Bayern Munich mposht Leipzigun dhe kalon në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë
Bayern Munich ka shënuar fitore me rezultat 2-0 ndaj Leipzig, duke siguruar kalimin në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë.
Ndeshja nisi në mënyrë të fortë për Leipzig, të cilët kaluan në avantazh në minutën e katërt me anë të Christoph Baumgartner, i cili shfrytëzoi një top pas një harkimi dhe e dërgoi saktë në pjesën e poshtme të portës.
Megjithatë, gëzimi i mysafirëve zgjati pak, pasi në minutën e gjashtë arbitri Daniel Siebert anuloi golin pas verifikimit me VAR për pozicion jashtë loje në fazën e ndërtimit të aksionit.
Pas kësaj, Bayern kontrolloi lojën dhe krijoi disa raste të rrezikshme, por portieri i Leipzig, Maarten Vandevoordt, u tregua i shkëlqyer në disa pritje kyçe, duke i mbajtur skuadrën e tij në lojë deri në fund të pjesës së parë.
Në minutën e 64-të, Bayern fitoi penallti pas një ndërhyrjeje në zonë dhe Harry Kane nuk gaboi nga pika e bardhë, duke shënuar për 1-0.
Ky gol ndryshoi rrjedhën e takimit, teksa bavarezët fituan kontrollin total të lojës. Vetëm tri minuta më vonë, në minutën e 67-t, Bayern shënoi edhe golin e dytë.
Luis Diaz përfitoi nga një asistim i shkëlqyer i Michael Olise, përballë portierit dhe finalizoi me qetësi për 2-0, duke vulosur fitoren dhe kualifikimin.
Pjesa e dytë kaloi në kontroll të Bayern, ndërsa Leipzig provoi të rikthehej në lojë, por nuk arriti të rrezikojë seriozisht portën e Manuel Neuer dhe kështu vendasit siguruan kualifikimin në fazën tjetër.