Shqipëria nis epokën Maran, sonte miqësore ndaj Izraelit në “Air Albania”
Kombëtarja e Shqipërisë do të zhvillojë sonte ndeshjen e parë nën drejtimin e trajnerit të ri, Rolando Maran. Kuqezinjtë do të përballen me Izraelin në stadiumin “Air Albania”, me ndedhjen që nis në orën 20:00.
Ndeshja vjen në një moment delikat për përfaqësuesen shqiptare, pas zhgënjimit të eliminimit në “play-off”-in e Kupës së Botës, që solli edhe largimin e trajnerit Sylvinho. Federata vendosi t’ia besojë punën trajnerit italian Maran, me shpresën për t’i rikthyer kuqezinjtë te rezultatet pozitive dhe për të ndërtuar një skuadër konkurruese për sfidat e ardhshme në Ligën e Kombeve.
Interesimi për këtë takim nuk pritet të jetë i lartë, pasi në stadium pritet të jenë të hapura vetëm sektorët e katit të parë, ndërsa kati i dytë me shumë gjasa do të mbetet i mbyllur.
Sa i përket historikut të përballjeve, Shqipëria dhe Izraeli janë ndeshur gjashtë herë më parë. Bilanci favorizon izraelitët me katër fitore, ndërsa kuqezinjtë kanë triumfuar në dy raste. Interesant është fakti se mes dy skuadrave nuk është regjistruar asnjëherë barazim.
Përballja e parë daton në kualifikueset e Kupës së Botës 2018, kur Izraeli fitoi 3-0 në Shqipëri. Kuqezinjtë u kundërpërgjigjën në mënyrën më të mirë të mundshme në ndeshjen e kthimit, duke triumfuar po me rezultatin 3-0 në transfertë.
Dy ekipet u takuan sërish në edicionin e parë të Ligës së Kombeve në vitin 2018. Shqipëria fitoi 1-0 në shtëpi, ndërsa Izraeli mori hakun me suksesin 2-0 në ndeshjen e zhvilluar në vendin e vet.
Sot, përveç rëndësisë që ka rezultati në aspektin statistikor, Shqipëria synon të nisë me këmbën e mbarë një kapitull të ri me Rolando Maran në krye të skuadrës kombëtare.