Zërat
Mero Baze
Mero
Baze

Mero Baze: Shqipëria sot në Pejë e mori në dorë projektin e korrigjimit të kufijve

Zërat Shtator 26, 2018
Lexo Detajet

Ekstaza kombëtare e mbledhjes së sotme të Pejës, është marrja në dorë e projektit të korrigjimit të kufijëve nga Shqipëria.

Ajo që ndodhi sot në Pejë natyrisht ka trazuar dynjanë.

Idhtarët e Bashkimit Kombëtar, janë në qiell të shtatë, Serbia në piedestalin e viktimës dhe Europa me dhimbje koke, derisa të qetësojë të gjithë palët.

Por nuk është bash aq show sa duan ta paraqesin, ata që nuk u intereson populizmi dhe nuk është aq nacionalizëm, sa duan ta paraqesin ata që po festojnë.

Në finale duket një stil i regjisorit Edi Rama për të bërë të njëjtën gjë, që dëshiron të bëjë Hashim Thaçi, por me regji tjetër. Dhe këtu ai është më i afti tek regjia.

Hashim Thaçi ka disa muaj që është përfshirë në një operacion që rrezikon t’i mbetet në mes të rrugës, për korrigjimin e kufijve të Kosovës me Serbinë, me një mbështetje të qartë në prapaskenë nga politika amerikane dhe europiane, pa dalë në skenë zyrtarisht.

Është e qartë se rrethi i ngushtë i presidentit Trump dhe komisioneria Mongherini, janë pas tij. Por Hashimi është një kalë që ka mbetur në baltë. Ai ka humbur mbështetjen brenda vendit për atë që do të bëjë. Nacionalistët dhe populistët e kanë braktisur si xhelozë, të tjerët si konformistë, ndërsa Tirana i ka qëndruar larg nga frika se prish më shumë punë.

Thellë- thellë, projekti i korrigjimit të kufijëve të Kosovës me Serbinë, është një shkuarje drejt konceptit të shtetit etnik, dhe bashkim të Shqipërisë me Kosovën, nëse çdo gjë shkon vaj, sipas skenarit europiano- amerikan, që ja ka ngarkuar këtë barrë samarit të Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiçit.

Rruga ka aq shumë rreziqe dhe efekte zinxhir, sa para se të bëhen dy shtete të mëdha, si Serbia dhe Shqipëria, mund t’i vënë zjarrin pesë shteteve të tjera.

Edi Rama nuk ka folur pro këtij projekti, por nuk ka thënë asnjë fjalë kundër. Ai i ka dal zot vetëm Hashim Thaçit, jo projektit.

Projekti i Hashim Thaçit dhe Vuçiçit deri më sot ka ecur sipas parimit, në fillim gjërat e hidhura, pastaj ua tregojmë fundin e lumtur.

Edi Rama ka startuar sot në Kosovë një regji të re të këtij projekti krejt nga e kundërta. Ky e ka nisur me ëmbëlsirat në fillim.

Në tryezën e hotel Dukagjinit në Pejë, ai i ka rrëmbyer dorën Ramush Haradinajt, e ka vendosur me shqiponjën e flamurit kombëtar dhe ka ngritur peshë populizmin dhe patriotizmin në Kosovë e diasporë.

Vende- vende dhe në Shqipëri.

Ekstaza kombëtare e mbledhjes së sotme të Pejës, është marrja në dorë e projektit të korrigjimit të kufijëve nga Shqipëria.

Por ndryshe nga Hashim Thaçi, Edi Rama di ta bëjë më mirë këtë regji. Ai në fillim ofron ëmbëlsira. Flet për bashkim kombëtar, flet si Gjergj Fishta më 1913 kundër “Europës kurvë”, pastaj i fut dhe një “what the fuck” në anglisht për ta kuptuar se vendi ka zot.

Ndërsa kur Hashim Thaçi fliste për korrigjim kufijsh, shqiptarët dolën në rrugë ta shanin si tradhtar, kur Edi Rama thotë të njëjtën gjë, shqiptarët, kanë dalë në rrugë e po festojnë.

 

Është i njëjti projekt, janë të njëjtat Fuqi të Mëdha pas tij, por ka dalë në skenë një aktor i ri, dikush që e bën këtë punë ndryshe nga Hashim Thaçi, duke i ulur të gjithë bashkë në një tryezë, e duke u thënë se bashkimin e bëmë, por pastaj duhet të ndajmë dhe ca gjëra me Serbinë.

D.m.th ëmbëlsirat në fillim, e kafen pa sheqer në fund.

Ndryshe nga Thaçi që e nisi këtë punë me kafe pa sheqer.

Kaq është e gjitha. As mos e quani populizëm, dhe as gallatë patriotike. Minimumi, një manovër patriotike.