Zërat
Flamur Pireva
Flamur
Pireva

Ne studentët e shekullit të ri!

Zërat December 13, 2018 - 22:45

Po ndodh. Po ndodh ajo që çdo aktivist politik do ta dëshironte. Shumë prej nesh punojmë çdo ditë që ajo të arrihet. E duam shumë dhe angazhohemi për të. Madje jeta jonë është e lidhur ngushtë me të dhe përditshmërisht bëjmë diçka edhe në funksion të saj. Është e pandashme. Të lidh me shokë e shoqe, të ndihmon të qartësosh kuptimin mbi botën, mbi lirinë, mbi të përbashkëtën, mbi dashurinë për tjetrin... Po, nga ajo botë tejet e kufizuar, e mbyllur në një qark të ngushtë ngrihesh dhe jeton me idealin për botën e re që do të përfytyrosh, për botën e re krahas së cilës edhe nuk je vetëm. Je me ata që do t'i duash, që do të bëhen njerëzit më të afërt, ngase jeton në të njëjtat bindje me ta, në një komunitet.

Ne, aktivistët politikë studentë. Po, ne të cilët kemi vendosur të marrim përsipër peshën e rëndë të së tashmes për ta orientuar drejt e si duhet të ardhmen e saj, për të ndërtuar kushte të mira për të gjithë, për secilin, veç e veç. Neve të cilëve na paraprijnë leximet dhe shumë më shumë diskutimet me njëri-tjetrin. Ne që bashkëndiejmë, ne që ndjenja na e ndihmon arsyen dhe nuk del përkundur saj. Ne të cilët, veç dijes së tentuar në universitet, shfrytëzojmë edhe hapësirën për t’i bërë banorët e saj të vetëdijshëm mbi veten e tyre dhe për shoqërinë, mbi  dhunën, varfërinë, revoltën e barazinë. Ne që urrejmë konformizmin dhe nënshtrimin ndaj çfarëdo autoriteti. Ne që mbase shpërndajmë luftë në shumë fronte, ngase një sistem i tërë është kundër nesh. E sado që lexojmë, na duket e pamjaftueshme, ngaqë aq shumë ka për të ditur. Ne, kamerierë, punëtorë call-centerash, praktikantë, ngelca e kokëpalarë. Ne që jemi kapur dorë për dore për të qëndruar, për t’i rezistuar gjithfarë trysnish. Ne që do të marrim guximin për të mos na ndaluar asgjë, pasi të na janë vrarë edhe shokët. Ne bijtë e shekullit të ri!

Indiferenca është plogështi. E kundërta e saj është aktivizmi. Ajo bëhet domosdoshmëri kundrejt atij lloj sistemi që shkakton pabarazi, dhunë dhe varfëri. Varfëri të mendjes e të shpirtit. Bëhet fjalë për neoliberalizmin. Kjo furtunë që ka kapur çdo pore të shoqërisë dhe që po i zë frymën. Ky sistem që ka varfëruar klasën punëtore, që ka dëbuar tej mase punëtorë nga vendi i punës, që po varfëron edhe klasën e mesme, deri në zhdukje të saj, që po ua merr nga duart pasuritë publikes, që privatizon atë që na takon dhe dhunon këdo që e kundërshton.

Të mirat publike janë reduktuar. Vazhdimisht krijohen ligje dhe merren vendime të tjera që kontribuojnë edhe më tej në shkatërrimin e tyre. Punëtorët vdesin në vendin e punës. Të tjerë vdesin ngase nuk arrijnë të marrin shërbimin e nevojshëm shëndetësor. Të tjerë durojnë çdo përbuzje e përçmim për të ruajtur vendin e punës sa për të garantuar një ekzistencë që i mban gjallë iluzionet e një jete më të mirë. Të tjerë të zhytur në kredi për të paguar me kamatë atë që do të duhej ta kishin falas. Të pambrojtur e të pashpresë.

Shkollat janë shndërruar në godina që grumbullojnë fëmijë dhe të rinj mbi të cilët më shumë se dije e arsimim ushtrohet kontroll e disiplinim. Seri numrash në regjistrat e tyre, nxënës, që në vend të trajtimit të barabartë,  uniformizohen. Nxënës që duan t’i bëjnë të dëgjueshëm, që do të ndëshkohen për çfarëdo rebelimi. Nxënës që shihen si kërcënim për rendin shoqëror dhe jo si e vetmja mundësi që rendi shoqëror të dalë në dritë dhe faqebardhë. Shkollat që çdoherë e më tepër marrin karakter të dobët socializues dhe gati aspak arsimues e emancipues. Vende ku mbytet mendja dhe shpirti, ku shtypet çdo potencial, çdo dije kreative, ku dënohesh për t’u bërë një qenie mekanike që konsumon.

Përballë sulmit ndaj politikës demokratike, përballë shtrëngesave e masave neoliberale ndaj autonomisë së universitetit, përballë padëgjueshmërisë ndaj të drejtës për arsim cilësor, përballë ngufatjes së universitetit si sferë publike, përballë mungesës së hapësirave dhe programeve që nxisin dhe mbarështojnë mendimin kritik për publiken dhe të përbashkëtën po ngrihet studenti!

Sot, si jorrallëherë në botë, kundrejt këtyre problematikave, janë zgjuar studentët. Janë ngritur kundrejt analfabetizmit politik që u shërben përgjegjësve të varfërisë, pabarazisë dhe të tilla vështirësive.

Në Tiranë, si rrallëherë më parë, për shumë ditë me radhë, plot vullnet e shpresë, plot entuziazëm për rezistencë, me dhjetëra mija studentë, të vendosur e të palodhur, po qëndrojnë deri në dorëzimin e qeverisë ndaj vendimeve absurde me tarifat e vëna ndaj studimeve të tyre. Janë me dhjetëra mija dhe siç e thonë në parullat e tyre, “…po nuk u zbritën tarifat, do të bjerë Ministria!”.

Në Prishtinë, pas afër një dekade angazhimi intensiv të studentëve politikë, që kritikën e ndërtojnë dhe e artikulojnë, e shpërndajnë dhe e diskutojnë, për t’i dhënë legjitimitet veprimeve, për ta mbrojtur dhe për ta ngritur universitetin, pas shumë aksionesh, torturave policore, persekutimit të formave të ndryshme ndaj nesh, sot këta studentë janë pjesë e organeve përfaqësuese të studentëve, përmes të cilave nuk do t’i lëmë në nivel përfaqësimi, por po i shndërrojmë ato në organe aktivizmi e veprimi me të gjithë studentët jashtë tyre.

Të gjetur në një gjendje paniku, pushteti në Tiranë përpiqet ta çmontojë organizimin përmes ndërhyrjeve së brendshmi, tendencës për përçarje të studentëve përmes disave që kanë vendosur t’i pranojnë “përkëdheljet” e pushtetit si mazohistë të vërtetë me joshjet që ua ofron, duke i bërë ata argatë të ruajtjes së gjendjes së shkaktuar; përmes shpifjeve, dinakërisë, rrenave të kulluara, dhunës dhe banalizmave që prodhojnë kokat e tyre.

Në një gjendje tjetër paniku, pushteti në Prishtinë përpiqet të rivendosë strukturat e saj në Universitetin e Prishtinës duke organizuar puç për ta përmbysur vullnetin e studentëve që na dhanë një shans për të forcuar rezistencën tonë ndaj ndërhyrjes direkte të partive në pushtet. Partitë në pushtet kanë futur me qindra “militantë” të veshur nën petkun e asistentit dhe të profesorit që t’u ligjërojnë studentëve injorancë, pallavra që s’i gjen dot. Është përpjekja e tyre e serishme për t'ua vënë zemëratën nën kontroll, për t’i shtypur dhe për t’i ndrydhur.

Por, nuk do t'ia dalin dot! Garantues për këtë është studenti/ja aktivist/e politik/e, i/e cili/a nuk bën kompromis me bindjet e veta dhe për të cilin shoqet dhe shokët përbëjnë pasurinë më të madhe, përkrah të cilëve luftojnë bashkërisht dhe triumfojnë bashkërisht. Të gjithë, të barabartë, të vendosur, entuziastë, për një qëllim, qëllim madhor, që e arrijnë bashkë si organizim studentor.

Një ngjarje po ndodh. Një shpresë e madhe po vjen, nga ne, bijtë e shekullit të ri!

Flamur Pireva, drejtues i organizatës studentore "Studim, Kritikë, Veprim", në Universitetin e Prishtinës.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK