Zërat
Shemsi Syla
Shemsi
Syla

Serbisë s’duhet t’i jepet asgjë!

Zërat November 29, 2018 - 14:18
Lexo Detajet

Shkruan: Shemsi Syla

Rreth 13 mijë e 500 njerëz humbën jetën në luftën e fundit në Kosovë. Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë ka mbi 130 mijë shtëpi të rrënuara, mbi 12 mijë civilë të vrarë dhe të masakruar, mbi 20 mijë femra të dhunuara. Kësaj shifre duhet shtuar edhe të zhdukurit, madje edhe të dëbuarit nga trevat e tyre; mbi 800 mijë veta të moshave dhe të gjinive të ndryshme. Mbi 22 miliardë euro llogariten dëmet e luftës që Serbia ka shkaktuar në Kosovë para dhe gjatë luftës së fundit 1990 - 1999.

Në vitin 1878 Serbia bëri dëbimin masiv të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit dhe nga rajoni i Toplicës përmes dhunës dhe terrorit të organizuar shtetëror, ushtroi gjenocid dhe spastrim etnik mbi 700 vendbanime dhe mbi 300.000 shqiptarë, të cilët asokohe jetonin në trojet e veta etnike ose në një hapësirë sa territori aktual i Kosovës.

Në vitin 1912 dhe 1913 serbët kanë vrarë 120.000 shqiptarë – burra, gra, djem, pleq dhe fëmijë. Qindra fshatra janë goditur me armatime të rënda, artileri dhe topa. Një numër i madh i fshatrave në Kosovë, por edhe në Maqedoni janë djegur. Të paktën 50.000 shqiptarë, për ta shpëtuar jetën nga masakrat e forcave ushtarake serbe, u detyruan t’i braktisin trojet e veta, të bëhen refugjatë dhe të ikin për në Turqi dhe për në Shqipëri.

Për jetësimin e filozofisë pansllaviste gjatë këtyre periudhave, nga Kongresi i Berlinit e këndej, shteti serb ka hartuar rreth 25 elaborate për shfarosjen, asimilimin dhe dëbimin e shqiptarëve. Kjo është shkurtimisht një përmbledhje e gjenocidit dhe e dhunës serbe ndaj shqiptarëve dhe ky është çmimi që kanë paguar shqiptarët për ta ruajtur qenien kombëtare dhe për ta fituar lirinë.

Pas gjithë kësaj dhune, sot ka zëra nga qendrat e vendosjes globale që po sugjerojnë se për ta njohur Serbia pavarësinë Kosova duhet t’i japë edhe diçka Serbisë. Pra nuk qenka i mjaftueshëm gjenocidi dhe dhuna sistematike e Serbisë për gati dy shekuj me radhë, por po u dashka që Kosova, në këtë rast, të japë edhe diçka: ose territor, ose autonomi politike për serbët e Kosovës.

Edhe procesi i bisedimeve të Vjenës pati filluar me këso këshillash të ngjashme; për ta fituar Kosova pavarësinë duhet të krijojë komuna të reja me shumicë serbe në emër të decentralizimit të pushtetit. Kishat dhe manastiret mesjetare në Kosovë morën emër të përveçëm duke u shndërruar në kisha e në manastire serbe e joortodokse, siç edhe janë në fakt. Pos kësaj, këto kisha e manastire, bashkë me gërmadhat e kishave të rrënuara ndër shekuj, një pjesë e tyre kisha katolike, u sllavizuan dhe u përcaktuan si zona me status të veçantë – mbrojtës.

Kurse pakicat, sidomos ato serbe, në komunat e reja që do të krijoheshin, do të kenë kompetenca shtesë në raport me komunat tjera me popullsi shqiptare; gjuha serbe do të njihet si gjuhë e dytë zyrtare në Kosovë dhe pakicat do të kenë 20 vende të garantuara të deputetëve në Kuvendin e Kosovës, 10 vende pakicat tjera dhe 10 vende pakica serbe. Ky ishte kompromisi që sipas negociatorëve në Vjenë duhet të bënte Kosova në raport me Serbinë për të mundësuar shpalljen e pavarësisë.

Kur udhëheqësit ndërkombëtarë të këtyre bisedimeve u bindën se pavarësisht këtyre kompromiseve prapëseprapë Serbia nuk do ta njohë pavarësinë dhe formimin e shtetit të Kosovës, Kombet e Bashkuara e autorizuan ish-kryeministrin finlandez Marti Ahtisaari që të hartojë një plan ose pako me propozime konkrete për statusin e ardhshëm të Kosovës. Kështu Pakoja e Ahtisaarit u bë edhe baza mbi të cilën u shpall pavarësia e Kosovës, u hartua kushtetuta dhe ligjet e detyrueshme që parashihte kjo pako. Kur u shpall pavarësia e Kosovës ishin diku 14 ligje të Pakos së Ahtisaarit që duhej të votoheshin në Kuvendin e Kosovës, në paketë. Për këtë qëllim u formua edhe një komision me përfaqësues të të gjitha partive parlamentare që do të diskutonin për secilin ligj veç e veç që parashihte kjo pako. Ka pasur raste kur përfaqësuesit shqiptarë në këtë komision me argumente bindëse kanë bërë ndryshime dhe amendamentime të neneve, sidomos në Projektligjet e Trashëgimisë Kulturore dhe të Zonave të Veçanta, por në Kuvend kanë intervenuar ambasadat e shteteve perëndimore duke urdhëruar se këtyre ligjeve nuk guxon t’u ndryshohet as edhe një pikë ose presje dhe janë votuar ashtu siç kishin ardhur te ky komision i veçantë.
Pra u respektuan procedurat, por jo përmbajtja e këtyre projektligjeve.

Argument i faktorit ndërkombëtar për sjelljen në mënyrë të tillë, duke diktuar substancën e këtyre ligjeve ka qenë: “Këto qëndrime e ndryshime në këto ligje është dashur t’i shfaqni dhe t’i argumentoni gjatë procesit të bisedimeve në Vjenë e jo tani”.

Ky është një argument i fortë që duhet pasur parasysh edhe tash kur po thuhet se me Serbinë ka ardhur koha për të bërë një marrëveshje përfundimtare, që do të jetë ligjërisht e obligueshme për të dyja palët.

Kosovës i duhet një marrëveshje me Serbinë që siguron marrëdhënie të qëndrueshme të fqinjësisë së mirë, me respektim të të drejtave të serbëve në Kosovë dhe të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Njohja e Kosovës nga Serbia duke shkëmbyer tokë për paqe nuk siguron as njohje, as paqe të qëndrueshme ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Prandaj është e domosdoshme një platformë që garanton konsensus dhe mundëson formimin e një komisioni, ku duhet të përfshihen ekspertët më të mirë që kemi për të mbrojtur edhe para faktorit ndërkombëtar të drejtën e shtetit që kemi shpallur në vitin 2008 e që ka marrë edhe legjitimitetin juridik nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Të drejtën juridike ndërkombëtare e kemi fituar, tani duhet ta fitojmë edhe betejën e imponuar politike në raport me Serbinë, duke nxjerrë mësime nga procesi i bisedimeve të Vjenës dhe duke mos lejuar të hartohen projekte të paanalizuara e të pastudiuara mirë, sepse ndërkombëtarët do të na përsërisin faksin se “këto qëndrime është dashur t’i mbani gjatë procesit të bisedimeve me Serbinë, e jo tani”.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK