm një faqe zyrtare në Facebook në të cilën postohen njoftimet dhe aktivitetet rreth punës së qeverisë së Kosovës. Por janë disa faqe të tjera me mijëra ndjekës të cilat shpërndajnë propagandë politike në llogari të Haradinajt. Kryesisht kjo bëhet përmes shpërndarjes së lajmeve të krijuara nga faqeve anonime.

Titujt në vijim janë ilustrim i lajmeve të pavërteta e tendencioze që synojnë klikime dhe që dezinformojnë opinionin kosovar. «Hahn: nëse Haradinaj vonohet edhe pak në heqjen e taksës...atëherë», «Haradinaj: nga tani e tutje serbët futen vetëm me viza në Kosovë», «Haradinaj së shpejti do të jem në Serbi, askush nuk mundet me më ndalë», «Vuçiq i kërkon takim Haradinajt, Haradinaj ia kthen përgjigjen», «Haradinaj: Amerika po na mbështetë për Shqipërinë etnike». Këta janë vetëm disa nga titujt e «lajmeve» të publikuara nga faqja «Barça shqip», që shpërndahen nga faqja «Ta përkrahim Ramush Haradinajn».

LEXO EDHE: Tymi mediatik: Zjarri në Stamboll e tymi në Obiliq

Numri i përdoruesve të Facebookut që përballen me propagandën politike në favor të Ramush Haradinajt bazuar vetëm në numrin e pëlqimeve që i kanë faqet e kryeministrit mund të shkojë në dhjetëra mijëra. Aktiviteti i përdoruesve nuk është thjeshtë shikimi dhe leximi i lajmeve të rreme, por edhe përfshirja në debate brenda grupeve që komentojnë si dhe shpërndarja e atyre materialeve duke besuar se janë të vërteta.

I kontaktuar përmes Facebookut, Zenel Kelmendi, shtetas i Kosovës, ka pranuar që e ka shpërndarë lajmin për deklaratën e shpikur të Halil Matoshit kundër Skendërbeut, por ka thënë se nuk e ka menduar se është lajm i sajuar. «Po edhe unë e kam shpërndarë atë lajm dhe deri më tani nuk e di a është lajm i sajuar. Në këto raste zyrtarisht, nga z. Matoshi, apo nga kabineti ku ai punon duhet të bëhet një njoftim, demantim apo reagim dhe unë publikisht do të kërkoja falje», thotë Zeneli. Sidoqoftë, Zeneli nuk ndien përgjegjësi për plasimin e një lajmi të tillë të pavërtetë. «Pavarësisht kësaj unë fare nuk e konsideroj veten fajtor sepse kam shpërndarë një lajm të botuar në gazetat ditore apo në portale publike, në këtë rast faji është i botuesit të këtij lajmi», thotë ai në përgjigjen e tij.

Raporti i organizatës Freedom House për rëndësinë e lirisë në internet

«Interneti është shndërruar në një hapësirë publike moderne, dhe mediat sociale dhe mjetet e kërkimit kanë fuqi dhe përgjegjësi të sigurohen që platformat e tyre i shërbejnë interesit publik», thotë raporti i fundit i Freedom House për lirinë në internet. Raporti fokusohet tek shtetet autoritare, të cilat në emër të luftimit të lajmeve të rreme kufizojnë lirinë e shprehjes në internet. Kapja e internetit, sipas raportit, i privon qytetarët nga forumet ku do të artikulohen vlerat e përbashkëta, debatet për çështje të politikave si dhe zgjidhja në mënyrë paqësore e mosmarrëveshjes brenda shoqërisë. Raporti i Freedom House për lirinë në internet i vitit 2018 thekson se në mënyrë që demokracia të lulëzojë, qytetarët duhet të kenë lirinë e shprehjes dhe qasjen në forumet publike që lejojnë diskursin racional.

Mbrojtja e hapësirës digjitale nga manipulimi pa i dëmtuar të drejtat e njeriut kërkon inovacion dhe rritje të investimeve nga shtetet, kompanitë e teknologjisë dhe shoqëria civile në mënyrë të barabartë. Bashkimi Europian është duke i shqyrtuar rregullat që do t’u kërkonin kompanive të mediave sociale që të heqin përmbajtjen që thyen ligjet e 28 vendeve anëtare.

Në këtë kuadër Gjermania ka fuqizuar ligjin e njohur si «NetzDG» (i njohur edhe si Ligji për Facebookun). Ky ligj i detyron platformat e mediave sociale me mbi dy milionë përdorues lokalë ta monitorojnë dhe ta heqin «përmbajtjen ilegale» - përndryshe mund të ballafaqohen me gjobë deri në 50 milionë euro. Raporti thotë se kërkesat e tilla ndaj kompanive të teknologjisë rrezikojnë të krijojnë konfuzion dhe gabime të mëdha që mund të dëmtojnë lirinë e shprehjes.

A i duhet Kosovës një ligj për Facebookun siç e ka miratuar Gjermania? Në Kosovë debati fokusohet në përmirësimin e gazetarisë dhe statusin e gazetarëve në mediat që konsiderohen si serioze dhe me pritje për punë profesionale. Shpërndarja e lajmeve të rreme nga grupe dhe faqe anonime në mediat sociale duket se ende është nën mëshirën e kompanive të teknologjisë dhe përdoruesve të mediave sociale.

Facebooku ka deklaruar se është duke ndërmarrë masa për hedhjen poshtë nga shërbimi i lajmeve të rreme, llogarive false, gjuhës së urrejtjes, ngacmimeve, përmbajtjeve pornografike dhe të dhunshme. Kjo, sipas Bardha Ahmetit, është vënë re edhe në Kosovë. «Për shumicën e këtyre njerëzve që gjenerojnë përmbajtje për Facebookun nga Kosova sivjet është bërë dukshëm më e vështirë ekzistenca», thotë Ahmeti.

(Ky artikull është përkrahur në kuadër të projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN dhe AGK. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK-së.)