Zërat
Ramadan Qehaja
Ramadan
Qehaja

Strategjia e sigurisë së Serbisë rrezikshmërinë më të madhe e sheh pavarësinë e Kosovës

Zërat Shtator 26, 2018

Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Serbisë këtyre ditëve ka përpiluar dhe ka formësuar Draft-strategjinë e Sigurisë Kombëtare dhe siç theksohet, deri më 15 maj ky Draft do të jetë në diskutim publik, me ç’rast përveç institucioneve shtetërore për të do të debatojnë ekspertët dhe shoqëria civile.

Në shikim të parë duket se kjo strategji nuk dallon nga ajo e cila ishte në fuqi deri më tani, përveçqë janë vërejtur disa dallime në vlerësimin e rreziqeve të sigurisë për Serbinë. Kur kemi të bëjmë me Kosovën, atëherë nuk mund të vërehen dallime apo avancime në vlerësime aq më parë që presidenti Vuçiq në vazhdimësi është duke “ofruar” zgjidhje për Kosovën, përkatësisht ka theksuar në vazhdimësi disa kompromise. 

S’do mend se në këtë Draft-strategji theksohet se Serbia nuk do ta njohë Pavarësinë e Kosovës si dhe ashpër do të kundërshtojë formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, sepse siç thonë, ato do të prishin balancën ushtarake dhe do ta destabilizojnë Ballkanin në aspektin e sigurisë! Për këtë “rrezikshmëri” ata në vazhdimësi kërkojnë (pra edhe në ketë Strategji) që KFOR-i kurrsesi të mos largohet nga Kosova.

Në këtë Strategji bie në sy se Serbia plotësisht do ta mbështesë pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në, siç thonë ata, institucionet e përkohshme në Prishtinë. Gjithashtu theksojnë neutralitetin ushtarak të Serbisë në veçanti ndaj NATO-s e që si përcaktuese për këtë neutralitet ushtarak theksohet shpallja e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Edhe më tej Kosova trajtohet si pjesë përbërëse e Serbisë, duke theksuar ndërmarrjen e masave të nevojshme konform Rezolutës 1244 të KS-së së OKB-së, që në strategjinë e mëparshme kjo Rezolutë nuk është theksuar.

Duke mos dashur t’i theksoj çështjet e tjera e që në këtë strategji shpjegohen dhe shtjellohen mjaft njëanshmërisht, përkatësisht për interesa të Serbisë, duhet veçuar se në esencë asgjë e re në të nuk theksohet.

Përkundrazi, ashpërsia se si trajtohet Pavarësia e Kosovës, përkundër bisedimeve të deritanishme në Bruksel për përmirësimin e marrëdhënieve në mes Serbisë dhe Kosovës, duhet theksuar se Serbia me politikën e saj destruktive është edhe më tej bartëse e rrezikshmërisë në aspektin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Kur themi këtë atëherë duhet theksuar se ajo ndër të parat filloi të armatoset me avionë, helikopterë, tanke, sisteme kundër ajrore “S-300”, etj.

Kryesisht të dhuruara apo të blera nga Rusia dhe kështu arriti ta tejkalojë nevojën e vetëmbrojtjes së saj dhe të bëhet bartëse e armatimit ofenziv në rajon. Kuptohet se edhe shtetet e tjera të rajonit në kohën e fundit i janë rrekur armatimit e që në fakt rrezikshmëria për luftë në Ballkan gjithnjë e më tepër po rritet.

Sidoqoftë, për ne si Kosovë, përkatësisht shtet, me gjithë brishtësinë me të cilën disponojmë do të duhej që në mënyrë të përshpejtuar të fillojmë të formësojmë Forcat e Armatosura të Kosovës dhe të ngremë gatishmërinë vepruese vetëmbrojtëse pavarësisht rezistencës serbe që kjo të mos ndodhë.