U frymëzua nga Benzema, Yamali tregon se pse e mban fashën në dorë edhe pse s’ka lëndim

U frymëzua nga Benzema, Yamali tregon se pse e mban fashën në dorë edhe pse s’ka lëndim

Sport June 09, 2026 - 19:56

Tifozët e futbollit e kanë parë prej kohësh Lamine Yamalin të luajë me një fashë të bardhë në dorën e djathtë, por vetëm tani është zbuluar arsyeja e vërtetë pse ylli i ri i Barcelonës vazhdon ta mbajë atë.

Gjithçka nisi në shkurt të vitit 2025, kur Yamali u paraqit në qendrën stërvitore të Barcelonës në “Sant Joan Despí” me dorën e fashuar dhe me dy gishta të lidhur.

Në atë kohë klubi nuk publikoi asnjë raport mjekësor dhe lojtari luajti normalisht në ndeshjen e radhës ndaj Rayo Vallecanos.

Më shumë se një vit më vonë, vetë Yamali ka zbuluar se dëmtimi erdhi në një mënyrë krejt të pazakontë.

Duke folur në kanalin e tij në “YouTube”, ai tha: “E fashoj dorën sepse, teksa po luaja PlayStation, godita televizorin dhe lëndova gishtat. Ata u enjtën shumë”.

Megjithatë, arsyeja pse vazhdon ta mbajë fashën nuk lidhet më me dëmtimin.

Yamali tregoi se është frymëzuar nga ish-sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema.

“Që atëherë fillova t’i fashoja gishtat dhe më pëlqeu shumë pamja. Ndihesha si Karim Benzema. Bëmë shaka me ‘KB9’ dhe thjesht vazhdova ta mbaja. Mendoj se duket shumë mirë, kështu që do të vazhdoj ta mbaj”, shtoi ai.

Edhe Benzema kishte një histori të ngjashme. Në vitin 2019 ai theu gishtin e vogël të dorës së djathtë në një ndeshje kundër Real Betisit.

Mjekët i rekomanduan operacion, por francezi e refuzoi për të mos munguar rreth dy muaj.

Ai luajti me fashë në dorë dhe vazhdoi të shënonte gola, ndërsa kjo pamje u bë një nga simbolet e tij gjatë karrierës.

Edhe pas operacionit të kryer më vonë, gishti nuk u rikuperua plotësisht, ndaj Benzema vazhdon ta mbajë fashën edhe sot.

Ndërkohë, para miqësores së Spanjës ndaj Perusë, Yamali mori pjesë në një sesion pyetje-përgjigje, ku bëri edhe disa premtime interesante në rast se Spanja fiton Kupën e Botës.

“Premtoj se nëse fitoj Kupën e Botës, do të lë mjekër dhe mustaqe,” tha ai me humor, përpara se të negocionte kohëzgjatjen nga një vit në vetëm tre javë.

Ai gjithashtu premtoi se do të dhurojë 100 palë kufje “Beats” në rast se Spanja shpallet kampione bote.