Zërat
Bernd Riegert
Bernd
Riegert

Samiti Trump – Putin, zhgënjyes

Zërat Shtator 26, 2018
Lexo detajet

Ministria e Jashtme ruse e ripostoi një tweet të Trumpit, duke ia vënë atij kësisoj vulën zyrtare të Kremlinit. Presidenti amerikan në postimin e tij akuzon SHBA-në e si rrjedhojë edhe vetveten si përgjegjës për raportet e këqija me Rusinë, madje shkruan, kjo sepse SHBA-ja ka vepruar “me budallallëk”.

A është SHBA-ja vetë fajtore që shërbimi sekret rus ka ndërhyrë me hakerë në autoritetet elektorale partiake dhe që presidenti rus ka pushtuar Krimenë?  Kjo është thjesht qesharake, por edhe një veprim i paparë ndonjëherë në historinë e re amerikane. Me tezat e tij ai e ka diskualifikuar veten sërish.

Kështu nuk është sjellë asnjëherë ndonjë president. E një president nuk duhet të veprojë kështu. Pyetja është se edhe sa kohë republikanët dhe mbështetësit e presidentit do të duan të vazhdojnë ta përballojnë këtë president të paaftë dhe të çoroditur në Shtëpinë e Bardhë? Trump belbëzon vazhdimisht fjali të përgjysmuara kundërthënëse.

Disa prej tyre nga ditët e fundit: Herë NATO-ja ia merr shpirtin SHBA-së e herën tjetër ajo është si një festë e dashurisë. Herë BE-ja është armik e herë Kina është armike, ose të dyja bashkë. Herë Britania e Madhe duhet të padisë BE-në për Brexit, herë kryeministrja May është mikja më e mirë. Pastaj Gjermania është si rob në duart e Putinit, por njëkohësisht Putini është një konkurrent korrekt.

Edhe sa mund të durohet Trumpi?

Belbëzimi i tregtarit të imobiljeve të shndërruar nga yll televizioni në kryepopulist është e vështirë të durohet. Duke e krahasuar me presidentin rus, Trump dukej i dobët, i pasigurt e i papërgatitur. Gjithmonë kur Trump shkakton dëme në kampin e politikes së jashtme ministrave të tij u duhet t'i rivendosin gjërat në vend dhe t'i përkthejnë sërish në politikë fjalët e marra të një presidenti që i lë pasdore faktet. Edhe sa kohë do të vazhdojnë ata ta ndjekin atë?

Putinit duket se i është vënë re një nënqeshje djallëzore gjatë paraqitjeve të tij me Trump në Helsinki. Atij i mjaftonte të rrinte i qetë, të shihte e të dëgjonte se si Trump e shpërbën rendin global botëror. Javët e fundit ai e shpalli BE-në armik. Akuzat ndaj Putinit dhe Rusisë në SHBA mbeten në të kundërt pa asnjë efekt.

A është përpjekur Putini t'i influencojë zgjedhjet në SHBA më 2016-ën, donte ai ta ngrinte Trumpin në post, a ka ai në dorë material dëshmie kundër klanit Trump? Nëse i mbledh të gjitha mund të mendosh se këtu diëka mund të ketë, që e detyron Trumpin të sillet kështu pikërisht përballë autokratit rus.

Në Helsinki mund të thuash se më shumë ishte presidenti që takoi oficerin komandues. Egomani amator takon profesionistin e shkolluar të shërbimeve sekrete. E vetmja që i bashkon të dy burrat është se ata nuk e marrin aq seriozisht të vërtetën. Putin e ka bërë fare të qartë që ai nuk synon të fitojë besimin, por do të realizojë interesat e veta. Natyrisht është mirë që të dy burrat e pushtetshëm flasin me njeri-tjetrin. Por spektakli, që me sa duket dëshiron Trump, nuk mjafton.

Bota pret më shumë, këtë Trumpi e ka kuptuar në ato pak çaste të kthjellimit të tij. Pritshmëritë u zhgënjyen. E gjora Amerikë që ka zgjedhur president këtë ekscentrik, të pakalkulueshëm dhe të rrezikshëm. Të shpresojmë që ai të mos shkaktojë edhe më shumë dëme.