Zërat
Arta Berisha
Arta
Berisha

Arroganca presidenciale ndaj mediave

Zërat November 23, 2018 - 17:22

Në një interval kohor prej 15 minutash, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i tha afërsisht 100 herë ''po rrenë, po manipulon, po shpifë'' gazetarit Adriatik Kelmendi në studion televizive të KTV-së gjatë muajit të kaluar. Përsëritja e parreshtur e fjalës ''po rren, po rren'', pa ia lejuar gazetarit mundësinë ta demantojë një gjë të tillë, tregon rrezikun dhe sulmet në rritje nga politika ndaj gazetarisë dhe raportimit të drejtë.

Presidenti ka shpeshtuar paraqitjet e tij në konferencat për shtyp. Temë qendrore e konferencave me gazetarë është procesi i dialogut politik në mes të Kosovës dhe Serbisë. ''Korrigjimi i kufijve'' si ide e prezantuar nga vetë presidenti, përbën pjesën thelbësore për të cilën gazetarët shtrojnë pyetje në adresë të Thaçit. Nga anën tjetër, presidenti ka akuzuar gazetarët për prodhimin e ''lajmeve të rrejshme'', duke rrezikuar dekurajimin në punën e tyre të përditshme. Përveç gazetarëve, presidenti ka hyrë në shumë polemika me politikanë të tjerë dhe krejt në fund prapë ka sulmuar gazetarët për polemikat e zhvilluara me kolegët e tij nga politika. Ky ishte rasti edhe në emisionin Rubikon të KTV-së.

LEXO EDHE: Tymi mediatik: Zjarri në Stamboll e tymi në Obiliq

Në një interval kohor 15 minutësh, presidenti Thaçi e bombardoi gazetarin Adriatik Kelmendi me fjalët ''po rrenë, po manipulon, po shpifë''. Afërsisht 100 herë. Kjo pasi Kelmendi e pyeti për replikën e tij me ish-kryeministrin shqiptar Sali Berisha për çështjen e kufijve.

Të shohim se pse e akuzonte presidenti Thaçi gazetarin Kelmendi se po gënjente? Më 4 gusht të këtij viti, në kohën kur tema për ''korrigjimin'' e kufijve po merrte reagimet e para, Sali Berisha u shpreh kundër prekjes së kufijve të Kosovës të inicuar nga Thaçi dhe – siç shkroi ai në Facebook – ''kundër çdo lloj coptimi, ndarje apo tregtie me territorin e Kosovës dhe kundër çdo diskutimi për këto çështje''. ''Kjo është edhe një zhbërje e Kosovës së çliruar në vitin 1999, të njohur në dokuxmentat ndërkombëtare dhe nga mbi 115 shtete, përfshi xkëtu 95 përqind të vendeve të lira të botës'', vijon reagimi i Berishës ndaj idesë së korrigjimit të kufijve. Këto komente Berisha i bëri pas takimit me zyrtarë të Partisë Demokratike Shqiptare të Luginës së Preshevës, të kryesuar nga Ragmi Mustafa; kohë kjo kur politikanë nga Lugina u pritën edhe nga autoritetet qendrore në Prishtinë.

LEXO EDHE: A ndikuan portalet fantome në rezultatin zgjedhor të vitit 2017?

Vetëm pak orë më vonë, reagoi në Facebook presidenti i Republikës së Kosovës. Por ndryshe nga Berisha për të cilin disa media e raportuan si qëndrim politik kundër ndarjes, për Thaçin mediat raportuan si sulm të tij ndaj Sali Berishës; ndonëse Thaçi nuk ia kishte përmendur emrin. Në statusin e tij Thaçi tha se Kosovës më së paku i duhen këshillat e të dëbuarve me votë masive nga skena politike. ''Veçanërisht të atyre që në mes viteve 1992-1997 tregtonin dhe bënin që me punët xe tyre të pista të mbijetonte makineria ushtarake dhe policore e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit'', thuhej në reagimin e Thaçit.

Mediat në Kosovë dhe në Shqipëri raportuan për një përplasje të ashpër në mes të ish-kryeministrit Berisha dhe presidentit Thaçi pikërisht bazuar në statusin e këtij të fundit. ''Thaçi i përgjigjet ashpër Berishës...'' - ishte titulli i ''Gazetës Express'' për të vijuar me përmbajtjen e statusit të datës 4 gusht.

LEXO EDHE: Lajme nga spitali apo lajme për spital?

''Unë flasë për fenomene, nuk flasë për emra'', vazhdoi tutje presidenti Thaçi në intervistën për KTV-në. Debati vazhdoi për disa javë më radhë, por presidenti dhe zyra e tij nuk i demantuan asnjëherë raportimet se Thaçi sulmon Berishën apo debatin në distancë mes dy politikanëve. Vetë ish-kryeministri shqiptar, ka bërë një replikë të dytë për këtë temë, duke i mohuar të gjitha pretendimet që hidheshin në statusin e presidentit Thaçi. ''Në vitet 92-97 Shqipëria në një përballje të fuqishme në arenën diplomatike botërore mposhti Serbinë në mënyrën më përfundimtare'', tha Berisha vetëm tri ditë më pas në një intervistë për televizionin ''Dukagjini''.

Prandaj, duke u bazuar në të gjitha këto deklarime publike e polemika që nuk demantohen nga asnjëra palë, shtrohet pyetja e thjeshtë: ku po gënjen gazetari nëse vetëm po raporton po po u referohet vetë deklarimeve të dy politikanëve? Ka edhe pytje tjera që demaskojnë presidentin Thaçi. A nuk ishte Sali Berisha në krye të shtetit kur ''kasapi i Ballkanit'' (Millosheviqi) kryente krime masive në Kroaci e Bosnjë?

LEXO EDHE: E vërteta online: Gazetaria e verifikimit në pikëpyetje

Në kë tjetër përveç në Berishën mund të aludonte presidenti i Kosovës kur thoshte se ''është dëbuar me vota masive'' nga pushteti, kur në Shqipëri dihet botërisht që rivaliteti kryesor është mes dy partive kryesore – Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike tashmë në opozitë – figurë emblematike e së cilës është Sali Berisha. Nëse nuk i referohej Berishës, pse Thaçi nuk tregonte se kujt ia kishte drejtuar ato fjalë? Të gjitha këto pyetje pa përgjigjje nga presidenti Thaçi, tregojnë qartazi se ai po bën një lojë tautologjike në studio televizive por prapëseprapë nuk mund t’iu ikë fakteve të së kaluarës. Gjithsesi, kjo gjuhë nuk mund të injorohet sepse në thelb përbën një sulm direkt ndaj fakteve dhe argumenteve, qëllimi i së cilës është zhvleftësimi i punës së gazetarëve.

Për Gentiana Begollin, kryetare e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, po ashtu është e qartë se kujt i drejtohet presidenti i vendit me reagimet e tija.

''Deklarata e Thaçi ka ardhur pas kundërshtimit të idesë së tij të korrigjimit të kufijve nga ish- kryeminstri i Shqipërisë, Sali Berisha. Ndonëse presidenti nuk ka përmendur emër, aludimi i tij ka qenë i qartë dhe i është referuar kohës së qeverisjes së Sali Berishës prej vitit 1992-1997, të bëmave dhe të pabëmave të tij dhe është ndërtuar mbi akuza të cilat veç janë publike prej kohësh dhe që i kemi dëgjuar në forma të ndryshme'', thotë Begolli.

Por, e vërteta është se presidenti nuk është hera e parë që ka përdorur një gjuhë të tillë ndaj gazetarëve. Ardiana Thaçi-Mehmeti punon në të njëjtën shtëpi mediale me Adriatik Kelmendin. ''Fake news, fake news, fake news, rrenë e kulluar...'' - ka qenë përgjigja e presidentit Thaçi në pyetjet e njëpasnjëshme të gazetares së KTV-së Ardiana Thaçi Mehmeti, lidhur me definimin e konceptit të korrigjimit të kufijve. ''Pas kësaj, unë kam hezituar të shkoj në konferencat e tij, edhe pse tashmë ato ishin shpeshtuar, pikërisht pasi ishin irrituese deklarimet e tij, etiketime për ‘Fake News’. Gjithsesi unë nuk do të dekurajohem, do ta vazhdoj punën time dhe do të bëj pyetje dhe do t’i përsëris ato edhe 10 herë nëse është e nevojshme'', thotë Thaçi Mehmeti. Për Begollin, qëllimi i përdorimit të kësaj gjuhe nga politikanët ka një cak të qartë. ''Në mungesë të fakteve dhe argumenteve, politikanët zakonisht përdorin gjithë arsenalin e tyre për të neutralizuar gazetarin, për ta shpërqëndruar vëmendjen nga tema dhe për ta bërë atë sa më pak të besueshëm por e keqja është këtu se disa politikanë nuk zgjedhin gjuhë ose mjete për t’i sulmuar dhe etiketuar gazetarët'', thotë ajo.

Përplasja e politikanëve apo grupeve të tjera të interesit me gazetarë për shkak të raportimit nuk është dukuri e re. Në raportin e këtij viti të ''Freedom House'' për ''Lirinë në botë'', Kosova vlerësohet si vend ''Pjesërisht i lirë''. ''Qeveria dhe bizneset e ndryshme ushtrojnë ndikim në linjat editoriale ndërsa gazetarët shumë shpesh raportojnë për ngacmime dhe kërcënime, thotë ''Freedom House''.

Edhe në raportin e progresit të vitit 2018 theksohet për dyfishim të numrit të gazetarëve të cilët janë kërcënuar dhe sulmuar fizikisht, në krahasim me vitin paraprak.

Për Begollin, kjo gjuhë është e rrezikshme dhe paraqet sulm ndaj medias së lirë. ''Për shkak të fuqisë politike që kanë, qasja e tillë e etiketimit të gazetarëve është e rrezikshme dhe ndërhyrje e drejtpërdrejtë në lirinë e medies dhe të informimit. Ndërkohë sulmi i drejperdrejt i personalitetit të gazetarit dhe gjuha helmuese ndaj tij sjell dhunë dhe inkurajon edhe palën e tretë për të sulmuar gazetarët''.

Shpërfaqja e sulmeve verbale që kanë për qëllim denigrimin në sy të publikut, të punës profesionale të gazetarëve, drejtpërdrejtë në studio televizive dhe në konferenca shtypi, duhet të merret me shqetësim nga gazetarët dhe opinioni publik. Shqetësimi edhe më shumë rritet kur kjo vie nga krerët e vendit që do të duhej të ishin garantuesit e lirisë së shprehjes.

Ky artikull është përkrahur në kuadër të projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN dhe AGK. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK-së.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK