Zërat
Afrim Demiri
Afrim
Demiri

Kodi i fshehtë i kuletës së Komunës

Zërat November 14, 2018 - 14:38

Edhe pas kaq vitesh të qeverisjes demokratike  të pushtetit lokal dhe të ndryshimeve të njëpasnjëshme, të partive ose të koalicioneve qeverisëse, mbetet e pazbërthyeshme enigma e kodit të fshehtë të kuletës së Komunës.

Akuzat e opozitës ndaj pozitës ndër vite nuk kanë kapërcyer logjikën e mohimit, të zhvlerësimit, si dhe të akuzës për abuzim me pushtetin, për keqmenaxhim dhe për klientelizëm. Por asnjëherë ky diskurs ndëshkues në Komunën e Ferizajt nuk është përcjellë me procese transparente dhe llogaridhënëse. Asnjëra palë qeverisëse, sikur nuk ka dashur të sjellë një pasqyrë të qartë të shpërdorimit të parasë publike, duke hapur procese qoftë edhe të gjykimit, por çdo gjë ka mbetur në nivel të paragjykimit politik.

Të dy palët janë strehuar nën kodin e fshehtë të kuletës së Komunës. Mbase këtë më së miri mund ta ilustrojë një tregim, i dëgjuar menjëherë pas luftës në Ferizaj.

Janë rrëfime në vete, fate të arkave të institucioneve, të ish-sistemit serb të gjetura pas luftës, pasi ishin tërhequr zyrtarët bashkë me forcat  serbe. Disa prej arkave të parave ishin hapur me kallash, ndonjë ishte vjedhur, disa ishin thyer, kurse kishte prej tyre asi që nuk u është gjetur kodi, kurse me forcë nuk ishin hapur dot. Në ish-Shërbimin e Kontabilitetit shoqëror në Ferizaj ishte një arkë e tillë. Askush nga punëtorët shqiptarë nuk ia kishte ditur kodin e hapjes arkës, sepse me të kishin punuar vetëm serbët. Hapjen e saj e kishte bërë një qytetar mjeshtër dhe njohës i kodit të arkave.

Mbase ky rrëfim na shpie te të kuptuarit e politikës si një mjeshtri e gjetjes së kodit të qeverisjes me kuletën e pushtetit. Fatkeqësisht, ky kod nuk po gjendet lehtë, andaj buxheti komunal e besa edhe ai qendror shpesh bluhet në mullinj të procesit të tenderimit, sepse pushtetarët e rinj mbrojnë ish-pushtetarët, të udhëhequr nga logjika se kështu mbrojnë vetveten nesër.

Askush më mirë se harxhimi i buxhetit nuk reflekton (mos)pjekurinë politike të të bërit të shtetit, kurse pronari i vërtetë, qytetari assesi të vijë deri te procesi i vendimmarrjes.

Përplasje të mëdha u dëgjuan edhe gjatë këtij viti qeverisës, që po rrjedh në Komunën e Ferizajt, derisa u shpall edhe  falimentimi i Komunës nga kryetari Agim Aliu, i cili po e zëvendësonte Muharrem Svarqën, për shkak të borxheve të trashëguara, të cilat deklaroheshin se arrinin në shifrën mbi 30 milionë euro. Sipas kryetarit Aliut, Komunës i duheshin tre vjet t’i fshijë këto borxhe, sepse 90 për qind e buxhetit të vitit që vjen është zotuar përmes kontratave të trashëguara.

Nga tabori i Svarqës, këto konstatime shihen të veshura me petkun politik, sepse këto “nuk janë borxhe, por vetëm pjesë të projekteve shumëvjeçare që Komuna duhet t’i realizojë ndër vite”. Për më shumë, praktikën e projekteve shumëvjeçare e kishte filluar qeverisja e PDK-së, e cila kur kishte humbur pushtetin, gjithashtu kishte lënë pas borxhe, d.m.th. projekte shumëvjeçare, të cilat ishin përmbyllur pastaj nën qeverisjen e LDK-së.

Kështu prej një mandati qeverisës në tjetrin punët bëhen tërkuzë. Projektet e filluara nga njëra qeverisje përmbyllen nga qeverisja tjetër, kurse borxhet marrin kuptimin metaforik të topit të pingpongut dhe plotësojnë lojën politike të subjekteve partiake ndër veti.

Hedhja e fajit nga njëra anë në tjetrën bëhet më evidente në institucionet qendrore. Duke munguar koordinimi në mes pushtetit qendror dhe atij lokal në zbatimin e  Strategjisë Kombëtare të zhvillimit, projektet komunale të investuara nga Qeveria e Kosovës luajnë rolin e dorës së zgjatur për të ushtruar ndikim partiak nëpër komuna, kurse qëndrimi i komunave merr  formën e servilizmit ndaj institucioneve qendrore. Kjo formë e ushtrimit  të pushtetit shpërfaq sindromën infantil të pushtetit, posaçërisht me rastin e ndërrimit të qeverisë qendrore.

Nuk vonon dhe fillojnë anulimet e memorandumeve, të projekteve të caktuara dhe krijohet kaosi i borxheve, kurse premtimet e reja  për investime vazhdojnë. Me një qasje të privatizimit të egër pushteti lokal negocion me firmat kontraktuese duke anashkaluar zyrat e prokurimit e organet tjera dhe u hapet dera dyshimeve dhe keqpërdorimeve. Përditshmëria e qytetarit rëndohet dhe paraja e tij shpërdorohet edhe nga mospërdorimi me kohë dhe si duhet edhe nga format tjera perfide.

Përderisa një qeveri e vlerëson si prioritet rrugën Ferizaj –Kashtanjevë, qeveria tjetër e injoron atë. Njëra qeveri e fillon ndërtimin e sheshit, kurse tjetra e ndërpret dhe e fillon projektin e “Bashkimit të qytetit”, si dhe  rrugën me katër shirita Gërlicë –Varosh - Ferizaj.

E përbashkëta e këtyre projekteve është anashkalimi i proceduarve, fillimi i projekteve pa mbulesë financiare, zotimi i mjeteve nën minimumin të paraparë me ligj, pa diskutime publike etj. Për habi, harrohet se Komuna po falimenton, sërish vazhdojnë projektet shumëvjeçare të paketuara nën epitetin e “projekteve për të ardhmen” dhe sërish ka “marrëveshje premtuese në mes të pushtetit qendror dhe atij lokal”. Aterrojnë në qytet liderët, të cilët e “hapin kuletën për Ferizajn”, si për qytetin e dytë me fuqi ekonomike në vend. E njëjta këngë, arazhmani i ri, i rikomponuar.

Nën këtë zallahi shihet një qeverisje e fshehtë, e kornizuar në një Ligj mbi Qeverisjen Lokale ose një qeverisje qendrore konjukturale në përmirësimin e së cilës nuk mund të ndikojnë as proceset e auditimit qoftë të brendshme ose të jashtme, as proceset e monitorimit të OJQ-ve të ndryshme ose të autoriteteve gjegjëse, sepse para termit “Shteti i kapur” sikur funksionon termi “Shteti i privatizuar”.

Raportet e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit nuk ka kush i lexon. Nga viti në vit ato palosen si libra që nuk lexohen, pavarësisht që ato alarmojnë se kontratat e lidhura pa mjete buxhetore të mjaftueshme datojnë ndër vite, numërohen faktet se në dhjetëra raste përmes prokurimit janë shpërblyer operatorët ekonomikë me tenderë edhe pse nuk i kanë plotësuar kushtet e tenderëve, se ka në qeverisjen e të gjitha pushteteve kontrata me procedurë të kuotimit të çmimeve etj.

Kurse, keqklasifikimi i shpenzimeve në të gjitha qeverisjet është shndërruar në model të pagesës, për të mbipunësuarit me kontratë mbi vepër në administratën komunale. Menaxhimi me pronën komunale vazhdon të shihet si thembra e Akilit e qeverisjeve komunale, ajo përngjan me bahçen e babës: kosit kush do e kur të dojë.

Tentohet të gjendet një arsyetim se zgjedhja e kryetarit të ri me buxhetin e vjetër realisht po e humb një vit të qeverisjes se tij dhe kërkohet ndryshimi i afatit të mbajtjes së zgjedhjeve lokale, që ai të përputhet me intervalin e  përpilimit të buxhetit. 

Kurse konkurrenca politike vazhdon në rrafshe triviale, se cili kryetar jep kifle e cili e ndërpret dhënien e tyre nxënësve. Për kuriozitet, Komuna e Ferizajt kishte paguar 6 mijë euro në ditë për kifle, kurse për çudi në buxhetin për vitin e ardhshëm të aprovuar në vlerë prej 30 milionë eurosh në disa projekte kodet e tyre janë të zbrazëta pa vlerë financiare ose janë të përsëritura.

Ky bedatë e ri, i kodeve të zbrazëta, vjen nga ndërhyrja e përmbarueseve, të cilët janë shfaqur në sistemin tonë juridik si peshkaqenët, të cilët gllabërojnë kuletën komunale pa pyetur për prioritetin e projekteve dhe as për kodet e tyre. Kjo mënyrë e pagesës së firmave kontraktuese ta lenë përshtypjen se përmbaruesit i takojnë një shteti tjetër, dhe Thesari i shtetit dorëzohet para tyre. Asnjë organ nuk i hyn kësaj pune, as Prokuroria nuk lodhet t’i lexojë  raportet e prokurimit, as të shohë si po zbrazet kuleta e Komunës dhe as pse pothuaj 99 për qind të proceseve gjyqësore ku e paditur është Komuna klientët i fitojnë lëndët, kurse askush nga Komuna nuk merret në përgjegjësi. Asaj i merren vetëm paratë. 

Si në një telenovelë qytetarit i rishfaqen skenat nga prerja e shiritave të kuq, të projekteve, pa e pyetur askush për prioritetin e tyre, as pa i treguar për mjetet financiare, si dhe as pa zhvilluar diskutimin publik, aq të nevojshëm dhe të paraparë me ligj. Ky arbitraritet qeverisës krijon te qytetarët mentalitetin e vëzhguesit të pafuqishëm dhe krijon diskursin e refuzimit të politikës si diçka domosdoshmërish e ndytë, me të cilën qytetari nuk do të ketë punë.

Ferizajasit e njohin mirë qytetarin, i cili shet kuleta nëpër lokale. Thirrjet e tij kuleta-kuleta çuditërisht nuk i joshin blerësit. Mbase as zyrtarët komunalë nuk kanë blerë kuletë nga ai nga frika se ato nuk kanë kod të mbylljes. Kuleta e Komunës vazhdon ta ketë kodin e vet të fshehtë, të cilin pastaj vetëm skandalet politike po e nxjerrin në pah.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK