Zërat
Ulrika Richardson
Ulrika
Richardson

Pse duhet të jemi më të vendosur për të thyer heshtjen për dhunën në familje?

Zërat December 10, 2018 - 11:16
Lexo detajet

Nëse dikush vjedh portofolin tonë ose pësojmë një aksident me makinën tonë ne nuk hezitojmë të thërrisnim policinë dhe të kërkojmë ndihmë. Por kur dikush është viktimë e abuzimit, ngacmimit seksual ose sjelljes së dhunshme, veçanërisht nëse kjo ndodh brenda familjes, atëherë historia është krejtësisht ndryshe: ndjenja e turpit, mungesa e vetëbesimit, shqetësimi për atë që do të mendojnë të tjerët, frika e hakmarrjes jo vetëm nga autorët, por edhe nga të afërmit ose miqtë dhe shumë shpesh edhe mosveprim për shkak të mungesës së mjeteve ekonomike. Shumë shpesh këto emocione mbizotërojnë dhe i heshtin viktimat.

Ne në OKB e konsiderojmë dhunën me bazë gjinore dhe dhunën në familje një fenomen global dhe një shenjë turpi për të gjitha shoqëritë tona! Dhuna me bazë gjinore nuk bën dallim vendi, kulture, niveli të të ardhurave ose arsimimi. Asnjë vend nuk është krejtësisht i lirë nga ky lloj i dhunës.

Ne ende jetojmë në botën e dominuar nga meshkujt me norma të stereotipit gjinor që kufizojnë kryesisht vajzat dhe gratë, por edhe djemtë dhe burrat. Kjo është arsyeja pse ne besojmë se është kaq thelbësore të flitet për mënyrën sesi stereotipat kufizojnë pjesëtarët e shoqërisë sonë dhe pengojnë të gjithë të gëzojnë gamën e plotë të të drejtave të njeriut. Nëse nuk fillojmë të flasim për to është e pamundur të arrijmë ndryshimin që na nevojitet. E kam parë një gjë të tillë në Suedinë time, ku dhuna në familje u zhvendos nga një çështje private në një krim publik.

Të dhënat më të fundit të mbledhura nga Rrjeti i Grave të Kosovës tregojnë se 63% e kosovarëve (gra dhe burra) kanë përjetuar të paktën një herë në jetën e tyre sjelljet abuzive psikologjike, seksuale ose ekonomike të shkaktuara nga partnerët ose anëtarët e familjes. Të dhënat tregojnë qartë se si ky fenomen i tmerrshëm është një krim publik dhe shoqëror dhe një shkelje e të drejtave të njeriut.

Por për të qenë plotësisht në gjendje të merremi me dhunën familjare dhe atë me bazë gjinore korniza ligjore duhet të jetë e qartë në përcaktimin e këtij lloji të krimit dhe çfarë është reagimi i gjyqësorit. Korniza institucionale gjithashtu duhet të jetë e qartë për rolin dhe përgjegjësinë e institucioneve të tjera publike, siç janë policia ose profesionistët e shëndetësisë dhe të arsimit, sepse të gjithë ata luajnë një rol thelbësor në zinxhirin e veprimeve që duhet të nxiten në parandalimin dhe përgjigjen ndaj dhunës në familje.

Kosova ka një kornizë gjithëpërfshirëse legjislative për të adresuar dhunën në familje dhe institucionet kosovare kanë ndërmarrë një numër hapash pozitivë për të parandaluar dhe për ta luftuar këtë krim. Por ballafaqimi në mënyrë efektive dhe efikase me këtë krim ende duhet të përmirësohet, si duke përmirësuar kuadrin ligjor, ashtu dhe duke siguruar që drejtësia të ketë rrugën e saj të hapur plot deri në dënimin e kryerësve.

Përkundër progresit dhe gatishmërisë për t'i dhënë fund dhunës në familje, vajzat dhe djemtë e rinj në Kosovë që përjetojnë dhunë në familje jo vetëm që duhet të merren me një plagë të thellë emocionale dhe fizike - të bërë edhe më të rëndë nga fakti se ata që do të duhej të duan ata janë torturuesit e tyre, por gjithashtu duhet të vuajnë nga stigma e hedhur mbi ta nga rrjeti i tyre referues, nga shoqëria ku jetojnë.

Shohin gjithashtu me të vërtetë se shtëpia që duhet t'ua ofrojë atyre një vend të sigurt kthehet në burgun e tyre, ata gjithashtu shohin shoqërinë që me ligj duhet të mbrojë të drejtat e tyre duke u shndërruar në torturues të tyre, duke mos u dhënë atyre mbrojtje dhe drejtësi.
Për të përfunduar një herë e përgjithmonë këtë status-quo të papranueshëm është me rëndësi jetike të sigurohet që të gjitha lidhjet e zinxhirit të parandalimit dhe të reagimit të funksionojnë.

Nga shkollat ëdhe familjet ku djemtë dhe vajzat duhet të mësojnë respekt të ndërsjellë dhe të jenë të përgatitur për një të ardhme të mundësive të barabarta, pavarësisht nga gjinia. Neve na duhet vërtet të punojmë në parandalimin e dhunës me bazë gjinore, duke fuqizuar gratë në jetën e tyre sociale, ekonomike dhe politike, duke luftuar stereotipat gjinorë, duke filluar herët, për t'u siguruar që vajzat të kenë të njëjtën hapësirë ësi djemtë në shkolla, sporte, arte, punë dhe në politika.

Nga mediet, të cilat kanë një marrëdhënie të privilegjuar me qytetarët dhe si të tilla kanë fuqinë për të ndikuar në mendime dhe në sjellje për të përshpejtuar ndryshimet shoqërore. Kjo është arsyeja pse mediet duhet të ndihmojnë në luftën kundër dhunës në baza gjinore dhe në familje përmes raportimit të respektueshëm dhe etik, që shmang çdo qasje që mbështet fajësimin e viktimës ose stereotipizimin. 

Deri në rolin esencial të institucioneve të zbatimit të ligjit dhe të gjyqësorit, që paraqet një lidhje kyçe për të siguruar që viktimat të mund të kenë qasje në një strehë të mirëfilltë, të sigurt dhe dinjitoze, nëse u nevojitet atyre dhe fëmijëve të tyre; nga ana tjetër shkelësit ndëshkohen për krimet e tyre dhe të mbijetuarve u jepet drejtësia dhe dëmshpërblimi për shkeljet e rënda të të drejtave të tyre.

Sot është Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Përfundimi i të gjitha formave të diskriminimit dhe eliminimi i të gjitha formave të dhunës kundër të gjitha grave dhe vajzave kudo janë dy synime kyçe të një angazhimi global, të cilat Kosova së bashku me të gjithë botën ka përqafuar.

(Autorja është koordinatore e OKB-së për Zhvillim dhe përfaqësuese e përhershme e UNDP-së në Kosovë)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK